Në marsin e vitit 1963 Anita Take po luftonte me vdekjen, ndërsa përpiqej të sillte në jetë fëmijën e saj ta parë. Pacientja ndiqej nga profesor Gliozheni, por meqë ai ishte tepër i zënë me pacientet e shumtë , për yllin e këngës shqiptare u kujdes një mjek i ri specializant nga Peshkopia që quhej Rahim Gjika që më vonë u bë një nga ikonat e gjinekologjisë shqiptare.
Nga Artan Gjyzel Hasani
Kishte një arsye specifike për këtë “rastësi”. Profesor Gliozheni preferonte që shtatëzanitë e komplikuara të zgjidheshin me operacion. Mjeku i ri përkundrazi preferonte lindjen natyrale, sado e vështirë të ishte kjo, gjë me të cilën ishte dakord edhe vetë pacientja.
Por kishte edhe një rrethanë tjetër. Njohja e mëparshme mes mjekut të ri Rahim Gjika dhe Agim Prodanit. “Shpirtërat e mëdhenj takohen”, thotë shprehja e famshme greke. Muzika dhe mjekësia kanë shkuar bashkë që nga agu i njerëzimit. Në Greqinë antike, ndërsa gratë lindnin, në dhomën pranë luhej muzike me harpë. Mjeku i ri dibran ishte adhurues i lojës magjike të Agim Prodanit në fizarmonikë dhe disa muaj më parë kishte marrë edhe disa orë mësime fizarmonike nga mjeshtri.
Natë e ditë te koka e pacientes së tij të famshme, që po përjetonte një lindje tepër të vështirë me rrezikun e jetës për veten dhe beben që kishte në bark.
Fati e solli që djali i çiftit të artistëve të vinte në jetë në duart e mjekut të ri dibran.
Në fëmijërinë time mbaj mend që sa herë jepej kjo këngë në radio prindërit thonin “Kënga për Doktor Rahimin”. Ime më që ishte për dhjetra vjet krahu i djathtë në sallë të lindjes i doktor Rahimit, (ish shokë klase në shkollën mjeksore dhe miq të afërt të familjes), tregonte për këtë rast fjalët e Agim Prodanit drejtuar doktor Gjikës:
“Doktor Rahimi, “Kënga e Mjekut” të është kushtuar ty në shenjë mirënjohjeje për atë sakrificë disa mujore tënden të koka e Anitës që përfundoi me lindje normale dhe shpëtuan të dy jetët. Është dhurata më e vogël që mund të të bëja. Por nuk mund ta bëj publik këtë dedikim, për arsye se do të ndjehej keq profesor Gliozheni, dhe ku i dihet, mund të na dalë ndonjë telash në këto momente të vështira që po kalon im vëlla.”
Një detaj kuptimplotë: Në versionin e parë të transmetuar në radio kënga titullohej “Kënga e mjekut të ri”.
Profesor Gliozheni ishte koka e gjinekologjisë shqiptare në atë epokë. Një figurë absolute, plot autoritet të cilin e donte shumë populli, dhe e vlerësonte akoma më shumë hierarkia e lartë e diktaturës.
Nga ana tjetër, në atë periudhe i vëllai i Agim Prodanit, Mediu, i konsideruar babai i kitarës klasike shqiptare, ishte flakur në rruge dhe po i nënshtrohej persekucionit nga diktatura dhe pak vite më vonë përfundoi në burg.
Por ka edhe një burim tjetër për autencitetin e kësaj historie. Ja si e tregon kompozitori Përparim Tomçini:
“Andej nga vitet 2005-2006, takova rastësisht në studion e këngëtarit Ilir Shaqiri në Prishtinë, këngëtaren Anita Take (e shoqja e kompozitorit Agim Prodani. Pasi Iliri na bëri prezantimet e çastit, Anita m’u drejtua mua: “Nga Peshkopia?” “Po”, i them unë.
“Ne kemi një mik të familjes në Peshkopi dhe quhet Rahim Gjika. Unë kam patur probleme me lindjet e fëmijeve të mi, dhe doktor Rahimi ishte ai që m’i bëri lindjet e fëmijëve normale. Nisur nga ky fakt, burri im “Këngën e Mjekut” ia ka kushtuar Rahim Gjikës.”
Është e natyrshme që kjo histori të përvetësohet edhe nga të tjerë mjeke apo specializantë apo t’u mvishet atyre që kanë shërbyer pranë këngëtares së famshme në ato momente dhe unë nuk dua të paragjykoj asnjërin në të vërtetat e veta.
E kush nuk do të donte t’i kushtohej një këngë e tillë, më e bukura e shkruar ndonjëherë për një mjek?!
ObserverKult
Lexo edhe: