Në librin “Një antologji e vogël e vdekjes”, Stefan Çapaliku trajton temën e vdekjes, duke i përplasur mendimet e Epikurit me ato të Tolstoit dhe duke e shikuar vdekjen si një fenomen kundrejt të cilit na mungon përvoja personale, por jo edhe qëndrimi. Këtu flitet për vdekjen si mister dhe varrezën si “parking”, për vdekjen në kulturën shqiptare dhe “nekropolin” e Rrmajit në Shkodër. Ndërsa, pjesa tjetër e këtij libri është antologji e teksteve mbi vdekjen (Mjeda, Fishta, Migjeni, Pipa, Camaj etj.), ku përfshihet edhe një rrëfim (nga libri në dorëshkrim) i Primo Shllakut për aktoren e parë shqiptare që pati guximin të luante në teatër, në fillim të shekullit XX, por e cila pastaj pati një fat tragjik, pasi shoqëria (patriarkale) nuk e pranoi në gjirin e saj atë femër “të përdalë”, e cila, pastaj, për të siguruar ekzistencën e saj, u kthye në prostitutë.
Në librin “Një antologji e vogël e jetës”, Stefan Çapaliku studion dhe selekton barceletat (italisht: barzelletta), apo vicat (gjermanisht: witz), duke i dhënë studimit herë notë humoristike (njërin në Shkodër e kishin rreh pse e kishte treguar dy herë të njëjtën barceletë), herë polemike (reagim ndaj konstatimit të antropologes Shannon Woodcock, e cila kishte studiuar barceletat e diktaturës, nëpër vende të ndryshme dhe kishte kontstatuar, pas hulumtimit, se në Shqipëri nuk kishte barceleta që tallnin diktaturën, apo diktatorin), herë vlerë dokumentare (Stefani skanon disa dokumente arkivore, me data, nënshkrime dhe vula, ku tregohet për gjuetinë ndaj atyre që tregonin barceleta “me përmbajtje armiqësore”. Një nga barceletat që gjendet në dokumentin sekret të datës 1. 7. 1987, ka këtë përmbajtje: “Kur vdiq Enver Hoxha, u vendos të ngriheshin buste për nder të tij. Një bust do të ngrihej në Gjirokastër, një në Korçë dhe një në Shkodër. Për këtë, skulptorët filluan të merrnin mendimin e njerëzve. Kur pyetën gjirokastritët, thanë bëjeni prej floriri se flori ka qenë; kur i pyetën korçarët, ata u përgjigjen: bëjeni të madh se i madh ka qenë; kur i pyetën shkodranët ‘po ju si e doni?’, ata i thanë: bëjeni si të doni, veç të gjallë jo.”
Përveç studimit, autori ka përzgjedhur edhe shumë barceleta dhe ka bërë një antologji të vogël, qoftë me barceleta tipike shkodrane, qoftë me të tjera që kanë “subjekte shtegtuese” (që gjenden edhe ne vende të tjera, por që ambientohen varësisht ku tregohen).
Këta dy libra (që i gjeni në Shqipëri dhe Kosovë) jua sugjeroj që ta kaloni kohën e izolimit duke reflektuar për të qarët dhe të qeshurit. Siç do të thoshte Aristoteli, së pari le ta lexojmë tragjedinë (vdekjen, të qarët), pastaj komedinë (jetën, të qeshurit). Librat i botoi Shtëpia Botuese “Gjergj Fishta”. /ObserverKult