Addio maestro: Me zjarrin e pashuar të pasionit tënd, na mësove që nuk ka kufij për ata që dashurojnë atë që bëjnë…

Sergio Rossi, stilisti i njohur i këpucëve, ka vdekur në moshën 84 vjeçare. Nuk dihet ende shkaku i vdekjes së stilistit legjendar, i cili themeloi një nga markat më të shquara të këpucëve në Itali në 1968.

Ai u shtrua në spital Cesena për disa ditë dhe sipas burimeve ishte infektuar me koronavirus.

Shefi ekzekutiv i markës Riccardo Sciutto,  i cili ka qenë në kompani që nga prilli 2016, njoftoi lajmin tragjik mëngjesin e 3 prillit.

“Ai ishte udhëheqësi ynë shpirtëror dhe sot është më shumë se kurrë,”– tha Sciutto. “Kishte gjithmonë shije të mira. Nuk ishte asnjëherë i kënaqur me këpucët derisa të ishin perfekte.

Në nderim të tij, i biri Gianvito Rossi gjithashtu stilist këpucësh, ka bërë një dedikim prekës për të atin.

“Me zjarrin e pashuar të pasionit tënd, na mësove që nuk ka kufij për ata që dashurojnë atë që bëjnë. Mirupafshim mjeshtër!”, shkruan ai.

Sergio Rossi, i konsideruar një mjeshtër i vërtetë i këpucëve italiane, e nisi punën e tij në fillim të viteve ’50, në hapat e të atit që gjithashtu shquhej si një prodhues këpucësh në Cesena.

Këpucët për femra të Rossit, përfshirë sandalen e famshme Opanca, frymëzuan gjenerata të stilistëve të këpucëve, përfshirë djalin e tij, Gianvito Rossi, i cili punoi me babanë e tij derisa biznesi u shit në Gucci Group (tani Kering) në 1999.

Gianvito vazhdoi trashëgiminë familjare duke lëshuar markën e tij në 2007.

Këpucët e tij u përdorën nga stilistë të tillë si Azzedine Alaïa, Versace, dhe Dolce & Gabbana në koleksionet e tyre dhe janë veshur nga të famshëm duke filluar Lupita Nyong’o deri në Rihanna, Paris Hilton e Laura Dern.