Lidhja midis komunitetit shpërthyes në mishërimin e tij posaçërisht të lëngshëm modern dhe territorialitetit nuk është ndërkaq absolutisht e pallogaritshme dhe qartazi jo universale.
Shumica e komuniteteve shpërthyese bashëkohore janë bërë sipas përmasave të kohëve të lëngshme moderne, ndonëse përhapja e tyre mund të ravijëzohet territorialisht: ato janë, përpos çdo gjëje tjetër, jashtëterritoriale (dhe priren të jenë edhe më shumë të sukseshme sa më të lira të jenë prej shtrëngesave territoriale) – tamam si identitetet që ata namatisin dhe i mbajnë me zor gjallë, gjatë intervalit të shkurtër midis shpërthimit dhe asgjësimit.
Natyra e tyre ‘’shpërthyese’’ është në harmoni me identitetet e periudhës fluide-moderne: ngjajshëm me këto identitete, komunitetet në fjalë kanë prirjen të jenë të paqëndrueshme, kalimtare dhe të “vetëm një aspekti’’ apo të “vetëm një synimi’’.
Harku i tyre jetësor është i shkurtër dhe, në të njëjtën kohë, plot me fjalë pa kuptim. Ato marrin fuqi jo prej jetëgjatësisë së tyre të pritshme, por, paradoksalisht, prej paqëndrueshmërisë dhe të ardhmes së tyre të errët, prej vigjilencës dhe investimit emocional, që egzistenca e tyre e brishtë e kërkon me zë të lartë.
Termi ‘komunitet gardërobash’’ ngërthen mirë disa nga tiparet e tyre karakteristike. Vizitorët e një spektakli teatror vishen për rastin, duke njekur një kod veshjeje që është i ndryshëm nga ai që ndjekin përditë-akti që njëherësh e veçon vizitën si një‘”rast special’’ dhe që i bën vizitorët të duken, për aq sa zgjat ngjarja shumë më uniform sesa duken në jetën jashtë ndërtesës së teatrit.
Është shfaqja e mbrëmjes që i solli të gjithë ata këtu-sado të ndryshëm mund të kenë qenë interesat dhe qejfet e tyre gjatë ditës. Përpara se të hyjnë në sallë, ata lënë palltot apo xhaketat që kanë veshur në rrugë në gardërobën e teatrit (nga numërimi i grepave dhe kremastarëve të përdorur, dikush mund të marrë me mend se sa e mbushur është salla dhe se sa e sigurt është e adhmja e shfaqjes).
Gjatë shfaqjes sytë e të gjithë janë në skenë: po kështu dhe vëmendja e çdonjërit. Gëzimi dhe trishtimi, e qeshura dhe heshtja, duartrokitjet, britmat e miratimit dhe pasthirrmat e habisë sinkronizohen-thuajse sikur të jenë pjesë e skenarit dhe regjisë. Sidoqoftë, pas rënies së fundit të perdes, spektatorët marrin sendet që u përkasin nga gardëroba, dhe ndërsa veshin edhe njëherë rrobat e tyre të rrugës, kthehen sërish në jetën e tyre të zakonshme mondane dhe në rolet e ndryshme, duke u shkrirë vetëm pak momente më vonë me turmën e larmishme, që mbush rrugët e qytetit, nga e cila kishin dalë në sipërfaqe pak orë më parë.
Komunitetet e gardërobave kanë nevojë për një spektakël që zgjon interesa të ngjajshme që përndryshe janë të fjetura, në individë që janë krejt të pangjashëm dhe kështu t’i sjellë të gjithë së bashku për njëfarë kohe, ndërkohë që interesa të tjerë-interesa të cilët i ndajnë ata, në vend që t’i bashkojnë – lihen mënjanë, fashiten apo harrohen fare. Si raste të ekzistencës së shkurtër të një komuniteti gardërobash, spektaklet nuk shkrijnë dhe nuk përziejnë shqetësime indidviduale në “interesa të grupit’’: duke iu shtuar njëri-tjetrit, shqetësimet në fjalë nuk fitojnë ndonjë cilësi të re: dhe iluzioni i diçkaje të përbashkët që spektakli mund të gjenerojë, nuk ka për të zgjatur më shumë sesa ngazëllimi i shfaqjes.
Spektaklet kanë arritur të zëvëndësojnë ‘’kauzën e përbashkët’’ të epokës së modernitetit të rëndë/solide/hardware – gjë që përbën një ndryshim të madh për natyrën e identiteteve të –stilit – të ri dhe jep një kontribut të rëndësishëm në shpjegimin e tensioneve emocionale dhe traumave që gjenerojnë agresivitet, të cilat, herë pas here, shoqërojnë realizimin e tyre.
‘’Komunitetet karnavale’’ duket një tjetër emër i qëlluar për llojin e komuniteteve që po diskutohen. Të tilla komunitete, në fund të fundit, ofrojnë një lehtësim për përkohshëm prej agonisë së rropatjeve të vetmuara të përditshme, nga gjendja e lodhshme e individëve de jure të bindur apo të detyruar ta nxjerrin veten nga bataku i problemeve të tyre.
Komunitetet shpërthyese janë ngjarje që thyejnë monotoninë e vetmisë së përditshme dhe, njësoj si festat e karnavaleve, mundësojnë çlirimin e avullit nën presion dhe u lejojnë dëfryesve ta durojnë më mirë rutinën tek e cila u duhet të kthehen pasi mbaron argëtimi.
Dhe si filozofia në përsiatjet melankolike të Ludwig Wittgenstein-it, ato ‘’lënë çdo gjë ashtu siç ishte’’ (sigurisht, nëse dikush nuk numëron viktimat e plagosura dhe plagët morale të atyre që i shpëtuan fatit të ‘’viktimave anësore’’).
Komunitetet shpërthyese, qofshin ‘’gardërobë’’ apo ‘’karnavale’’, janë një përbërës aq i domosdoshëm për peisazhin e modernitetit të lëngët, sa edhe brenga vetmitare e individëve de jure dhe rrekjet e tyre të zellshme, por gjithsesi të kota, për t’u ngritur në nivelin e individëve de facto. Spektaklet, varëset dhe kremastarët në një gardërobë dhe festivalet e karnavaleve që tërheqin turmat janë të shumta e të larmishme, duke shërbyer kështu për çdo shije.
Më e mira e botëve haksleiane ka huazuar nga bota oruelliane e 1984-s stratagjemën e ‘’pesë minutave urrejtje (të kolektivizuar)’’. Çdo ditë shfaqet e para të gazetave dhe titujt kryesorë të lajmeve në televizione tundin një flamur të ri nën të cilin u dashka grumbulluar dhe marshuar sup më sup (virtualisht). Ata ofrojnë një ‘’qëllim të përbashkët’’ virtual përreth të cilët komunitetet virtuale të mund të lidhen, të shtyhen dhe të tërhiqen, herë njëra e herë tjetra, nga ndjenja e sinkronizuare panikut (ndonjëherë moral, por shumë më shpesh i llojit imoral dhe amoral)dhe ekstazës.
Një pasojë tjetër e komuniteve gardërobë / karnaval është se ato, efektivisht, mbajnë larg kondesimin e komuniteteve të ‘’mirëfillta’’, (fjala është për ato që janë gjithpërfshirëse dhe jetëgjata) komunitete të cilat ato i imitojnë dhe (duke mashtruar) premtojnë se do t’i riporodhojnë apo gjenerojnë prej fillimit.
Ndërsa, përkundrazi, ato shpërndajnë në vend që të kondensojnë energjinë e lirë të impulsive të shoqërizimit dhe kontribuojnë kështu në përjetësimin e vetmisë, që në mënyrë kaq të dëshpëruar, sërish më kot, kërkon shërim në sipërmarrjet kolektive të shestuara dhe harmonike, që janë kaq të rralla dhe kaq larg njëra-tjetrës.
Larg prej të qenit kurë për vuajtjet e lindura nga hendeku i madh dhe, mesa duket, i pakapërcyeshëm, midis fatit të individit de jure dhe përcaktimit të individit de facto, ato janë simptomat dhe ndonjëherë faktorët shkakorë të sëmundjes sociale specifike për gjendjen e modernitetit të lëngshëm.
Fragment nga libri “Moderniteti i lëngët” i Zygmunt Bauman, botoi Pika pa sipërfaqe
Përktheu nga origjinali Dritan Xhelo
ObserverKult