Nga Flutura Açka
“Ku je?”, kush nuk e thirri në këtë jetë…
Ndoqa me kureshti të madhe të gjitha rekomandimet e VIP-ave shqiptarë të klasit A, të klasit B, e të tjerë. Sa pak letërsi shqipe kishin, thua kaq pak lexojnë?
Unë mora ta rilexoj “Ku je?” (2009), pasi tani nuk është më libri im dhe thuajse e kisha harruar, por për dy arsye thelbësore:
1. Në kohë të turbullta që po kalojmë, mes mjegullës së frikës që na është endur para syve, mbijnë më se miri fidanët e egos dhe të diabolizmit të diktatorëve. Nuk ka fat më të madh se Covid -19 për diktatorët e vegjël të demokracive. Dhe nëse kjo zgjat, të vegjëlit mund të bëhen edhe të mëdhenj.
2. Për të zbërthyer paragoninë e dhimbjeve dhe për të relativizuar frikërat e mbjella prej tyre. Çdo kohë ka gijotinën e vet, shpesh e krijuar nga vetë njeriu. Dhimbja që vjen nga Covid-19 është më së shumti pasojë e shkujdesjes, e sigurisë së konsumizmit, ndaj edhe quhet sëmundja e qytetërimit. Por dhimbjet të shkaktuara me ndërgjegjje të plotë, nuk kanë asnjë lloj shfajësimi. Megjithatë, shpura e atyre që e mbajtën, propaganduan dhe e përdorën, duket se nuk do të dalë kurra nga moda e pushtetit. Një udhëtim i muajve të fundit në Rusi, ma provoi këtë.
Fundjavë të mbarë, Miq!