
Nga diskutimi me autorin
Nga Gjovana Gjergji
“Parku i bletëve”, libri më i ri i shkrimtarit Flori Kasaj, është një aventurë edukative për fëmijë, e shkruar katër vite më parë, pas një përvoje që lidhet me kosheret e bletëve në parkun e Tropojës. Gjatë kësaj periudhe, vepra kaloi nëpër një proces të gjatë krijues, me rishikime dhe përkushtim ndaj detajeve të rrëfimit. Në këtë proces, një rol të rëndësishëm ka pasur bashkëpunimi me redaktorin letrar, gjuhësor e shkencor, si dhe puna me ilustratorin për paraqitjen grafike të librit.
Rrëfimin e udhëheqin dy personazhe të personifikuara, Lola dhe Lela, të cilat e shndërrojnë botën e bletëve në një hapësirë plot jetë, mistere dhe zbulime. Përmes aventurave të tyre, fëmijët hyjnë në një univers ku imagjinata kapërcen kufijtë e së zakonshmes dhe çdo përvojë kthehet në një mundësi të re për të mësuar. Lola dhe Lela nuk janë thjesht udhërrëfyese në këtë udhëtim, por edhe shoqe të lexuesve të vegjël, duke i nxitur ata ta vështrojnë me kureshtje botën që i rrethon.
Lidhja me një park të vërtetë në Tropojë i jep librit një pikënisje konkrete, prej së cilës autori ndërton një univers fantastik, ku realiteti ndërthuret me imagjinatën letrare dhe kopsitet me fakte shkencore. Megjithatë, rruga drejt përfundimit të veprës ka qenë e gjatë. Ideja fillestare u zhvillua dhe u pasurua gradualisht, derisa, libri mori trajtën përfundimtare. Ky proces tregon se krijimtaria kërkon kohë, këmbëngulje dhe përkushtim për ta shndërruar një ide në një libër të botuar.
Në këtë libër, fantazia nuk shërben vetëm për të argëtuar. Ajo hap një dritare drejt natyrës, nxit kureshtjen dhe i ndihmon fëmijët të zbulojnë rëndësinë e botës së gjallë. Përmes elementeve fantastiko-shkencore dhe aventurave të dy protagonisteve, autori ndërthur lojën me imagjinatën dhe dijen. Bota e bletëve, shpesh e vështruar vetëm në përmasat e saj të vogla, shndërrohet në një univers që meriton të eksplorohet.
Lola dhe Lela i japin kësaj bote zë, karakter dhe lëvizje. Përmes tyre, lexuesit e vegjël mund të përjetojnë emocione, të ndjekin të papriturat e udhëtimit dhe të kuptojnë se edhe gjërat më të vogla mund të fshehin histori të jashtëzakonshme.
Me këtë botim, Flori Kasaj sjell një rrëfim që ndërthur imagjinatën, aventurën dhe njohuritë për natyrën, duke e kthyer botën e bletëve në një hapësirë zbulimi për lexuesit e vegjël. “Parku i bletëve” i tërheq fëmijët të ëndërrojnë, të zbulojnë dhe ta shohin natyrën me më shumë vëmendje e kureshtje, duke u treguar se edhe një vend i zakonshëm mund të bëhet porta drejt një aventure të jashtëzakonshme.
Një vlerë e shtuar e librit është edhe pjesa përmbyllëse, e cila e pasuron përvojën e leximit. Krahas një fjalori të pasur dhe të kuptueshëm për fëmijët, libri përmban një fjalorth shpjegues të fjalëve të reja, pyetje mbi faktet shkencore të trajtuara në rrëfim dhe ushtrimin zbavitës ‘Gjej fjalën’, që nxit përqendrimin dhe zhdërvjelltësinë e të menduarit. Në fund, rubrika ‘Përgjigje dhe kureshti’ u jep fëmijëve mundësinë të verifikojnë përgjigjet dhe të zbulojnë fakte të tjera interesante, duke e kthyer leximin në një përvojë sa argëtuese, aq edhe mësimdhënëse.
Rrugëtim të mbarë librit “Parku i bletëve”!
Tiranë, 13 tetor 2026
ObserverKult


———–
Lexo edhe:






