
Kur një emër i madh i muzikës shqiptare mbetet i lidhur pothuajse vetëm me një këngë, sado e pavdekshme të jetë ajo, kemi të bëjmë me një paradoks të kujtesës kulturore. Publiku e përqafon veprën, e bën të vetën, e këndon brez pas brezi, por shpesh harron të njohë në tërësinë e vet artistin që e krijoi.
Nga Albert Vataj
Simon Gjoni ishte shumë më tepër se autori i melodisë së “Eja, eja luleborë”, me vargjet e poetit Zef Pali. Ai ishte një krijues me ndjeshmëri të veçantë melodike, një dirigjent me formim të kultivuar, një interpretues i muzikës së madhe dhe një pedagog që kontribuoi në përgatitjen e brezave të rinj të muzikantëve. Veprimtaria e tij shtrihet përtej këngës që u bë simbol i Shkodrës, ajo përfshin një krijimtari të pasur vokale, vepra instrumentale, valle simfonike dhe një angazhim të rëndësishëm në jetën muzikore shqiptare.
Kënga “Luleborë” është, pa dyshim, një nga dëshmitë më të bukura të talentit të tij. Por madhështia e një kompozitori nuk mund të matet vetëm me jetëgjatësinë e një melodie, as me famën që fiton një krijim i vetëm. Ajo duhet kërkuar edhe në arkitekturën e veprave të tjera, në dijen që mishëron muzika e tij, në aftësinë për ta ngritur frymëzimin e çastit në formë artistike dhe në gjurmën që lë te interpretuesit, studentët dhe vetë zhvillimi i kulturës muzikore.
Për këtë arsye, të flasësh për Simon Gjonin do të thotë të dalësh përtej magjisë së “Luleborës” dhe të hysh në një univers krijues ku lirizmi shkodran takohet me disiplinën e muzikës së kultivuar, ku ndjeshmëria popullore përpunohet përmes dijes muzikore dhe ku talenti individual merr përmasën e një kontributi kombëtar. Ai nuk ishte thjesht muzikanti që i dha Shkodrës një këngë të pavdekshme; ishte një prej atyre artistëve që ndihmuan të ndërtohej historia e muzikës shqiptare të shekullit XX.
Prandaj, “Eja, eja luleborë” duhet të jetë porta përmes së cilës hyjmë në botën e Simon Gjonit, jo kufiri brenda të cilit e mbyllim kujtimin e tij. Sepse një këngë mund ta bëjë një artist të pavdekshëm në zemrën e publikut, por vetëm njohja e tërë veprës së tij na lejon të kuptojmë përmasën e vërtetë të krijuesit.
Maestro që u lind dhe u përkund në shpirtin e një tradite
Më 28 tetor 1923, në Shkodër, qytetin që e ka ushqyer historikisht artin shqiptar me zëra, melodi dhe personalitete të shquara, lindi Simon Gjoni, një nga figurat e rëndësishme të muzikës shqiptare, dirigjent, kompozitor dhe pedagog, emri i të cilit mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me zhvillimin e traditës muzikore kombëtare dhe, veçanërisht, me pasurinë lirike të këngës qytetare shkodrane.

Në përvjetorin e lindjes së tij, kujtesa kulturore kthehet te kjo figurë që e jetoi muzikën si një thirrje të brendshme, si disiplinë krijuese dhe si një mënyrë për t’i dhënë shpirtit njerëzor trajtë tingullore. Simon Gjoni nuk ishte vetëm një interpretues i talentuar apo një krijues me ndjeshmëri të veçantë. Ai ishte një nga ata artistë që, përmes punës së palodhur, kulturës së gjerë dhe përkushtimit ndaj artit, kontribuoi në ndërtimin e një tradite muzikore të kultivuar, duke e lidhur frymën popullore me kërkesat e muzikës profesionale.
Siç shkruan Marjan Z. Shestani në librin “Shkodra, kontributet në traditat kulturore e artistike shqiptare”, Simon Gjoni ishte ndër dirigjentët e parë profesionistë të orkestrave simfonike shqiptare. Veprimtaria e tij përfshiu krijimtarinë muzikore, dirigjimin, pedagogjinë dhe interpretimin, ndërsa vepra e tij shtrihet në një hapësirë të gjerë zhanresh, nga muzika e dhomës dhe ajo orkestrale, te krijimet vokale e instrumentale, muzika e filmit, përpunimet e këngëve popullore, orkestracionet e veprave të kolegëve kompozitorë dhe muzika kishtare. Romancat, suitat, koncertet, fantazitë dhe simfonia e tij u bënë pjesë e trashëgimisë muzikore shqiptare, duke gjetur vend në repertorin e instrumentistëve, orkestrave dhe koreve.
Shkodra, djepi i një ndjeshmërie muzikore
Simon Gjoni u lind dhe u formua në një mjedis ku muzika ishte pjesë e jetës qytetare, ku kënga përshkonte familjet, oborret, rrugët dhe festat, ndërsa tradita kulturore përcillej si një trashëgimi e gjallë nga një brez te tjetri. Shkodra, ky djep i kulturës shqiptare, i dha atij jo vetëm mjedisin e parë të formimit, por edhe një mënyrë të veçantë të perceptimit shpirtëror të botës, një ndjeshmëri që më vonë do të bëhej e dallueshme në gjuhën e tij muzikore.
Ai kreu shkollën fillore dhe të mesme në Kolegjin Françeskan të Shkodrës. Që në fëmijëri u përfshi në veprimtaritë muzikore të shkollës, duke kënduar në grupin koral e duke u afruar më pas me instrumentin e trompës. Ishte gjithashtu pjesëtar i bandës muzikore të fëmijëve, ku u gjend përkrah emrave që do të bëheshin të njohur në muzikën shqiptare, si Tish Daija, Tonin Harapi dhe Çesk Zadeja, nën drejtimin e kompozitorit Prenkë Jakova
Këto përvoja të hershme nuk qenë thjesht ushtrime të një talenti në zbulim. Ato përbënin fillesat e një formimi që do ta çonte Simon Gjonin drejt një marrëdhënieje gjithnjë e më të thellë me muzikën: nga përvetësimi i gjuhës së saj, te kuptimi i strukturave, i harmonisë, i ritmit dhe i mundësive shprehëse të tingullit.

Pas përfundimit të gjimnazit, ai iu përkushtua një veprimtarie të dendur muzikore. Mori pjesë në formacione të ndryshme orkestrale e vokale, drejtoi ansamblin artistik të gjimnazit dhe u angazhua si drejtues i orkestrave pranë Radio Shkodrës. Pikërisht në këtë periudhë nis të shfaqet me më shumë qartësi edhe prirja e tij krijuese, e mbështetur në një ndjeshmëri të veçantë melodike dhe në një origjinalitet që do të merrte formë të plotë në këngën lirike shkodrane.
Vitet 1946–1947 shënojnë një periudhë të rëndësishme në zhvillimin e tij krijues. Në këtë kohë, talenti i Simon Gjonit fillon të shndërrohet në një zë të dallueshëm, në një individualitet artistik që do të gjente shprehjen më të dashur për publikun te melodia lirike, te kënga që flet me thjeshtësi, por mbart një botë të tërë ndjenjash.
Simon Gjoni dhe pavdekësia e këngës lirike shkodrane
Simon Gjoni i përket atyre krijuesve lirik, për të cilin Shkodra nuk shfaqet thjesht si vendlindje, por si një përvojë e brendshme, si kujtesë, si ndjenjë dhe si një mënyrë e veçantë e të dashuruarit, e të malluarit dhe e të jetuarit.
Këngë si “Luleborë”, “Sy laryshes”, “Pash sytë e tu si drita”, “Fyelli i çobanit” dhe “Nëna dhe çika” dëshmojnë aftësinë e tij për të gërshetuar melodinë e përpunuar me frymën e traditës popullore, për të krijuar një gjuhë muzikore që është njëherazi e kultivuar dhe e afërt me ndjeshmërinë e njerëzve. Këto krijime e pasuruan traditën e këngës qytetare shkodrane dhe u përhapën përtej kufijve të qytetit, duke u bërë pjesë e kujtesës muzikore shqiptare.
Në to, melodia nuk është thjesht një vijë tingujsh që shoqëron fjalën. Ajo është vazhdimi i saj emocional, ajo që e bën të dëgjueshme atë që nganjëherë nuk mund të thuhet. Poezia dhe muzika takohen në një hapësirë ku dashuria, malli, bukuria, përjetimi i natyrës dhe intimiteti njerëzor fitojnë një jetë të re. Kënga bëhet kështu një formë e kujtesës kolektive, një gjuhë që kapërcen brezat dhe ruan të gjallë identitetin shpirtëror të një qyteti.
Përhapja e këtyre këngëve dëshmon se Simon Gjoni dinte të prekte një tel të ndjeshëm të shpirtit njerëzor. Meloditë e tij u dëgjuan në shtëpi, në oborre, në mjedise familjare e shoqërore, në koncerte dhe në çdo hapësirë ku kënga ishte pjesë e jetës. Ato nuk mbetën pronë e një repertori artistik, por u kthyen në një përvojë të përbashkët, në një mënyrë për të shprehur atë që Shkodra kishte më të vetën: lirizmin, finesën, elegancën dhe ndjeshmërinë muzikore.
Pikërisht për këtë arsye, vlerësimi i kompozitorit të shquar Çesk Zadeja, i cili e cilësonte Simon Gjonin si “një model të papërsëritshëm në lirikën tonë”, merr kuptimin e një dëshmie të rëndësishme artistike. Nuk është vetëm një vlerësim për bukurinë e këngëve të tij, por edhe për individualitetin krijues që ai arriti të ndërtonte brenda një tradite të pasur dhe konkurruese.
Simon Gjoni nuk e shkëputi këngën nga rrënjët e saj. Përkundrazi, ai i dha asaj një përpunim të ri artistik, duke ruajtur natyrshmërinë e melodisë dhe duke e ngritur atë në një nivel më të kultivuar shprehjeje. Në këtë pikë qëndron një nga meritat e tij më të mëdha, aftësia për të qenë besnik ndaj traditës pa u bërë rob i saj, për të krijuar diçka të re pa humbur lidhjen me burimin popullor.
Formimi akademik dhe përvoja evropiane
Pas viteve të para të veprimtarisë muzikore në Shkodër, Simon Gjoni ndërmori një hap vendimtar në formimin e tij profesional. Në vitet 1952–1958 studioi në Akademinë e Lartë të Muzikës në Pragë, ku u specializua në dirigjimin simfonik, nën drejtimin e pedagogëve Václav Smetá?ek, R. Brook dhe A. Klíma, sipas të dhënave biografike të përcjella në burimin e cituar.

Studimet në një prej qendrave të rëndësishme të traditës muzikore evropiane i dhanë mundësinë të thellonte njohuritë mbi orkestrën simfonike, interpretimin e repertorit klasik dhe romantik, si dhe mbi marrëdhënien e ndërlikuar ndërmjet partiturës, dirigjentit dhe ekzekutimit kolektiv. Për një muzikant që vinte nga një mjedis me traditë të pasur, por me mundësi të kufizuara institucionale, ky formim përfaqësonte një zgjerim të rëndësishëm të horizontit kulturor dhe profesional.
Gjatë kësaj periudhe, Gjoni mori pjesë në veprimtari ndërkombëtare muzikore dhe drejtoi vepra të repertorit evropian. Në vitin 1956, në sallën M?stská knihovna të Pragës, interpretoi me orkestër vepra si Rosamunde e Franz Schubertit dhe Peer Gynt e Edvard Griegut. Në të njëjtën periudhë, drejtoi edhe Pygmalion të Ji?í Bendas. Në vitin 1957, në sallën D?m um?lc?, interpretoi Simfoninë koncertore për violinë dhe kontrabas të Karl Ditters von Dittersdorfit, si dhe poemën simfonike Les Préludes të Franz Lisztit.
Këto përvoja përbënin më shumë se një etapë studimore. Ato ishin pjesë e formimit të një dirigjenti që do të sillte në Shqipëri jo vetëm njohuri teknike, por edhe një kulturë të re pune, një koncept më të konsoliduar të disiplinës orkestrale dhe një përfytyrim më të gjerë për rolin e dirigjentit në jetën muzikore të një vendi.
Në vitin 1958, Simon Gjoni u kthye në atdhe me një formim të pasuruar, me libra, përvoja dhe një horizont të zgjeruar artistik. Kthimi i tij shënoi fillimin e një etape të rëndësishme në veprimtarinë muzikore shqiptare, veçanërisht në zhvillimin e orkestrave dhe të interpretimit të repertorit simfonik.
Dirigjenti që ndihmoi në ndërtimin e traditës simfonike shqiptare
Pas kthimit në Shqipëri, Simon Gjoni u emërua dirigjent në Teatrin e Operës dhe Baletit, në vitin 1958. Në këtë institucion, ai u angazhua në interpretimin e veprave të rëndësishme të repertorit operistik dhe baletor, duke kontribuuar në konsolidimin e praktikës profesionale të dirigjimit dhe në zgjerimin e përvojës së muzikantëve shqiptarë.
Nën drejtimin e tij, repertori përfshiu vepra të njohura si baletet “Lola dhe Laurencia”, si dhe operat “Don Pasquale”, “Berberi i Seviljes”, “Palaçot”, “Francesca da Rimini” dhe “Pranvera”. Interpretimi i këtyre veprave kërkonte njohuri të thella të partiturës, ndjeshmëri ndaj karakterit dramatik dhe aftësi për të bashkërenduar orkestrën me këngëtarët dhe elementet e tjera të shfaqjes.
Dirigjimi, në thelbin e tij, është një art i bashkërendimit. Dirigjenti nuk krijon vetëm përmes lëvizjes së duarve, por përmes aftësisë për të lexuar strukturën muzikore, për të kuptuar frymëmarrjen e veprës dhe për t’i dhënë secilit instrument vendin e vet në tërësinë interpretuese. Në këtë kuptim, veprimtaria e Simon Gjonit përfaqësonte një punë të rëndësishme profesionale në një kohë kur institucionet muzikore shqiptare po ndërtonin përvojën dhe identitetin e tyre.
Një tjetër fushë ku kontributi i tij pati rëndësi të veçantë ishte regjistrimi dhe transmetimi radiofonik i muzikës. Gjoni u angazhua në regjistrimin e krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë, ndër ta Çesk Zadeja, Tish Daija, Kristo Kono dhe autorë të tjerë të brezit të tij. Në këtë veprimtari përfshiheshin edhe operetat Lejlaja të Tish Daisë dhe Agimi të Kristo Konos, Koncerti për violinë i Pjetër Gacit, si dhe krijime për piano dhe orkestër të Tonin Harapit.
Regjistrimet radiofonike të asaj kohe kërkonin përgatitje të kujdesshme dhe përballje me vështirësi teknike, organizative dhe interpretuese. Duhej të bashkërendoheshin këngëtarët, kori, instrumentistët dhe kushtet e studios, në mënyrë që vepra të përcillej me cilësinë më të mirë të mundshme. Në këtë proces, puna e Simon Gjonit ndihmoi në ruajtjen dhe përhapjen e krijimtarisë shqiptare, duke i dhënë muzikës mundësinë të kapërcente kufijtë e sallës së koncertit dhe të mbërrinte në shtëpitë e publikut.
Ai drejtoi gjithashtu vepra të repertorit botëror, duke kontribuuar në njohjen dhe interpretimin e muzikës klasike në Shqipëri. Në repertorin e përmendur në shkrimet biografike për të përfshihen simfonia e tetë e Beethovenit, uvertura të Mendelssohnit dhe Weberit, si dhe vepra të Lisztit e Dvo?ákut. Këto interpretime përbënin pjesë të përpjekjeve për të zgjeruar horizontin e orkestrave shqiptare dhe për t’i afruar ato me kërkesat e repertorit ndërkombëtar.
Veçanërisht i rëndësishëm ishte angazhimi i tij në zhvillimin e orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar. Në një formacion ku përvoja profesionale ndërthurej me energjinë e studentëve dhe të instrumentistëve të rinj, Gjoni punoi për krijimin e një identiteti të qëndrueshëm interpretues. Disiplina, serioziteti dhe kërkesa artistike ishin pjesë e metodës së tij të punës, me synimin që orkestra të mos ishte thjesht një grup muzikantësh, por një trupë me vetëdije të përbashkët për tingullin, interpretimin dhe përgjegjësinë artistike.
Një krijimtari që bashkon muzikën e kultivuar me frymën popullore
Krijimtaria e Simon Gjonit përfshin zhanre dhe forma të ndryshme muzikore: këngë, romanca, duete, kantata, suita, poema simfonike, vepra instrumentale dhe kompozime për orkestër të madhe. Në këtë larmi krijuese, ai dëshmoi se ishte një muzikant që nuk kufizohej brenda një forme të vetme, por kërkonte mënyra të ndryshme për të shprehur përjetimin njerëzor dhe përvojën historike e kulturore të vendit.
Në maj të vitit 1960, kompozoi odën lirike “Pranvera jonë”, me tekst të Ismail Kadaresë, si dhe një suitë simfonike me katër kohë. Një vit më pas krijoi “Poemën e rapsodit”, për bas, violonçel dhe piano. Ballada “Lufton shqipja” u interpretua nga basi i njohur Lukë Kaçaj, ndërsa krijimtaria e tij vokale u pasurua edhe me duetin “Bjeshkëzo” dhe romancat lirike “I fola valës”, “O toka nanë” dhe “O bjeshkë, o male kreshnike”.
Në këto vepra ndihet lidhja e kompozitorit me peizazhin, kujtesën dhe shpirtin shqiptar. Natyra nuk shfaqet vetëm si sfond poetik, por si një burim emocionesh dhe imazhesh muzikore. Toka, mali, vala, bjeshka dhe figura e njeriut që jeton në marrëdhënie me to bëhen pjesë e një universi krijues ku përvoja individuale lidhet me përvojën kolektive.

Një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zënë vallet simfonike. Në vitin 1962, Simon Gjoni kompozoi vallen e tij të parë simfonike shqiptare, të cilën e pasuan edhe dhjetë të tjera. Në këto vepra, muzika popullore dhe ajo e kultivuar ndërthuren në një marrëdhënie krijuese, ku ritmet, motivet dhe energjia e traditës shqiptare përpunohen përmes mundësive shprehëse të orkestrës simfonike.
Vlera e këtyre kompozimeve qëndron edhe në individualitetin e secilës vepër. Ato nuk janë përsëritje të së njëjtës formulë, por përpjekje për të zbuluar mundësi të ndryshme të materialit muzikor shqiptar. Përmes orkestrimit, motiveve ritmike dhe zhvillimit melodik, Gjoni i dha traditës popullore një hapësirë të re interpretimi, duke e çuar përtej mjedisit të saj fillestar pa ia humbur karakterin.
Në krijimtarinë e tij simfonike, kompozitori trajtoi gjithashtu tema të lidhura me historinë, qëndresën dhe aspiratën për liri e pavarësi të popullit shqiptar. Kështu, muzika e tij nuk mbeti vetëm në hapësirën e lirizmit intim, por u shtri edhe drejt përjetimeve kolektive, duke kërkuar të shprehë përmes tingullit dramën historike dhe vullnetin për të ardhmen.
Pedagogu dhe formimi i brezave të rinj
Një nga dimensionet më të rëndësishme të veprimtarisë së Simon Gjonit ishte pedagogjia. Në vitin 1958, ai nisi të jepte mësim në Liceun Artistik të Tiranës, ndërsa më 1961 u bë pjesë e brezit të pedagogëve që kontribuuan në themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, së bashku me Çesk Zadenë, Tonin Guraziun, Ymer Skënderin dhe muzikantë të tjerë.
Në këtë institucion, ai dha lëndë që lidhen me intonacionin, polifoninë, dirigjimin dhe muzikën e dhomës. Përmes punës pedagogjike, përvoja e tij si kompozitor dhe dirigjent u shndërrua në dije të përcjellë te brezat e rinj. Ai nuk transmetonte vetëm njohuri teorike apo teknika interpretimi, por edhe një mënyrë të të kuptuarit të profesionit, si punë që kërkon përgatitje të vazhdueshme, disiplinë, përgjegjësi dhe ndershmëri artistike.
Formimi i një muzikanti nuk përfundon me zotërimin e instrumentit apo me njohjen e partiturës. Ai kërkon zhvillimin e dëgjimit, të ndjeshmërisë, të aftësisë për të bashkëpunuar dhe të vetëdijes se interpretimi është një akt krijues që mbart përgjegjësi ndaj veprës dhe publikut. Në këtë drejtim, përvoja e Simon Gjonit përbënte një pikë referimi për studentët që përgatiteshin të bëheshin instrumentistë, kompozitorë dhe dirigjentë.
Përkushtimi i tij pedagogjik vazhdoi deri në fund të jetës. Ai i përkiste asaj kategorie artistësh për të cilët puna nuk mbaron me krijimin e veprës vetjake, por vazhdon edhe në aftësinë për të përgatitur të tjerët, për t’u përcjellë dijen dhe për të ndihmuar në ngritjen e një kulture të qëndrueshme profesionale.
Për këtë arsye, trashëgimia e tij nuk duhet kërkuar vetëm në partiturat e kompozuara, në regjistrimet apo në koncertet e drejtuara. Ajo gjendet edhe te muzikantët që u formuan nën ndikimin e tij, te standardet profesionale që ai ndihmoi të konsolidoheshin dhe te vetëdija se muzika shqiptare mund të zhvillohej vetëm përmes një pune sistematike, të mbështetur në dije dhe përkushtim.
Një trashëgimi që vazhdon të jetojë
Gjatë veprimtarisë së tij artistike, Simon Gjoni u nderua me vlerësime dhe çmime të ndryshme, ndërsa iu dha edhe titulli “Artist i Merituar”. Megjithatë, përmasat e një krijuesi nuk maten vetëm me titujt që merr gjatë jetës. Ato maten edhe me jetëgjatësinë e veprës, me aftësinë e saj për të mbetur e pranishme në kujtesën e publikut dhe me ndikimin që ushtron te brezat që vijnë.
Simon Gjoni u nda nga jeta më 31 tetor 1991, por krijimtaria e tij vazhdon të jetë pjesë e trashëgimisë muzikore shqiptare. Këngët lirike që mbajnë vulën e individualitetit të tij, veprat simfonike, puna si dirigjent dhe kontributi pedagogjik përbëjnë pjesë të një pasurie që meriton të njihet, të studiohet dhe të përcillet te brezat e rinj.
Në ditëlindjen e tij, kujtimi i Simon Gjonit është një mundësi për të rikthyer vëmendjen te një artist që bashkoi në personalitetin e vet krijimtarinë, interpretimin dhe mësimdhënien. Ai ishte pjesë e një brezi muzikantësh që punuan për t’i dhënë muzikës shqiptare institucione, repertor, traditë profesionale dhe një zë të dallueshëm.
Shkodra e njeh te tingujt që i përkasin kujtesës së saj. Muzika shqiptare e njeh te përpjekjet për të ngritur nivelin e dirigjimit dhe të krijimtarisë simfonike. Ndërsa brezat e rinj mund ta njohin te shembulli i një artisti që e kuptoi se talenti bëhet vlerë e qëndrueshme vetëm kur mbështetet në punë, dije dhe përkushtim.
Simon Gjoni mbetet një emër që lidh Shkodrën me muzikën shqiptare, traditën lirike me kulturën simfonike dhe frymëzimin individual me kujtesën kolektive. Në këngët e tij, qyteti gjen një pjesë të shpirtit të vet; në veprat orkestrale, muzika shqiptare gjen një dëshmi të përpjekjeve për t’u zhvilluar e për t’u pasuruar; në punën e tij pedagogjike, arti gjen vazhdimësinë e vet.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron pavdekësia e një krijuesi: jo vetëm te ajo që ka shkruar, por te ajo që vazhdon të zgjojë te të tjerët. Melodia e mirë nuk i përket vetëm kohës kur u krijua. Ajo jeton sa herë që interpretohet, sa herë që dëgjohet dhe sa herë që një brez i ri e zbulon si të ishte duke e dëgjuar për herë të parë.
Në këtë kuptim, Simon Gjoni vazhdon të jetojë në pentagramin e muzikës shqiptare dhe në kujtesën e një publiku që, përmes këngëve të tij, vijon të dëgjojë jo vetëm muzikën, por edhe një pjesë të vetvetes.






