Shumica e njerëzve kur shkruajnë ulen në karrike para tavolinës ose shkruajnë me laptopin në prehër, ulur në divan. Por shkrimtarët nuk janë si shumica e njerëzve. Historitë që lexojmë janë frymëzuar edhe nga mjedisi rrethues. Shumë shkrimtarë të mëdhenj e gjenin frymëzimin ulur në tryezën e tyre të punës, të tjerë jo. Disa nga romanet dhe poezitë që lexojmë me endje sot janë shkruar në vende që nuk do t’ju shkonin në mendje.
George Bernard Shaw, librin “Pigmaljoni” e shkroi në një kolibe me rrota në kopshtin e tij: Në fakt, Shaw shkroi një pjesë të mirë të veprave të tij pikërisht në këtë vend. Atij i pëlqente të shkruante në dritën e diellit, kështu që ndërtoi këtë vend pune që mund ta manovronte manualisht nga brenda në mënyrë që të ndiqte rrugën e rrezeve të diellit.
Dame Edith Sitwell “Poezi” e shkroi në arkivol: Poetja dhe kritikja britanike Edith Sitwel (1887-1964) kishte një ritual para se të merrte përpara laps e letër. Ajo shtrihej, jo në shtrat apo kolltuk, por në një arkivol të hapur. Pikërisht në atë kuti të tmerrshme për shumëkënd ajo gjente frymëzim për poezitë e saj.
William Faulkner “Në shtratin e vdekjes” e shkroi në TEC: (Faulkner 1897-1962), shkrimtar amerikan, fitues i çmimit Nobel në Letërsi, kishte një mendje të jashtëzakonshme, por jo pa të meta. Duke qenë i paaftë të mbante një punë për një kohë të gjatë për shkak të problemeve me alkoolin, Faulkner u detyrua për një kohë të punonte gjatë natës në një impiant energjetik, pasi e kishin detyruar të jepte dorëheqjen nga Universiteti i Misisipit. Pikërisht gjatë turneve të natës në TEC ai shkroi romanin “Në shtratin e vdekjes”.
Sir Walter Scott poemën “Marmion” e shkroi mbi kalë: Shkrimtari dhe historiani skocez, Sir Walter Scott, i konsideruar si babai i romanit historik, e shkroi poemën “Marmion” mbi shpinën e një kali, ndërsa shëtiste kodrat pranë Edinburgut. Vetë Skot ka thënë se e ka shijuar shumë punën me këtë poemë./(Elona Qose)