Biblioteka në Lezhë edhe në kohë karantine, gjen metoda të jetë pranë lexuesve

Edhe pse biblioteka “Gjergj Fishta” në Lezhë ka mbyllur dyert në zbatim të masave për mospërhapjen e COVID-19, lexuesit lezhjanë kanë akses në botimet e ndryshme që disponon kjo bibliotekë, nëpërmjet bibliotekës virtuale.

Së fundi asaj i janë shtuar edhe libra shumë interesantë, ku nuk mungojnë librat për fëmijë.

Nisma është ndërmarrë nga klubi letrar “Ndoc Gjetja” në bashkëpunim me bashkinë e Lezhës, për të qenë sa më pranë lexuesve në këtë periudhe karantine.

“Fillimisht kemi vendosur botimet e autorëve lezhjanë, por në ditët në vazhdim bibliotekën virtuale do ta pasurojmë dhe me botime të tjera. Kjo është një mënyrë e mirë për të qenë pranë lexuesve në këto ditë karantinimi që po kalojmë. Ishte një ide e jona që gjeti mbështetjen e bashkisë Lezhë dhe e realizuam me sukses. Biblioteka virtuale është vënë në funksion prej disa ditësh dhe do të vijojë të jetë aktive deri në tejkalimin e kësaj situate. Mjafton që të klikojnë faqen bashkia Lezhë dhe aty gjejnë bibliotekën virtuale, ku mund të kërkojnë botimin që dëshirojnë të lexojnë”, thotë Hekuran Koka, përfaqësues i Klubit letrar “Ndoc Gjetja” në Lezhë.