(Recension për romanin”Tenxherja” të Agron Tufës)
Nga Ardona Bullatovci
Jemi mësuar që kur të lexojmë letërsi të hasim në vepra që kanë tituj të zgjedhur me kujdes, shpeshherë të pazakontë e që e trokasin imagjinatën e lexuesit. Tenxherja është një element i domosdoshëm kulinar, i ndodhur në dollapët e kuzhinave, e cila del në dritë vetëm derisa përgatitet ushqimi dhe më nuk zihet për goje.
Agron Tufa e vendos në titull të një romanit të tij, duke zgjedhur kështu një titull mediokër, të thjeshtë dhe depompoz.
Por, nuk është i vetmi që megjithatë e ka futur tenxheren në letërsi. Nga përkthimi i Nolit kemi lexuar në shqip poezinë Kapaku i tenxheres të Sharl Bodlerit. Tenxherja metaforike e Bodlerit është rruzulli tokësor si shtrat i njerëzve e përpjekjeve të tyre, kur ata jetojnë si pa rrugëdalje duke zier në përpëlitje, e qielli edhe si kulm i rruzullit, metaforizohet si kapak i tenxheres, që i mbyll plotësisht njerëzit, mëkatarë e murgj. Tenxherja tani bëhet simbol letrar për të figuruar strukturën e mbyllur, izolimin, presionin e lartë, për ta kufizuar në formë të përkryer gjeometrike përpjekjen e pafrytshme të njerëzimit pa përjashtim.
Se a është edhe tenxherja e Agron Tufës një simbol i tillë, apo është tamam ajo tenxherja që e ka vendin në kuzhinë, lexuesi e merr vesh lehtë, pasi ta përfundojë edhe faqen e fundit të këtij romani të shkurtër.
Për paranojën e diktaturës
Syzheu romanor është i tëri i rrëfyer nga një narrator i cili vështron në kujtime të fëmijërisë. Që na fton ta përqëndrojmë vëmendjen në aspektin kohor. Është kalimi i dhjetë vjetëve që e nxit fillin e rrëfimit, dhe nënkuptohet se tok me moshën edhe ngjarjet e këtyre dhjetë vjetëve e kanë rritur narratorin.
Në faqet e para përmendet shumë një emër, Filip. Para se ta dijmë lidhjen e tij me narratorin e marim vesh se ai qenka i burgosur në burgun e Spaçit, për dhjetë vjet. Filipi është vëllai i madh i narratorit, Behar Blanës. Përpos si vëlla i madh ai ishte shndërruar në role model në fëmijërinë e tij, sa Behari kishte ndërtuar mit për personalitetin e tij.
Mjafton emri Spaç për t’i kthjelluar detajet. E dihet se në minierën e Spaçit ishte qendra e internimit dhe burgu famëkeq i diktaturës komuniste në Shqipëri.
Ngjarjet e rrëfyera nga kujtimet zënë vend në vitet e 70’ta kur edhe pushteti i tillë ishte në kulm të fuqisë. Janë jo të pakta veprat letrare që kanë dalë nga tema e diktaturës komuniste, kur kjo e fundit ra. Në letërsinë botërore është krijuar një korpus i tërë që e ka trajtuar temën e tillë me vetëm një qasje, atë të distopisë socialiste.
Djaloshi ishte 12 vjeçar kur ia burgosën të vëllain, më parë në të njejtin burg kishte rënë edhe i ati. Jepen kështu dromcat e realitetit të çuditshëm, për burgosje të pabazuara të cilat sot ne do t’i quanim qesharake.
Sikurse në 1984-shin e Orwellit dhe pastaj edhe në Fermën e kafshëve edhe në romanet e letërsisë shqiptare postsocialiste, njihemi me veçorinë e njejtë të pushtetit totalitar, i ndërtuar mbi dominim, paranojë dhe paragjykime obsesive.
Me gjithë temën e ndjeshme autori e mban kujdesshëm narracionin i cili bëhet nën kompetencat e fëmijës, duke e ruajtur dhe duke mos e ngarkuar përtej të kuptuarit fëmijëror. Pra, nuk haset diskurs i rënduar politik.
Mirëpo e rënduar shkaku i sistemit pushtetar ishte e tërë jeta, edhe e fëmijëve. Pasi u rritën me babain në burg edhe në shkollë ishin nën vështrim, me damkën e fëmijëve të reaksionarit. Behari është një fëmijë që na kujton fëmijën e humbur të Ridvan Dibrës, i pasionuar pas leximit, bile pas letërsisë së kulluar. I pasionuar pas leximit ishte edhe një djalosh i përmendur shkarazi në roman, i cili dënohet me pushkatim për shkak të literaturës së huaj. Këtë absurditet e kanë ditur edhe fëmijët e asaj kohe. Beharin, dëshira e leximit e shtyen të bëjë edhe të pabëra, kur gjatë pushimit të verës kishte vjedhur bibliotekën e shkollës së katundit Bythuç, meqë ia kishin ndaluar të merrte libra si gjithë të tjerët. Ky akt penal zbulohet dhe Beharin do ta merr në pyetje i plotfuqishmi i zonës Syrja Palunga, me fjalor, me kërcënime të vrazhda, me frikësim që i cenon edhe kufijtë e çmendurisë. Djaloshi për shkak të librave të huaj, dhe të aktivitetit të të vëllait dhe babait dhunohet fizikisht nga hetuesi në objektin e shkollës, për ta ndërtuar kështu groteskun jo vetëm letrar, por edhe groteskun e sistemit totalitar.
Krahas ngjyrës diktatoriale, në narracion nuk lihen anash as ngjyrat e tjera të jetës sado të zbehta. Ka episode nga jeta e përditshme diku në Dibër, kur vihet në thumb të përqeshjes përcjellja groteske e policëve ndaj fëmijëve edhe kur ata hanë bukë e edhe kur ata kryejnë nevojën fiziologjike, e fëmijët bëjnë sarkazmë me vëzhgimin policor.
Teksa personzhi i Filipit paraqitet shumë pak si subjekt, ai shihet vetëm në rrëfimin e narratorit. Në adoleshencën e tij kalon në faza të ndryshimit të karakterit. Hegjemonia politike nuk e lë të regjistrohet në Gjimnaz. Këto janë hallka të zingjirit të fatkeqësisë së një familjeje fshatare. Përpos se familja vuan në varfëri për të sigurar mbijetesën, pas babait arrestohet edhe djali i madh.
Përfundimi i romanit është vet kulmi i tij. Dramën e arrestimit të Filipit e kishte intriguar tenxherja misterioze të cilën Filipi e kishte me vete kur u kap nga policia. Për gjykatësin tenxherja ishte parullë për tu identifikuar, kur ai do të arratisej jashtë vendit. E megjithatë Filipi e kishte tenxheren për ushqim, dhe për arratisje as që mendonte.
Prej Procesit të Franz Kafkës jo rrallëherë e kemi hasur në romane të tilla tragjikomizmin e sistemit totalitar që arreston, burgos njerëz të rinj e të vjetër, mbi arsyetime absurde.
Për paragjykimin e tillë famëkeq dhe sepse në një dokument identifikimi Filipi kishte rritur moshën, ai dënohet me burg. Ama ironia tragjike është se sistemi edhe fshihej prapa ligjeve, ai u dënua në seancë ditën kur mbushi 18 vjet.
Është edhe ky një roman i dalë nga distopia letrare e komunizmit, një roman që i gdhend në fiksion gjurmët faktike të asaj që ka kaluar vetëm para disa viteve. Të lexosh romanet e tilla, është sikur t’i dëgjosh me veshë dëshmitë e viktimave të sistemit socialist. Sikur ta dëgjosh Zef Pllumin te Rrno vetëm për me tregue, lexon e dëgjon. Por, fjala e skalitur letrarisht depërton më thellë përtej shqisave, deri në ndërgjegje. / ObserverKult