Drita e projektorit që pasqyrohet mbi pëlhurën e bardhë i bën ballë errësirës. Zëri nga altoparlantët triumfon mbi qetësinë ekzistuese midis ndërtesave shumëbanesore në lagjen “Bazhdarhane” të Prizrenit. Kjo hapësirë publike, të mërkurën mbrëma, është transformuar në kinema të hapur.
Për shkak të pandemisë COVID-19 dhe rekomandimeve të institucioneve për qëndrim në shtëpi, banorët e kësaj ane janë ftuar nga “DokuFesti” si organizator, që filmat e projektuar t’i shikojnë nga ballkonet e tyre. Ndërkaq në ekran është shfaqur filmi “Ballkoni”, i regjisores kosovare Lendita Zeqiraj. Para tij është projektuar filmi “Kapma dorën” i regjisorëve të rinj Andi Bilibani, Elhame Kastrati dhe Fatlinda Daku.
Pos audiencës nga ballkonet e dritaret e banesave, disa sish kanë vendosur që të dalin në park për t’i ndjekur nga afër filmat. Në mesin e publikut që i ka shikuar këta filma ka qenë edhe Ares Shporta nga Rrjeti i Organizatave të Kulturës, i cili me ironi ka shprehur kënaqësinë për “festimin” e muajit të dytë të izolimit, duke dalë në një aktivitet publik kulturor që zhvillohet në hapësirë fizike dhe jo atë digjitale.
“Ke kënaqësi me pa filmin ‘Ballkoni’ të Lendita Zeqirajt edhe me i pa kolegët nga ‘DokuFesti’, por edhe fëmijët e mëhallës, e njerëz të moshave të ndryshme që shprehën interesimin dhe sadopak patën qasje në jetë kulturore. Kështu që ishte një natë e këndshme për mua”, ka thënë Shporta pas përfundimit të programit.
Shfaqja e filmave në këtë mënyrë, sipas drejtorit artistik të “DokuFestit”, Veton Nurkollari, është pjesë e programit “Doku n’ballkon”, që ka për qëllim t’ua përkujtojë qytetarëve të Prizrenit që në këtë kohë pandemie të kujdesen për shëndetin e tyre, duke mbajtur distancën fizike.
“Ne e menduam si një aktivitet ku njerëzit mund të qëndrojnë në ballkone dhe mos të dalin, e ne t’ju vijmë e t’ju shfaqim disa filma nga arkiva e festivalit. Menduam që të endemi nëpër disa lagje të Prizrenit, në këtë kohë prej orës 20:30 deri në 21:00, t’i ftojmë qytetarët të rrinë, t’i respektojnë këshillat dhe rregullat e ne t’ju mundësojmë që pavarësisht që nuk mund të dalin, që të jenë në gjendje të shikojnë filma. Kjo është një ide modeste, por gjendja është e jashtëzakonshme, edhe po provojmë me u përshtat”, ka deklaruar Nurkollari./koha