Pesë vinça shihen prej ballkonit tem, ngjyre kafe të shpërlame cili ma shumë a ma pak. Te t’pestit kanë mbetë në të njajtën pozitë tash e sa kohë, kryenaltë, thu ti dojnë me mrri qiellin. Secili kryet thik përpjetë sikur më përqeshin mu n’ftyrë për lirinë që e lodrojnë shkaras. Ndoshta edhe kanë të drejtë, s’më kujtohet që i kam pa ma herët kur jeta nuk ishte kaq e ngeshme. Në fakt, s’më kujtohet t`ia kem vnu menen najherë naj vinçi as për kurreshtje. Eh, kujtesa asht nji bishë me shumë teke, sa ta hallakatë t`kalumen ta ban copë- copë, sa t`i përzien krejt, i qorron me fragmente të mjegullta, prandaj s’asht edhe fort meçëm me i besu asaj e as me u mbështetë në ta, n’kohë karantine. Qyshdokoftë, s’më kujtohet të kenë qenë vinçat pjesë e jetës tem as për nji frymë. Tash këta t’pestit e përbajnë mozaikun ma interesant të pamjes se vetme që e gëzoj prej ballkonit. Ju kam lanë emra para nji jave, kam nisë edhe me ju folë, po ju tregoj se corona virusi edhe në sipërfaqe të metalta mbijeton për mbi tetë orë por ama palla s’u han as për pandeminë as që po na e zanë frymën e pamjen përditë e ma shumë. Ata vazhdojnë me nënqesh e me qëndru krenar, e unë vazhdoj me e pi kafen e mëngjesit me ta deri sa s’ndigjohet zani i amël i Malit: “Mam, untë jam…!” Edhe ky s’ninë për corona virus, veç te buka ment i mban, paçka se ka rezerva edhe nji muej mos me shti gja n’gojë. Qysh s’dita edhe unë si do do që me pagë ma t’vogël se temën banën shpija me oborr, e villa n’Brezovicë, n’Rugovë, n’Bogë a në dreq t’mallkum, po tash ju del rend edhe vinçave me u ba personazhe n’këtë katrahurë. Me të drejtë Orhan Pamukut tek “Bora”, thotë që: “Në nji vend brutal si ky i joni, ku jeta e njerit s’vlenë as pesë pare, asht budallak me shkatërru veten për hir të bindjeve tua. Bindjet? Idetë e nalta? Veç njerëzit e vendeve t’pasuna mujn me gëzu nji luks të tillë.”/ ObserverKult