Media italiane për shembjen e Teatrit Kombëtar: Tirana, skenë krimi

Gazeta italiane “Il Manifesto”, e cilëson shembjen e Teatrit Kombëtar si një akt brutal me metoda ushtarak kundër kulturës. “Shembja ngjalli indinjatë në të gjithë botën dhe u shprehën me ashpërsi disa figura institucionale, siç është Komisioneria Europiane Maria Gabriel dhe një grup eurodeputetësh, të cilët kërkuan një qëndrim të BE-së. Historia pas këtij akti brutal është e gjatë, por në zemër të gjithçka është protesta qytetare më e gjatë në Shqipëri, që vazhdon e pandërprerë në shesh dhe në media prej 27 muajsh”,- thuhet në artikullin e gazetës së njehur italiane.

Shkrimi i plotë i gazetës italiane për Shembjen e Teatrit Kombëtar:

“Ka vdekur?” është titulli i pjesës së fundit në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Shfaqja, bazuar në një vepër të Mark Tuein, uli siparin e fundit në 1 korrik 2018. Por pas pothuajse dy vjetësh pyetja tingëllon si një parashikim profetik i dilemave, që akoma mblidhen rreth fatit të “Teatrit Kombëtar”.

Muret e ndërtesës, dëshmitarët okularë të revolucioneve dhe të jetës së përditshme, të hedhjeve përpara dhe dramave kolektive, nuk mund të bënin asgjë kundër goditjeve të fadromave të qeverisë. Në agim të 17 majit, një grup agjentësh të policisë, përfshirë departamentet e Reneas, një njësi antiterroriste, bastisën ambientet e teatrit të drejtuar nga disa dhjetëra aktivistë. “Të armatosur, ata përparuan me sprucues djegës dhe pa numër identifikimi. Një goditje e plotë ushtarake, në mes të natës dhe gjatë një krize shëndetësore botërore. Shembja ndodhi pa një inspektim praraprak, fadromat vepruan kur brenda ishin ende 12 civilë: bashkë me godinën u shkatërruan edhe arkivi, kostumet origjinale, objekte të skenës, dorëshkrime, pjesë origjinale të skenografisë, projektorë, relike të Luftës së Dytë Botërore.” tregon Adele Budina, producente kinematografie italo-shqiptare.

Shembja ngjalli indinjatë në të gjithë botën dhe u shprehën me ashpërsi disa figura institucionale, siç është Komisioneria Europiane Maria Gabriel dhe një grup Eurodeputetësh, të cilët kërkuan një qëndrim të BE-së. Historia pas këtij akti brutal është e gjatë, por në zemër të gjithçka është protesta qytetare më e gjatë në Shqipëri, që vazhdon e pandërprerë në shesh dhe në media prej 27 muajsh. Një protestë për të ndaluar shembjen, që kërkonte shpëtimin e ndërtesës historike dhe restaurimin e saj. “Propozimi i parë për shembjen ka ndodhur në 1999-ën” tregon Rajmonda Bulku, aktore ikonë e kinemasë shqiptare, “në vend të saj donin të ndërtonin tre kulla dhe një teatër të ri në qendër. Terror. Kundërshtuam me vendosmëri si artistë ndaj idesë që tradita do të zhdukej. Në atë kohë qeveria u tërhoq, Edi Rama ishte ministër i kulturës”.

Pas njëzet vjetësh Rama ia doli, pavarësisht kundërshtimit që e rrethon nga të gjitha anët Kundërshtim partiak, me të djathtën, Partinë Demokratike, e cila ka braktisur parlamentin prej muajsh të tërë në protestë dhe LSI në pozicionet e së cilës është rreshtuar edhe Presidenti pak i republikës, Ilir Meta. Dhe kundërshtim shoqëror, nga grupe, lëvizje dhe qytetaria aktive, e kthyer në skenë pas vitesh hipnoze neoliberale. Një grup heterogjen i mobilizuar kundër prishjes së teatrit, i cili nuk arriti të ndalë frontin kompakt të mazhorancës qeveritare, i udhëhequr nga Ministrja e Kulturës Elva Margariti, nga kryebashkiaku i kryeqytetit z.Erion Veliaj, dhe nga kryeministri. Triniteti ekzekutiv, i cili në fund rrënoi ndërtesën. Godina e ndërtuar në stil racionalist nga arkitekti Xhulio Berte ishte realizuar në pupulit, një përbërje çimentoje dhe fibrash vegjetale, që preferohet për izolimin akustik, më pak i përshtatshëm për t’i rezistuar dekadave. “Përgjatë viteve kushtet e godinës janë përkeqësuar e mbërritën deri në pikën që nuk funksiononte më as ngrohja” tregon më tej aktorja Rajmonda Bulku.

TEATRI rendte drejt dëmtimit dhe shumë kishin kërkuar restaurimin prej vitesh. Më 16 Shkurt 2018 firma multimilionere e ndërtimit Fusha sh.p.k., parashtron një propozim te Bashkia e Tiranës. Kompania, që tashmë ka disa qindra metra katrorë në zonën ngjitur me teatrin, ofrohet për të ndërtuar një kompleks të ri për publikun në këmbim të mijëra metrave katrorë, në një nga vendet më të shtrenjta në qytet, për të bëre dyqane, zyra dhe shtëpi luksoze. Mantra është ajo e tre P-ve: partneriteti publik-privat. Një model që konsiston në tkurrjen e shpenzimeve publike, duke ia kaluar topin privatit, i cilët në këmbim të koncesioneve të pasurive shtetërore, duhet t’u ofrojë mallra dhe shërbime qytetarëve. Një skemë që nxorri në pah disa kufinj, siç ilustrohet nga një raport i Gjykatës Europiane të Auditorëve në 2018-ën.

Gjithsesi propozimi i Fushës, së bashku me kompanitë Kastrati dhe Edil Al-It, lëviz aparatin shtetëror me forcën e një stuhie duke çuar për pak javë drejt prezantimit publik të projektit, nga dora e vetë Kryeministrit, me shfaqjen e një interpretimi futuristik: një papion gjigand prej xhami dhe betoni. Me një shpejtësi rrufe vijojnë një raport ministror që deklaron se ndërtesa e vjetër është e rrezikshme dhe “shumë e shtrenjtë për t’u restauruar”, krijimi i një komisioni ndërtimi për vlerësimin e projektit privat, i cili jep verdiktin e tij pozitiv brenda 24 orëve. Teatri i vjetër është shpallur i papërdorshëm dhe mbyll dyert e tij në korrik 2018 dhe trupa zhvendoset në ambientet e teatrit “Turbina” në lagjen Tirana e Re. Pak ditë më pas Parlamenti miraton një “ligj të special”, i cili legjitimon shembjen dhe rindërtimin nga privati, sipas projektit nga studioja daneze e arkitektit Bjarkes Ingels Group. Ligji, rast unik i një mase parlamentare, që cakton ndërtimin e një vepre publike pa paralajmërim, asnjëherë nuk e mori aprovimin e kushtetutshmërisë së Presidentit të Republikës Ilir Meta. Por shfaqja vazhdon…

“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit filloi të formohej në shkurt të 2018-ës, në të njëjtën kohë kur u bë edhe propozimi nga ndërmarrja Fusha. Njerëzit reaguan dhe filluan protestat, të cilat zhvilloheshin një herë në javë. Në qershor të 2018-ës këto protesta u bënë të përditshme, edhe si përgjigje të përshpejtimit absurd të autoriteteve. Sheshi përpara teatrit u kthye në një agorë publike, ku qytetarët shprehnin mendimet e tyre, pa qenë e rëndësishme përkatësia politike “. Tregon Edmond Budina, aktori shqiptar dhe regjisori me shumë çmime dhe një nga fytyrat më të njohura të betejës.

“Pas një viti protestimi, në korrik të 2019-ës ata u përpoqën të na hiqnin që aty, atëherë në atë pikë ne vendosëm të pushtojmë teatrin, përkundrazi ta çlirojmë. Që atëherë deri sa filloi izolimi kemi vë në skenë 80 shfaqje. Të gjithë artistët, shqiptarë e të huaj, kanë sjellë veprat e tyre dhe kanë treguar solidarizim me ne. Europa Nostra, një organizatë mbarëeuropiane për mbrojtjen e objekteve kulturore, e futi Teatrin në listën e shtatë objekteve më të rrezikuara dhe e renditi të parin”. Por pozicioni i kryeministrit dhe kryebashkiakut mbeti i pandryshuar. Në thelb është vizioni i qartë për qytetin. “Trashëguam në 2015-ën një qytet ku nuk mblidheshin mbeturinat dhe nuk gjeje një rrugë të ndriçuar” thotë kryebashkiaku socialist i Tiranës, Erion Veliaj. “Sot kemi filluar një seri projektesh, që nuk i mendoja të realizueshme në kaq pak kohë. Vizioni im për Tiranën është ai i një qyteti modern e jo i një koleksioni kazermash të vjetra, të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat as nuk janë të mbrojtura nga Instituti i Monumenteve dhe nuk janë as funksionale dhe as të restaurueshme”

Rindërtimi i Tiranës sigurisht që nuk fillon me Teatrin. Para pak ditësh u bë prezantimi i një ndërhyrjeje strukturore në pjesët e qytetit anës lumit Lana, me firmën e Stefano Boeri, Tirana Riverside Masterplan. Projekti bën pjesë në një sërë ndërhyrjesh sipas planit rregullues të qytetit, që i janë besuar studios italiane, filluar nga dokumenti “Tirana 2030” ku janë përcaktuar linjat drejtuese për një “qytet të ardhshëm kaleidoskopik”. “Ajo që i bashkoi protestuesit për mbrojtjen e Teatrit ishte nga njëra anë mbrojtja e një trashëgimie kulturore dhe shpirtërore, por nga ana tjetër edhe lufta kundër një procesi privatizimi të hapësirës publike” thotë Arlind Qori, i grupit radikal Organizata Politike. Ai vazhdon “Teatri mbartte 80 vjet histori të qytetit dhe vendit, duke e shembur fshijmë historinë dhe identitetin tonë. Duhet të ruajmë historinë për të kujtuar se ç’kemi qenë dhe për t’i drejtuar në mënyrë korrekte vetes pyetjet se si të jemi më të mirë”.

“Kjo sjellje prej Ne jemi e ardhmja, Para nesh nuk ekziston asgjë, që ka kjo qeveri, është më antimodernja që mund të imagjinohet. Nuk është moderne të shkatërrosh pjesë të historisë për të ndërtuar kulla anonime sipas stilit Dubai. Shqipëria do të kishte nevojë për shumë teatro të rinj e sigurisht jo për të shembur ata që janë tashmë. Por kjo luftë do të vazhdojë. Po shkojmë në çdo qytet për sensibilizim dhe do të bejmë një protestë të madhe kombëtare në Tiranë për të thënë që duam që kultura të vihet në qendër të këtij vendi dhe që Teatri të rindërtohet ashtu si ishte” vazhdon shpjegon Edmond Budina, transmeton ‘koha jone’.

Gjatë kësaj kohe akrobacia ligjore për partneritetin pjesërisht është përmbysur nga lajmërimi i fundit nga administrata Veliaj. Sipas deklarimeve të fundit teatri i ri do të ndërtohet me para publike. Është bërë kërkesa ndaj Bankës Europiane të Investimeve për një borxh prej 30 milionësh . Por nëse projekti i teatrit të ri është ende i mbështjellë nga mjegulla e dyshimit, e sigurtë është që teatri i vjetër nuk është më. Një ekzekutim, e ka përkufizuar dikush. Megjithatë qëndron pezull pyetja: “Vdiq?”.