Lasgush Poradeci: “Shisja gazeta dhe më vinte inat kur më thërrisnin: Pëst! Pëst!”

“Lasgushi më ka thënë’, nga Petraq Kolevica

Atëherë shisja gazeta. Ngrihesha në orën dy e gjysmë, natën, dhe vija merrja 300 gazeta që mezi i shisja nëpër rrugë gjer në orën dhjetë. Isha student. Gjysmën e parave që fitoja nga shitja e gazetave e harxhoja për qiranë e asaj dhome ku flija. Shisja gazeta dhe më vinte inat kur më thërrisnin: Pëst! Pëst! ata që deshin gazetën, sa më cenonin dinjitetin tim.

Atëherë barkun e kisha bosh, po rrija i veshur elegant. Jepja dhe mësim privat në frëngjisht. I jepja çupës së një pasaniku grek. Një ditë, pas një muaji, ai më dërgoi një letër. Qirie Lasgush — më thosh — mos ejani më, se kam gjetur një mësues tjetër. Pastaj i dhashë mësim çupës së një pasaniku shqiptar.

Për këtë më ndihmoi Asdreni. Kur biseduam me atë pasanikun, më tha: zoti Lasgush juve do të hani bukë këtu, bashkë me ne. Mua më vinte rëndë, s’desha të ha bukë bashkë me ata dhe i thashë: Preferoj më mirë të më paguani. Mirë, më tha, si të doni. Milioner, ai!

Jepja mësim dy herë në ditë. Kur vija në mëngjes, ajo çupa ishte e veshur me fustan mëndafshi rozë. Kur vija pas dite, e gjeja të veshur me fustan mëndafshi bojë qielli me trëndafila. Kamarieri i shtëpisë më sillte një thelë bakllava të madhe. Unë isha barkbosh, po bakllavanë nuk e haja. Kam ngrënë i thosha. S’desha të ul dinjitetin tim, të dukesha si sahanlëpirës. Pastaj punova për të siguruar abonentë për gazetën e pronarëve urbanë.

Kjo ishte e vështirë, se do të vije në dhjetë shtëpi që të siguroje një abonent. Punova dhe me një karrocë, i hipur përmbi pirgim me fuçi me birrë që i shpërndanim nëpër pijetoret.’ Sa fuçi do sot, xha Sotir? Tre, Lasgush! I lija tre fuçi. Shkonim më tutje te tjetri; tjetri… Kështu për ditë. Me këto punë ushqehesha dhe vazhdoja universitetin.

Vazhdoja fakultetin e gjuhësisë dhe letërsisë; Fakultetin e teologjisë se desha të mësoj hebraishten, vazhdova tre vjet fakultetin e drejtësisë, fakultetin e mjekësisë për gjashtë muaj. Këtë fakultet e ndoqa dhe në Gratz. Vazhdova shkollën e lartë të muzikës dhe të teatrit. Akademinë e pikturës dhe Shkollën e lirë të pikturës. Akademia ishte shkollë shtetërore, kurse në shkollën e lirë të pikturës jepnin mësim vetë artistët e njohur. Çfarë nuk mësoja! Isha i uritur për të ngrënë, po isha shumë i uritur për kulturë.”

Lasgush Poradeci (Llazar Sotir Gusho)

Lasgush Poradeci e pati kulmin e krijimtarisë në mesin e viteve ‘30, të shekullit të shkuar, duke firmosur poezi nga ato që shkruhen vetëm njëherë.

Poezitë e tij “Vdekja e Nositit”, “Poradeci” apo “Trashëgimi” e ndonjë tjetër, për nga vlerat e mesazhi, i kapërcejnë lehtësisht kufijtë e Shqipërisë duke u renditur në nivele dinjitoze të letërsisë më të mirë evropiane apo qoftë botërore.

Por Lasgush Poradeci shkroi poezi deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe më tej u tërhoq. Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri kishte sjellë një klimë krejtësisht të papërshtatshme për poetin e madh.

Lasgush Poradeci, thellë në qenien e vet jetonte me një frikë e ankth i pazakontë.

Duke e lëvizur veten në drejtim të kundërt të rrymës, duke fshikulluar lart e poshtë çuditë e regjimit komunist, duke parë se si të njohur e miq përfundonin burgjeve nën akuzën e agjitacion – propagandës, duket edhe atë kishte nisur ta mundonte frika, një situatë së cilës ai i ishte përgjigjur me një zgjidhje eventuale dramatike.

Vaso Samsuri, një nga miqtë e tij të ngushtë rrëfen sesi poeti i madh mbante me vete një pilulë cianuri që ta përdorte për çdo rast për të helmuar veten, nëse policia politike e kohës do e arrestonte…

E përgatiti: A. S.- ObserverKult

———————–

Lexo edhe:


”OPPENHEIMER” FITON GOLDEN GLOBE, JA LISTA ME TË GJITHA ÇMIMET