Orhan Pamuk: I njoh shumë mirë gratë…

orhan pamuk

Fragment i shkëputur nga romani “Unë jam e kuqja” të autorit Orhan Pamuk

Më thonë se ti rapsod Efendi mund të imitosh çdo gjë, por kurrsesi s’mund të imitosh një grua!
Ndërsa unë po ju deklaroj krejt të kundërtën. Po, po, është e vërtetë se meqenëse tregojmë histori duke shëtitur qytet me qytet dhe duke imituar çdo gjë derisa na merret zëri nëpër kafene, nëpër argëtime dhe dasma deri pas mesnate, nuk kemi patur rastin të martohemi. Por kjo nuk do të thotë që nuk i njohim gratë.

I njoh shumë mirë gratë: madje me katër prej tyre jam takuar personalisht, ua kam parë fytyrat dhe kam biseduar. Këto janë:
1.E ndjera mamaja ime. 2. E dashura tezja ime. 3. Nusja e vëllait tim të madh që më rrihte gjithmonë dhe sa herë që më shihte me thoshte: “Dil nga dhoma” (Në fillim rashë në dashuri me të). 4. Gruaja që pashë një çast të vetëm në dritare gjatë një shëtijeje që po bëja në qytetin e Konyas. Megjithëse nuk ndërrova asnjë fjalë, për vite të tëra kam provuar dhe vazhdoj të provoj  një lloj epshi për të. Ndoshta ajo tani s’jeton më.

  Meqenëse të parit e një gruaje fytyrëzbuluar dhe të qenit dëshmitar i pamjes së saj njerëzore, ngjall te ne burrat ndjenja epshi edhe dhimbje të thella shpirtërore, ashtu siç urdhëron edhe feja jonë, gratë, sidomos ato që janë të bukura, është më mirë të mos i shohësh para martese. E vetmja zgjidhje për të shuar epshet është shoqëria me djelmoshat bukuroshë, që nuk u lenë gjë  mangut grave dhe së fundi kjo kthehet në një ves të këndshëm.

Gratë në qytetet frënge bredhin jo vetem duke zbuluar fytyrën, por edhe flokët e shndritshëm, që janë gjëja më tërheqëse e tyre, qafën, krahët, gjerdanët e hijshëm, madje nëse janë të vërtetë ato që fliten, lënë pa mbuluar edhe një pjesë të këmbëve. Kjo është arsyeja pse burrat e tyre ecin gjithmonë me vështirësi, të mbuluar nga turpi dhe dhimbja, me pjesën e përparme të ngritur përpjetë, dhe kjo sigurisht e ka paralizuar shoqërinë. Ky është edhe shkaku që  kaurët frëng po humbin çdo ditë nga një fortesë përballë osmanëve.

Sapo e kuptova në rininë time të hershme se të jetuarit larg grave të bukura, është rruga me e drejtë për lumturinë dhe qetësinë e shpirtit tim, nisa të bëhesha edhe më tepër kurreshtar për gratë. Në ato kohëra meqenëse nuk kisha parë akoma asnjë grua tjetër përveç  sime mëje dhe tezës, kurreshtja ime kishte më tepër ngjyrime mistike. Më dukej sikur më mpihej koka dhe për të kuptuar se ç’ndjenin ato, nisa të veproj siç vepronin ato, të haja si ato, të përsërisja fjalët e tyre, t’i imitoja dhe të provoja veshjet e tyre. Kështu kur një të premte nëna, babai, vëllai im i madh, tezja, të gjithë së bashku shkuan në kopshtin e trndafilave të gjyshit tim në breg te Fahrengut, u thashë se isha shumë i sëmurë, dhe ndenja në shtëpi.

 -Eja, shiko qentë, pemët, kuajt në livadh, imitoji dhe na bëj për të qeshur. Çfarë do të bësh i vetëm në, shtëpi? -më tha e ndjera mama.
   Nuk munda t’i përgjigjem: -Do të vesh rrobet e tua dhe do të bëhem grua, e dashur mama, por i thashë vetëm: -Më dhemb barku.
 -Mos u bëj tuts, – më tha babai -Eja, bëjmë mundje.

 Tani vëllezër miniaturistë dhe kaligrafë, do t’ju tregoj se çfarë ndjeva teksa provoja një nga një rrobet dhe veshjet e brendshme të tezes dhe të ndjeres  mamasë sime, pasi ata ikën. Do t’ju tregoj të fshehtat e të qenit grua, që i zbulova atë ditë. Fillimisht po nxitoj t’ju them: Ndryshe nga sa kemi lexuar shumë herë nëpër libra apo kemi dëgjuar nga predikuesit, kur njeriu është grua, s’e ndien veten si djall. Krejt e kundërta: Kur vesha  mbathjet e leshta të qëndisura me trëndafile të së ndjerës nënës sime, në trup m’u përhap një ndjenjë mirësie, e ndieva veten të brishtë si ajo.

Kur këmisha e gjelbër prej mëndafshi që tezja ime  e vishte shumë rrallë preku lëkurën time të lakuriqtë në shpirt ndieva një dashuri të madhe për të gjithë fëmijët, madje edhe për vetveten. Kisha një dëshirë të çmendur të gatuaja për mbarë  botën dhe t’u jepja për të pirë qumësht të gjithëve. Pasi e kuptova pak a shumë sesi mund të ndjehesha po të kisha gjinj, ajo për të cilën kisha më tepër kureshtje, ishte sesi ndjehej një grua gjoks-madhe, prandaj për ta zbuluar këtë, ngjesha një tufë rreckash -çorape, peshqirë- dhe kur pashë atë masë të stërmadhe, po, është  e vërtetë m’u duk vetja krenar si një djall.

Kur e kuptova menjëherë se burrat do të vraponin pas tyre edhe po t’i shihnin vetëm hijen, do të luteshin e do të përpëliteshin që t’i thithnin, e ndjeva veten shumë të fuqishëm, por a dëshiroja të isha i tillë?


Kokën e kisha lëmsh: Dëshiroja të isha i fuqishëm, por dëshiroja edhe të më mëshironin; dëshiroja të më dashuronte një burrë i fortë, i mençur dhe i pasur që s’e njihja, por edhe kisha frikë nga ai. Vura byzylykët e artë me spërdredhje që mamaja i kishte fshehur brenda çorapeve të leshta me aromë të këndshme pranë çarçafeve të qëndisur në fund të sëndykut të saj të pajës, ngjyeva faqet me kremin e kuq që e përdorte zakonisht kur kthehej nga hamami për ta skuqur edhe me shumë fytyrën, vesha pelerinën e gjelbër në nuancën e stikave, pastaj pasi i mblodha dhe i rregullova flokët, hodha velin në të njëjtën ngjyrë dhe kur pashë veten në pasqyrën me kornizë sedefi, u drodha i tëri. Megjithese nuk i preka me dorë, sytë dhe qerpikët e mi tani dukeshin si sytë dhe qerpikët e një gruaje.

Me faqet dhe sytë që më binin në sy, unë isha një grua shumë e bukur dhe ndjehesha i lumtur për këtë. Por burri tek unë e kishte vënë re pak më parë këtë gjë dhe tashmë ishte ngritur përpjetë. Kjo më dëshpëroi pa masë.
Me pasqyrën që shtrëngoja në duar ndoqa rrëshqitjen e një pike loti që m’u shkëput nga sytë dhe atë çast thellë në shpirtin e brengosur krijova një poezi, të cilën nuk e harrova kurrë, sepse më frymëzimin që më fali i madhi Zot në ato çaste, e interpretova poezinë si të ishte një këngë, duke u përpjekur të harroja brengën time:

Po thotë kjo zemra ime e lëkundur,
kur jam në Lindje, dua Perendimin.
Teksa në Perendim, Lindjen dua të jetoj.
Nëse jam burrë, dua të jem grua,
kur grua jam, si burrë dua të gjykoj.
Sa e vështirë të jesh njeri
dhe më e vështirë të jetosh si i tillë.
Dua të dëfrej vetveten dhe para dhe pas,
në Lindje dhe në Perendim dua të jetoj.

Vëllezërit tanë erzurumas nuk duhet ta dëgjojnë kurrsesi këtë këngë që më buroi nga shpirti, se përndryshe do të zemëroheshin shumë. Përse trembem? Ndoshta edhe nuk zemërohen, sepse më dëgjoni, këtë s’po jua them thjesht sa për të bërë thashetheme, por ai Hazret Efendiu çne-Husreti, megjithëse ishte i martuar, njëlloj si ju miniaturistët e hajthshëm, i donte djelmoshat e pashëm me shumë se ne gratë. Nëse më kanë gënjyer, po ju gënjej edhe unë.

Në të vërtetë unë nuk i vlerësoja aspak këto fjalë,sepse ai më dukej shumë i shëmtuar dhe shumë plak. I kishin rënë dhëmbët dhe siç tregonin djemtë që shkonin me të, atij edhe goja i mbante erë të keqe, më falni për krahasimin, njëlloj si prapanica.
Mirë. Po e mbyll gojën dhe po i rikthehem shqetësimit tim të vërtetë: Kur e kuptova se sa e hirshme isha nuk dëshiroja  më të laja enët e ndërresa apo të dilja në  treg si robinjat. Varfëria, lotët, trishtimi, vaji dhe brengosja tek sheh vetën në pasqyrë, janë veprime të një gruaje të shëmtuar. Ndërsa unë duhet të gjej një burrë që të më mbaje në pëllëmbë të dorës, po cili është ai?

Ndaj nisa të përgjoja nga vrima në mur fëmijët e pashallarëve e të bejlerëve, që i ndjeri im atë i ftonte shkak e pa shkak. Dëshiroja të kisha të njëjtin fat si ajo gruaja bukuroshe, gojëvogël, me dy djem, me të cilën kishin rënë në dashuri të gjithë miniaturistët. Më mirë t’jua tregoj historinë e Shekurës së gjorë. Por prisni një minutë, ju kam dhënë fjalën se të mërkurën në mbrëmje do t’ju rrëfeja këtë:

Historia e Dashurisë që Djalli e tregoi nëpërmjet Gruas.


Në të vërtetë, është një histori shumë e thjeshtë. Ka ndodhur në njërën prej lagjeve të varfëra të Stambollit, në Kemerustu. Njëri nga njerëzit e shquar të asaj lagjeje Çelebi Ahmeti, që punonte si nëpunës pranë Vasef Pashait, ishte një burrë zotëri, i martuar, me, dy fëmijë që shihte punët e tij. Një ditë prej ditësh nga dritarja e hapur sheh një bukuroshe boshnjake, syzezë, flokëzezë, shtatselvi, të hollë dhe lëkurëmëndafsh dhe bie në dashuri me të.

Por ja qe gruaja na qenkësh e martuar. Asaj as që i bie në sy Ahmeti  dhe në të vërtetë e do shumë  të shoqin. Nga kjo i ngrati Ahmet nuk guxoi t’ia tregonte askujt shqetësimin e tij dhe u bë kockë e lëkurë nga hidhërimi. Blinte vazhdimisht verë nga greku dhe pinte shumë dhe në fund s’mundi ta fshihte më dashurinë e tij në sy të lagjes. Meqenëse banorët i pëlqenin shumë historitë e tij dhe e donin Ahmetin, në fillim patën respekt për ndjenjat e tij, bënë dy-tri shakara dhe e mbyllën njërin sy. Por të gjithë filluan të tremben kur Ahmeti s’po mundej ta kontrollonte më veten, filloi të dehej çdo mbrëmje dhe pastaj ulej e të qante papushim në pragun e portës ku jetonte e lumtur me të shoqin bukuroshja lëkurëmendafshtë.

Teksa i dehuri qante çdo mbrëmje i mbytur në lot, askush s’vinte dore ta rrihte e ta zvarriste tej, por nuk dilte askush as ta ngushëllonte. Çelebiu, si një fisnik i vërtetë, pa ngacmuar dhe pa u grindur me askënd qante e qante papushim. Dalngadalë brenga e tij e pashpresë u përhap në të gjithë lagjen dhe ata nisën të vuajnë e të brengosen të gjithë, u shter humori dhe çesmja që rridhte e trishtuar te sheshi, ndërsa ai u kthye në një burim trishtimi. Kështu nisi të përhapej nëpër lagje në fillim fjala “brengë” pastaj fjala “mbrapshti” dhe në fund ideja e rrënimit.


Dikush u largua nga ajo lagje, dikujt nisen t’i shkonin punët keq dhe dikush tjetër që e humbi frymëzimin s’pati me sukses në art.
Pasi u boshatis lagjia dhe një dite prej ditësh Ahmet Çelebiu  mori gruan e fëmijët dhe u mbart në një vend tjetër, aty mbetën vetëm e bukura lekurëmëndafshtë dhe i shoqi. Fatkeqësia, shkaku i të cilës ishin ata, ua kishte ftohur ndjenjat dhe i kishte larguar nga njëri-tjetri. Ata jetuan bashkë deri në fund të jetës, por pa qenë të lumtur asnjëherë.

    Doja t’ju thoja se më pëlqen pa masë kjo histori që tregon sesa të rrezikshme janë dashuria dhe gratë, por, ah harrova, u hutova fare, tani që jam grua, duhet të them tjetër gjë. Mirë, ja ku po jua them:
Ah, ç’mrekulli është dashuria!
Cilët janë këta të huaj që hynë brenda?

*Fragment i shkëputur nga romani ‘Unë jam e kuqja’, Orhan Pamuk, Skanderbeg books, 2006

Përktheu nga turqishtja: Drita Çetaku

Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

ORHAN PAMUK: LETËRSIA ËSHTË E NEVOJSHME SI NJË ILAÇ PËR MUA…