Ngjarje të rëndësishme historike të vendit janë përdorur në vite në prodhimin e kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare.
Banka e Shqipërisë publikoi sot foto të monedhës 1 Lek të vitit 1969, dizenjimi i së cilës përkujton 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut.
Monedha e përzgjedhur për të ilustruar këtë moment historik është pjesë e serisë së monedhave të emetuara në vitin 1969, përkujtimore dhe me kurs ligjor, me vlerë 1 Lek, 5, 10, 20 dhe 50 qindarka, shtypur në Kinë, me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.
Pjesa e përparme e monedhës paraqet gdhendjen e imazhit të skulpturës “Partizani Fitimtar”, realizuar nga Odhise Paskali dhe e vendosur në Mathauzen, Austri, në vitin 1968. Ndërkohë, pjesa e pasme e monedhës mban stemën e Republikës Popullore të Shqipërisë të rrethuar nga yje dhe vitet 1944-1969. /r.e/