Autor i më shumë se 40 veprave, Sabri Hamiti sot mbush 70 vjet.
Shkruan: Muhamet Hamiti
Bëhet këtu përpjekje për të përvijuar profilin e tij krijues, të shkrimtarit që ka fuqinë e madhe krijuese edhe sot, siç e dëshmon libri i tij më i ri poetik Kukuta e Sokratit (2018) me 70 poezi.
Në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes së Hamitit, që ka gjysmë shekulli pranie dhe njohjeje në skenën letrare, ky shkrim fokusohet te poezia dhe studimet e tij letrare, vlerat e tij kulmore në gjirin e letërsisë e të kulturës shqiptare.
Kanoni i veprës së Sabri Hamitit është i hapur.
Jeta, shkollimi, puna
Sabri Hamiti lindi më 10 maj 1950 në Dumnicë të Podujevës. Më 1968 mbaroi gjimnazin, nisi studimet dhe botimet letrare. Më 1972 diplomoi për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës; botoi përmbledhjen e parë të poezive, Njeriu vdes i ri.
Kreu studimet pasuniversitare për letërsi të përgjithshme në Zagreb më 1975. Për një vit akademik (1980-81) specializoi teorinë e formave letrare në École des Hautes Études en Sciences Sociales në Paris dhe mori Diplomën e Shkallës së Lartë për letërsi frënge e qytetërim frëng në Universitetin e Sorbonës. Doktoroi në letërsi shqipe në Prishtinë më 1987.
Në vitet 1973-1993 Hamiti punoi te “Rilindja“; 15 vjet redaktor në Shtëpinë Botuese. Nga viti 1993 është Profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 2008 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Sabri Hamiti ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në shtatë legjislatura (në vitet 1992-2017), një kohë nënkryetar i Kuvendit. Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2008.
Poeti
Që në rini, Sabri Hamiti shkroi poezi që dilte dukshëm jashtë kornizës së poezisë aktiviste shqiptare që kishte dominuar çerekun e shekullit mbas Luftës së Dytë Botërore, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Poezi lirike, metafizike. Ai na fton në përmbledhjet e veta me titujt që u ka vënë: Njeriu vdes i ri, 1972, Faqe e fund, 1973, dhe Thikë harrimi, 1975. Kjo e fundit e shpërblyer si libri më i mirë i vitit nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës (SHSHK). Njohje e risisë së saj, e veçantisë së saj.
(Le të përmendet, në parantezë, se për romanin e tij të vetëm, Njëqind vjet vetmi, Hamiti mori Shpërblimin vjetor për librin më të mirë të autorëve të rinj në ish-Jugosllavi në vitin 1976).
Në vitin 1979 Hamiti botoi librin Trungu ilir, që u bë libër kult për shpejt, i dashur dhe i lexuar. U njoh si ngjarje letrare e kulturore e vitit dhe krijoi bujë të madhe. Iu dhanë dy shpërblimet kryesore atë vit, i SHSHK-së dhe i “Rilindjes”. Libri ka njohur pesë botime në këto 40 vjet, me tirazhe mijëra kopjesh secili.
Trungu ilir, libër poetik vëllimor (171 faqe) në dy libra (pjesë), “Trungu” dhe “Koha”, të mëvetësishëm e të ndërlidhur njëherësh, ka pasur sukses edhe në një dramatizim në Teatrin e Kosovës, në regjinë e Agim Sopit. U shpërblye në një festival teatrosh në Sarajevë më 1981 para se ta përlante censura që e ndaloi shfaqjen në Prishtinë për shpejt, mbas Ngjarjeve të marsit të atij viti në Kosovë. Shfaqja dhe libri u sulmuan nga rrjeti i policisë letrare-politike të kohës në ish-Jugosllavi.
Në dy dekada Sabri Hamiti botoi përmbledhjet Leja e njohtimit 1985, 1985, Kaosmos, 1990, ABC: Albetare për fëmijë të rritur, 1994, Melankolia, 1999, dhe Sympathia: Testamente për Urtakun, 2004. Kaosmosi u shpërblye si libër i vitit nga “Rilindja”, ndërsa tre librat vijues nga SHSHK si librat më të mirë për vitet përkatëse.
Leja e njohtimit 1985, libër binjak me pararendësin Trungu ilir, përfshin edhe poemën dramatike Kutia e zezë, që do të luhet në Teatrin e Kosovës njëzet e sa vjet më vonë.
Kaosmos kap dramatikën e marshit barbar, temë universale e përthyer ndërmjetshëm në ambient kombëtar, ndërsa ABC-ja dëfton një katalog të dhembjeve etnike shqiptare. Melankolia, e botuar më 1999, në vitin e tragjedisë dhe të mrekullisë shqiptare të Kosovës, figuron pasojat e njeriut që kalon nëpër botën e egërsive, duke përfshirë ndeshjen me vdekjen. Edhe prej vetë shkrimtarit, që më 24 shtator 1998 mezi i kishte shpëtuar vdekjes pas atentatit që iu bë në Prishtinë.
Në ndërkohë, më 2002, në Prishtinë u botua vepra komplete e Sabri Hamitit në 10 vëllime; vepra e tridhjetë vjetëve.
Sympathia (2004) është libër që tematizon elementaritetin fizik dhe shpirtëror që dëfton frymë bashkëndjenjeje (sympathia e titullit).
Libri më i ri poetik i Hamitit, Kukuta e Sokratit, lirik e metafizik, u botua para një viti e gjysmë në Tiranë, në fund të vitit 2018. Mbas 14 vitesh prej kur kishte botuar librin pararendës, poeti riafirmon fuqinë krijuese, energjinë përtëritëse të poezisë së tij.
Kritiku, interpretuesi e poeticieni i letërsisë
Librat e Sabri Hamitit me studime dhe ese letrare Variante, 1974, Teksti i dramatizuar,1978, Arti i leximit, 1983, Vetëdija letrare, 1989 (libri më i mirë i vitit nga “Rilindja”), me ndikim të madh në studimet letrare shqiptare, dhe Letra shqipe, 1996, që lidhen nyje si “Sprova për një poetikë” 1-5, janë studime kritike e teorike të letërsisë shqipe të të gjitha periudhave, nga poetika e autorëve te poetika e periudhave dhe tutje te poetika e letërsisë shqipe. Dhe në fund të fundit poetika personale te Bioletra, 2000, e shfaqur si një teori e shkrimit dhe e leximit letrar.
Librat sistematizues për fenomene letrare e kufitare me letërsinë: Bioletra: një teori e shkrimit dhe e leximit (2000), Tematologjia (2005), Albanizma(2009), bëjnë trininë Poetika shqipe, siç është mbiquajtur në një botim tërësor të tre librave në vitin 2010. (Nderuar me Çmimin e Madh për Letërsinë për vitin 2010 nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.) Më tej, Utopia letrare(2013) studion veprat përfaqësuese utopike dhe distopike shqiptare në përqasje me letërsinë e përgjithshme utopike dhe distopike. Testamenti (2018), libri më i ri studimor i Hamitit, me ide e procedime letrare lidhet në një sistem me këta libra pararendës, siç e thotë edhe vetë autori.
Studiues i hershëm, ndoshta më i thelli, tash e 45 vjet, i poetit të madh Lasgush Poradeci, Hamiti ka botuar libra monografikë për Lasgushin, për Faik Konicën, Hivzi Sulejmanin, Bilal Xhaferrin, Nazmi Rrahmanin.
Sabri Hamiti ka botuar edhe libra të tjerë, libra monografikë për dy figura të mëdha kombëtare, shkrimtarë e misionarë: Presidenti Ibrahim Rugova: Memento për Rugovën(2007) dhe Zef Pllumi (2013), sikur edhe për shkrimtarin klasik Ndre Mjedja (2016) dhe shkrimtarin modern Anton Pashku (2017).
Sabri Hamiti shkrimtar – përgjithësime
Në letërsinë e vet dhe në shkrimet për letërsinë, Sabri Hamiti ka dëshmuar fuqitë shprehëse të shqipes, pjellorinë e invencionit verbal, dhe dijen e madhe. Figurimin në të dyja mënyrat e shkrimit. Edhe shkrimet e tij për letërsinë bëhen letërsi, qoftë kur interpretojnë, qoftë kur sistematizojnë.
Poezia e tij është një thesar i dëftimit të gjendjeve emocionale dhe intelektuale dhe i gjendjeve e i formave gjuhësore. Gjithsesi edhe i mjeshtërisë formale. Herë më e vështirë (test lakmusi i shkrimit të naltë, por edhe i lexuesit të kultivuar, se pa lexues poezi nuk ka, do të thoshte Borgesi), herë më lehtësisht e kuptueshme. Puna është si të bëhet poezia e qartë, pa e flijuar ndërliqësinë. Dhe Hamiti ia del në këtë ndërmarrje. I mbetet besnik sensibilitetit të vet.
‘Vështirësia’ është prej ngjeshjes (kompaktësisë), prej mënyrës si ndërlidhen fijet e shtresohen palët në hapësirë të vogël të poezisë. Sigurisht edhe prej ndërlojës së shtresave zanore e kuptimore, të referencave, por edhe të aluzioneve.
Në betejën e jetës të përthyer në letërsi, Sabri Hamiti ia del ta kondensojë realitetin në një poezi, në një strofë, në një frazë apo madje në një fjalë të vetme. Kjo fjalë bëhet ruajtëse e kujtesës epike. Ai di si të pajtojë temën epike të historisë me çastin lirik, të ngjeshë kohën epike në kohën lirike.
Te krijimtaria e Hamitit shpërfaqet natyra e ndryshme e letërsisë: në lirikë koncentrike, në dramatikë dialektike, në prozë lineare (terma të Helen Vendlerit, kritikes-intepretueses më të mirë të poezisë në Amerikë). Edhe poezia e tij e shkurtër ndonjëherë funksionon si dramë. Ai e nisi me poemë dramatike dhe shkroi tri drama (Futa, 1988, Misioni, 1997, Pasioni, 2018; e luajtur, por ende e pabotuar) me inde poetike. Pasioni një dramë kujtese.
Struktura dhe gjuha e poezisë së Sabri Hamitit mbajnë peshën emocionale, ruajnë kujtesën personale; edhe topikën e vendit. Gjuha e tij është intime dhe impersonale, besnike ndaj vetes, e besueshme dhe e vërtetë për të tjerët. Ai freskon gjuhën arkaike, ripërtërin fuqinë e dialektit, për ta bërë poezi. Lëndën e parë e kthen në krijim që jep kënaqësi estetike dhe intelektuale. Fjala që vjen e vetme si grimcë bëhet valë në ndërveprim me të tjerat, në frazë, në varg, apo në strofë.
Paleta gjuhësore e poezisë së tij është pasuruar vazhdimisht. Fjala e duhur kërkohet e nderohet prej Hamitit.
Ai është mjeshtër i formës, të cilën s’e bën assesi uniformë, siç e bëjnë poetët kur u shterr fuqia e invencioni krijues ose u humb apetiti për poezi.
Sabri Hamiti e di se shkrimtari traditën nuk e trashëgon, por e fiton (merr) me punë, me lexime e rilexime. Tradita është e gjallë, organike, siç e ka dëshmuar T. S. Eliot, poet dhe studiues i letërsisë, në eseun e vet “Tradita dhe talenti individual“ para njëqind vjetësh.
Poezia e Sabri Hamitit është në dialog me poezinë e kaluar, me trashëgiminë, si kombëtare ashtu edhe botërore. Ai bëhet poet me kujtesën kulturore e historike të dijetarit.
Hamiti ka ruajtur impulsin lirik. Muza është pjekur me poetin, ende në kërkim të jetës së fshehtë të gjuhës. Kumbimet e jetës e zërat e dijes orkestrohen në poezinë e tij.
Gjithë letërsinë e tij e lidh fuqia e tij e figurimit në poezi, në prozë e në dramë, por edhe në studimet letrare.
Parashtresat e gjera sintetike për letërsinë e bëjnë Sabri Hamitin mendimtar. Mirëpo kjo nuk e pengon të jetë interpretues e kritik para së gjithash. Interpretues ka shumë, të mirë ka pak. Dijetarët janë të rrallë.
Sabri Hamiti nuk i nënshtrohet asnjë teorie, asnjë metode studimi, ndonëse i ka studiuar rrënjësisht dhe i njeh mirë. Nëse ka një metodë, ajo është metoda e tij, vetanake. Në kohën kur Teoria (me germë të madhe!) ka zëvendësuar studimin e letërsisë në Perëndim në dekadat e mbrama të shekullit XX, Hamiti i ka mbetur besnik të dytës, studimit, kritikës, interpretimit, atëherë e tani. Gërshetimi i kritikës me interpretimin, puna e ngulmët me tekstin që analizon, është kredoja e tij si studiues letërsie. Natyrisht, ai vetë, bashkë me kolegë të tij në Prishtinë, ka bërë punë të madhe për rimarrje të fijeve të këputura të letërsisë shqiptare, mbasi dogma e Realizmit Socialist në Shqipëri kishte shkretuar letërsinë dhe studimet për letërsi atje; kishte gjymtuar Historinë e Letërsisë Shqipe.
Edhe kur duket se thotë fjalën e mbramë për ndonjë autor, vepër, apo fenomen letrar, Sabri Hamiti nuk vë pikë. Mbetet aty, nëse edhe të tjerët e lënë aty.
Shkruan bukur, hirshëm për letërsinë.
Sabri Hamiti është kuptues i letërsisë, përdallues i të veçantave dhe i përhershmërive. Këtë kuptim të letërsisë ai e ka vënë në punë jo vetëm në fushën dijetare/studimore, por edhe në veprimtarinë pedagogjike, si profesor e autor librash për mësim të letërsisë tash e një çerek shekulli.
Si anëtar i Komisionit Kombëtar punoi më 1995, në kohën kur Kosova ishte nën okupim, për njësimin e programeve shkollore të lëndëve nacionale dhe për hartimin e teksteve të përbashkëta për të gjitha shkollat shqipe në Kosovë e në Shqipëri.
Për veprën e tij, për letërsi e veprimtari kombëtare, Sabri Hamiti është dekoruar me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit” nga Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova më 2003. Në 60-vjetorin e lindjes, më 2010, Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi i ka akorduar “Urdhrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Po atë vit, Hamiti mori Çmimin kombëtar “Azem Shkreli”, për vepër jetësore në fushën e letërsisë, nga Ministria e Kulturës e Kosovës.
Jeta e njeriut dhe e shkrimtarit Sabri Hamiti është dëshmi se jeta e njeriut të dijshëm e të ndjeshëm është vetëflijim i vazhdueshëm. Sabri Hamitit është dëshmi për jetën e jetuar e të përmbushur me pasion e moralitet.
Më lejohet ta përmbyll këtë profil me një urim personal: Urime ditëlindjen e 70-të, Sabri! I bëfsh 100 vjet! Ta shohësh jetën e katër brezave, siç e thua në këtë poezi të para 35 vjetëve:
Sabri Hamiti
1985
Ky vit është i Mes-Jetës sime
do t’i kem dy më shumë se 33
e shumë më pak se njëqind
Duhet të shërohem nga mëkati
i jetës së gjatë mbi masën
Si prind nuk dua të shoh më
si vdesin fëmijët e bukur
të prindërve qyqana të vetmuar
Me dy këmbët po hyj në pleqëri
Ky vit është i Mes-Jetës sime
m’i sjell paturpshëm llogaritë
e dashurive urrejtjeve humbjeve
Kush e do jetën edhe në vazhdim
i duhen së paku njëqind vjet
të shohë jetën e katër brezave
Të shohë të mundohet të durojë
Viti 1985 vjen mbas vitit 1984
(Nga Leja e njohtimit 1985, Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 93)