Bislim Ahmetaj: Unë e mbaj mend ditën kur e mësova që jam armik(!)

bislim ahmetaj

E kujtoj si sot ditën kur e mësova që jam armik. Ka qënë vjeshta e vitit 1977, saktësisht dita e diel e 16 Tetorit të atij viti. Atë ditë unë kam qënë 10 vjeç e dy muajsh, pa një ditë dhe pak orë. Sepse siç e kujton nana ime unë kam lindur me 17 Gusht të vitit 1967 rreth orës 10-të të mbrëmjes. 16 Tetori për ata që nuk e dinë ka qenë një datë shumë e rëndësishme për popullin shqiptarë të asaj kohe, ishte ditëlindja e Udhëheqësit të Madh. Viteve të fundit kjo datë-ditë ishte vendosur të përkujtohej nga i gjithë populli heroik, punëtor dhe vigjilent si ditë e solidaritetit me punën vullnetare, pra ishte shpallur ditë aksioni. I madh dhe i vogël që nga klasa e parë e arësimit fillor dhe deri tek pensionistët të cilët dilnin e pastronin oborret e pallateve dhe lulishtet e qyteteve, atë ditë festonin duke punuar. Në ndryshim nga ditët e tjera atë ditë normat rriteshin si për të treguar dashurinë pa kufi për Udhëheqësin e Madh.
Në vendlindjen time ajo perjudhë përkon me kohën e mbledhjes së gështenjave. Për lexuesin më duhet të tregoj se në Tropojë gjendet masivi më i madh në Ballkan me gështenja, dhuratë e Zotit për ata njerëz që nuk u pëlqen puna hiç. Bashkëvendasit e mi ma mirë bajnë tri trimni se prashisin një argat arë. Masivi i gështenjave kuptohet aso kohe ishte pronë e Udhëheqësit të Madh, si gjithçka tjetër në të katër anët e Atdheut të tkurrur prej miqve të tij, komshijtë tanë lakmiqar. Ai ishte pronar jo vetëm i pasurive  të vendit por edhe i ndërgjegjeve  dhe shpirtrave tanë.
E thashë pak më lartë që gështenjat mblidheshin me aksion. Atë ditë kur unë e mësova që jam armik isha në klasën e 4-t B dhe si gjithë populli ju kishim vjedhur qytetit që pa lindur akoma dielli dhe i ishim qepur pyllit me gështenja që nis me mbarimin e qytetit dhe zgjatet deri në majat që rrinë të bardha edhe në gusht të verës. Sipas moshave ndaheshin edhe zonat ku duhet t’i mblidhnim gështenjat për të nderuar ditëlindjen e Udhëheqësit të Madh, nxënësit e fillores ishin në pikat më të afërta të grumbullimit që për ne atë ditë ishte caktuar pika e parë poshtë fshatit Markaj që thirrej dhe thirret edhe sot e kësaj dite me një toponim sllav “Ulica”.
Në atë rrafsh të pjerrët dredhojnë tri rrugë që lidhin qytetin me fshatin Markaj dy janë këmbësore dhe ajo që sperdridhet si nëpërkë është rruga automobilistike . Unë nga natyra si kam përtuar punës asnjëherë cilado qoftë ajo. Këtë mund ta dëshmoj libreza ime e punës, një dokument ky, prapë për lexuesin e ri në moshë, I cili tregon se ku ke punuar dhe për sa kohë ke shërbyer në atë punë. Mjafton që të më shpërblej për aq sa i jap dhe kaq. Në atë kohë nuk kishte ndonjë përputhje të konceptit tim për punën por unë isha pajtuar me rregullat e shumicës. Në mes të Tetorit gështenjat në zonën për rreth qytetit dhe buzë fshatrave janë në mbarim e sipër, sepse ato fillojnë e piqen me breza që nisin nga 350-400 metër mbi nivelin e detit e sosin  në 800-900 metra në Qafe të Kolshit, te Lkeni i Ponarve, në Kobile, Bishevë, Berbat, Kërrnajë e Myhejan që janë  saktësisht zonat ku mbaron gështënja dhe nis ahu, pisha dhe më pas kullotat malore. Atë ditë kur unë e mora vesh që isha armik norma nga 4 kilogramë që e kishim pasur ditët e tjera  ne nxënësit e fillores ishte  ba 8 kilogram. Unë që e kisha shtëpinë buzë pyllit me gështenja dola herët dhe deri në orën 10.00 i kisha mbledhur dy kova të cilat më tregonin që e kisha ba dhe kaluar pak normën. Ndeza një zjarr të vogël u bashkova me nja dy a tre shokë të klasës dhe nisëm të hamë porogaça, si ju thërrasim ne gështenjave të pjekura dhe të qeruara. Kur erdhi ora 12.00 dhe po bëhëshim gati të shkonim  t’i dorëzonim gështenjat në pikën e grumbullimit në Ulica, aty ku na priste mësuesja jonë kujdestare, pash që  njëra kovë e gështenjave të mia kishte avulluar, ma kishin vjedhur bashkë me kovën. Hamendësuam me shokët e mi se kush mund ta kishte kryer këtë gjëmë. Si vumë dot emër veç jua lamë grave të fermës që ishin si tufa dhishë që kur kalonin ato s’gjeje më as gështenja, as dushk dhe asgjë tjetër që mund të kishe harruar apo humbur dikush në pyllin e gështenjave. U përpoqëm unë dhe tre shokët e mi ta plotësonim normën time, por ishte e kotë, asnjë kokërr gështenjë s’kishte mbetur më në tokë, për më tepër që asaj zonë ku ishim ne kishin kaluar gratë e fermës.
Ju afruam pikës së grumbullimit të gështenjave, tek unë s’qe e vështirë të dalloje që s’isha mirë. Tre shokët e mi i dorëzuan gështënjat. I dorëzova edhe unë dhe i thashë mësueses time që një kovë me gështenja ma kanë vjedhur gratë e fermës. Të tre shokët e mi pohuan njëzëri që ajo që thashë unë ishte krejtësisht e vertetë. Mësuesja jonë kujdestare u dukë qartë që nuk u bind as prej meje, as prej shokëve të mi. Atyre ju tha të largoheshin dhe të mos e mbronin fajtorin, ndërsa u ngritë në këmbë si një statujë, hipi mbi një thes me gështenja, rriti zërin që të dëgjohej prej të gjithëve, sikur po mbante një fjalim dhe në fakt , fjalim po mbante; Ti nuk e ke bërë normën me qëllim, sepse ti je nipi i ballistit, gjyshi yt ishte armik dhe partia ja dha në lulë të ballit, ti je armik, sabotator, ti çdo ditë e tejkalon normën sot që është ditëlindja e Udhëheqësit tonë të Madh,  jo vetëm që nuk e bën normën por akuzon edhe gratë e fermës për vjedhje.
Unë s’jam armik, unë s’jam nip ballisti, unë s’jam sabotator- dhe ja ktheva shpinën asaj, grumbullit të gështenjave dhe njerëzve të shumtë rreth tij me lot ndër sy. Ja dhashë vrapit pa e kthyer kryet mbrapa.
Pas shpinës time duke vrapuar dëgjova zërin e magazinjerit që i tha mësueses tonë kujdestare – I fole keq atij fëmije.
Vrapova duke qarë deri sa mbrrita në shpi. Unë isha i pari që kisha mbrritur, vetëm qaja por kisha filluar edhe të vrasë trurin pse isha armik, nip i kujt isha unë që isha armik. Gjyshin nga baba e kisha parë  në një marshim veteranësh me një shallë në qafë. Gjyshin nga nëna se kisha njohur as unë, as nëna ime. E dija që nuk jetonte, por se çfarë armiku do kishte qënë ai  se kisha vrarë ndonjëhërë mendjen. Dikur erdhi vëllai im i madh dhe më pyeti rrufeshëm -Kush të ka rrahur?
Ja tregova arsyen pse po qaja. – Karuc i vogël, pordhac, thashë mos të ka rrahë kush dhe do ja kisha thyer dhambët, mbylle gojën – dhe iku e më la duke qarë.
Vonë kur ishte ba natë mbrritën në shpi baba dhe nana. Jashtë kishtë filluar shiu dhe ata erdhën të lagur deri në të brendshmet e tyre. E mblodha vetën dhe e ndala vajin, po sytë e mi ishin ejtur dhe skuqur sa s’mund ta fshihnin vetën para askujt lere para nanës dhe babës.
Duke i hequr rrobat e lagura shtangën që të dy dhe me një gojë më pyetën – Ça ke, pse ke qajtë? Kush ta ka rreh? Jua tregova me detaje ç’më kishte ndodhur. Nanës i rrodhën dy lotë për faqe, ndërsa baba gjysëm i xhveshur më mori në krahë dhe më tha – Gjyshi yt jo që s’ka qenë armik, po ka qënë një nga burrat ma të mirë të Malësisë së Gjakovës. Mos u ba bythpamuk me qajtë kot. Mësuesen tënde e takoj unë që nesër pa dalë drita dhe ja them nja dy fjalë, ajo dhe askush në tokë nuk guxon me të lëndue ty kurrën e kurrës për çka ti s’ke asnji faj.

Rrallë më merrte im atë në krahë dhe u ndjeva aq mirë sa mu fshi gjithë mërzia dhe vaji i ditës.

Nuk e di se çka foli baba im me burrin e mësueset time veçse që të nesërmen dhe në vazhdim ajo nisi të sillej shumë mirë me mua ndërsa unë, keq e më keq me të. U ndamë shpejt pasi unë u hodha në tetëvjeçare dhe ajo mbeti në fillore…

Tiranë me 2 Prill 2020

ObserverKult