Anton Pashku: Nën qarr po rrinte vasha

Syni s’e sheh synin matanë hundës,
zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës
(Thuhej dikur në Has)

1.
Qetësinë, befas, e zhdavariti rrokullisja e një guri.

2.
Mbasi guri theu qafën teposhtë malit, Dila e Marisë desh të çohej për të parë ku i kishte delet dhe a mos ishin trembur, por therra e murrizit, që iu ngul pardje kur shkoi ta kthejë një qengj që kish mbetur mbrapa grigjës, – e theri në thembër, e cila po i mblidhte qelb. E këputi dhembja e fortë: përsëri u shtri nën qarr. Ballin ia rimuan djersët. U zbeh. Mbylli sytë.
Gjëja e fundit që pa Dila, para se t’i lëshonte këlkatëset, ishte qielli i gjerë ding me bashka të reve që, përtueshëm, udhëtonin dikah…

3.
S’i ndahej dhembja. Therra e therte pajada. Iu duk se do të mbetej përgjithmonë aty, nën qarrin plak. Se nuk do të mund të çohej kurrë për t’i prekur kryet në krahoshën e varur në rremin e një dege të qarrit më të moçëm, më krahëhapur, më majëlartë se asnjë qarr tjetër në këto anë.
“O zot”, mendoi, “a e di kush sa asht i vjetër ky qarr – dhetë, njizet, njiqind apo, ndoshta, pesëqind vjet?”

4.
Kur nxente dielli, qarri lëshonte një hije të gjerë e të rrasët që ta flladiste shpirtin. Aty mund të shtrohej sofra për nja, mos i thashin rrenë, njëzet e katër burra, njëzet e katër cuba. Dhe ndoshta përnjëmend, mendoi kjo tashti. janë ulur ndonjëherë aq burra të dheut, aq cuba të malit – ku e di ti se jo! Por, megjithatë, s’kishte parë a dëgjuar kurrë se në hijen e qarrit të saj të dashur të kishin hëngër e pirë njëzet e katër burra, njëzet e katër cuba me mustaqe vesh më vesh – ku e di ti se po!

5.
Të gjithë e quanin Qarri i Dragonit. “Njâ të kemi!” i thoshin gjyshja e nëna. “Mo’ atje, se t’shiton zana!”

6.
Gjyshja e nëna na i k’in pas kallëzuar se moti, aq moti sa askush i gjallë nuk e dinte kur, një Drangua kishte pas rënë në dashuri me Zanën, shtatselvinë e katundit të tyre.
Mirëpo që në djep, në djepin me kaptell të shkruar me brisk për mrekulli.
Drangonin na e ki’n pa’ fejuar me një tjetër. E tjetrën, të cilën kurrë s’e kishte parë, s’ia donte se s’ia donte zemra.

Po dhe Zanën që në djep në djepin që përkundte gjyshja gjithmonë në zi, na e ki’n pa’ fejuar me një tjetër. E tjetrin, të cilin kurrë s’e kishte parë, s’ia donte se s’ia donte zemra.
Kur ki’n pa’ marë vesh, vrer i zi na ish bërë babai i Zanës, mullan plot qelb e gjak të keq na ish bërë babai i Drangonit, kurse një ditë prej ditësh, Zana e Drangoni ki’n pas bërë fjalët për të ikur në mal – tinëz. Dhe ata ki’n ikur – tinëz. Dhe te qarri na i ki’n pas parë pëllumbat e zogjtë krahëshkruar – të lumtur. Pëllumbat e zogjtë, mbasandej, kishin fshikur krahët në ajrin e pastër të qiellit të kthjellët si loti, dhe ki’n fluturuar gjithë ditën e lume përmbi katund për t’u kallëzuar njerëzve se Zana e dashka Drangonin – si ara e shkrumuar shiun. Por, askush s’i dëgj’onte.

Se katër burra, katër rrotela të kërleshur, babai i Zanës, babai i të fejuarit të Zanës, babai i Drangonit, babai i së fejuares së Drangonit haheshin. E kishin shkrehur: përshesh të bëheshin.
Dhe pëllumbat e zogjtë krahëshkruar u trembën nga krisma e martinave, plasja e kobureve, tymi i zi i barotit; tymi i zi i luftës fis me fis flaka përlau shtatë copë katunde.
E u kthyen pëllumbat e zogjtë, e i kallëzuan Zanës e Drangonit për çdo gjë që kishin parë. Zana e Drangoni ishin pikëlluar shumë, dhe ki’n thirrur pëllumbat e zogjtë e ki’n thënë:
“Amanet, o more pëllumba! Amanet, o more zogj! Kur t’na shihni se jemi shtri njani pranë tjetrit, ejani dhe ngjyeni nga nji pupël në gjakun e varrëve tona dhe shkoni e i lëshoni katund m’katund, shtëpi m’shtëpi. .. “
Një qyqe e ngratë pat kukatur tri herë midis dy degëve të një lisi shumë të thatë.

7.
Vashës që rrinte nën qarr, Dilës së Marisë, iu duk se ishte shtrirë mu në vendin, ku, Zana e Drangoni, kishin ndërruar jetë. Zemrën ia kaploi një nderim fort i thellë. Bile, luajti pakëz vendit, ashtu si luante edhe babai i saj kur përmendej emri i pajtorit të oxhakut të tyre.

8.
Heshtte.

9.
Tinëz, ngadalë, e zuri dëshprimi. Kurrnjëherë s’i ishte dukur vetja më e vetmuar, më e ngratë, se tashti. Çdo kush e kish harruar – iu duk. Iu bë se s’kishte njeri të lemë që mendonte për të. E, pra, aq shumë dëshironte që të mendonte dikush për të.

10.
E mori gjogu i ëndrrave, i cili, si duhia, e çoi në trok drejt njëfarë vendi të panjohur, në një copë toke në midisdisit të detit. Eu, po kjo ishte njajo toka e çuditshme, për të cilën i kish kallëzuar Delia i Ndreut, i Ndre Delisë. Ç’mos i kish kallëzuar:
atje, në atë farë toke të bukur, të cilën e kishte parë kur kish qenë në “ushtrinë e detit”, dielli nxen gjithë ditën e lume
kurse nata
nata s’është natë, si këtu
– hëna, sa një kallamboçe e çerepit, del nga deti dhe zdritë tokën midis ujit të njelmtë, të cilit s’i dihet skaji.
“A kurrë s’bie shi?”
“Bie, por nuk asht si ky i yni, që t’ban gozhdar!”
“Po thue?”
“Jo, për këta dy sy! Tekembrama, do ta shohësh… “
“Kush … unë?!”
“Ti”.
“Unë?!”
“Unë e ti”.
“Bashkë?!”
“Pojzi”.

“Po a je ti në mend? A s’e ditke hiq se m’kanë dhanë?!”
“Si s’e ditkam, moj Dilë … “
“Ani edhe ty ta kanë zanë nji tjetër!”
Delia i Ndreut, i Ndre Delisë, e kish shikuar drejt në sy, të cilët Dila, prej turpit, i kish paluar. Delia, mbasandej, ia kish kapur krahun dhe ia kish shtrënguar aq fort, sa Dila s’pat duruar pa i thënë:
“Uf, djalë, djalë … ç’je tu’ ba kështu?”
“Mos u tremb, moj Dila e Marisë, mos u tremb!” kish thënë Delia i Ndreut, i Ndre Delisë. “Mos u tremb, ani që deti asht i gjanë e i fellë!, Do të dalim matanë dhe do të mbërrijmë në tokën në midisdisit të tij”.
Dila pa se Delia ish burrë që s’i vetëtonte ashkja e syrit.

11.
Dëgjoi shushurimën e gjetheve, që zuri t’i fërkonte një erë e lehtë, e cila sillte pika shiu të ftohtë. Çeli sytë: qielli ish ndrysur në të katër anët. U çua, mezi u çua: pa delet e tubuara në një rogë – krejt të frikësuara nga murmurimat dhe vetëtimat. I ndolli, dhe ato u nisen mbas Diles së Marisë që ecte duke shqepuar, që mbahej me të vështirë: therra në thembër e therte pajada. Kurse mali ushtonte. Nëpër ushtimën e tij të mnershme iu bë se dëgjoi një zë njeriu, i cili e thërriste. U ndal. Delet ikën para saj dhe, me krye teposhtë, tretën në shtegun e ngushtë dredha-dredha që shpjente në katund.

Mbeti vetëm. Pa kur një si tojë e zjarrtë; tojë rrufeje, u rrek për ta zdritur malin. U dëgjua një murmurimë e hatashme; si me dorë, diçka e preku në zemër dhe e lëshoi për dhé. Mbasi u rrëzua, mendoi se e vrau rrufeja.
“E pata!” tha dhe zuri të priste për të vdekur. Priste. Por, ama, nuk vdiste. Bile, si në kllapi, diktoi se dikush po e bante. Ngutshëm.
“Aman, o zot, ty t’kofsha true, a m’kallëzon – kah je tu’ m’çue?”
“Kah deti. .. Në midisdisit të detit… “
“Ani me therrë në thembër?”
“S’asht gja therra… Therrën do ta qërojë deti… “
“Aman, o zot. .. “
“O, s’jam zoti, s’jam, moj Dila e Marisë, po jam Delia i Ndreut, i Ndre Delisë!”
Një kalë i bardhë, ama më i bardhë se korja e borës, që sall zjarr nuk villte prej gojës, kaptoi Brinjën e Lisit të Gjatë dhe doli e treti në Bjeshkë të Lagamirit…

12.
Bash kur kafexhiu po ia thoshte me zë . të ulët “po bjen shiu sixhim-sixhim, ç’po i qet vegshit ***** tym”, në kafenenë e vogël të katundit – krejt i përlloçur e me shpirt në fyt, – u rras Biba i Lleshit, Llesh Bibajt.
“N’kambë, sokola!” bërtiti. “N’kambë, bre trima me fletë, se për qiell e për dhé na u nxi ftyra për jetë!… A s’pasket ndie?… Nji Drangue, nji thi karathi, na e muer Dilën nëpër shi… “Turr mbas meje!” tha Biba i Lleshit, i Llesh Bibajt dhe turravrap e theu qafën përjasht.
Kurse Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt, tha:
“Çudë, çudë e madhe!”
“Hë, çka polli?” pyeti Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt.
“S’e di hiq, bre burrë i dheut, pse njani sy nuk e sheh tjetrin?”
“Dihet, he burrë!” ia kthei Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt. “Fajin ma të madh e ka hunda!”
“Hunda e ka fajin, pojzi!” ia priti Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt. “E di, por s’po di ç’duhet t’bajmë me këtë hundë?”

ObserverKult

———————————–

Lexo edhe:

RRËFIMI I POETIT FREDERIK RRESHPJA PËR PRISHTINËN