Grupi i artistëve, hulumtuesve, kuratorëve dhe punëtorëve të pavarur në skenën e artit dhe kulturës ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet për Fondin emergjent të kulturës që nuk është finalizuar.
Gati tre muaj pasi ish-përbërja e Qeverisë së Kosovës kishte paralajmëruar një Fond emergjent për organizatat kulturore e sportive në vlerë prej 5 milionë eurosh, artistët janë në pritje të realizimit. Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjëherë hap konkret për nismën e përmendur qysh në mars, raporton ‘koha’.
Sipas Grupit të artistëve që ka mbajtur një konferencë për media, të dielën, në Prishtinë, rrethanat e krijuara nga pandemia kanë ndikuar shumë në skenën artistike.
Ministria e Kulturës kishte paralajmëruar themelimin e një grupi punues që do të përcaktonte kriteret e ndarjes së mjeteve të Fondit emergjent. Por nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim. Institucionit më të lartë të kulturës në vend i ishte kërkuar që nëpërmjet ridestinimit të buxhetit të mbushte arkën e Fondit emergjent.
Por, sipas artistëve, nga takimet që kanë pasur me ministren e Kulturës, Vlora Dumoshi, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Sipas artistëve, fondet publike nuk duhet të përdoren politikisht. Kanë paralajmëruar se në koordinim me organizatat kulturore do të ndërmarrin edhe hapa të tjerë për të kërkuar përgjegjësi institucionale. Konferenca është mbajtur një muaj pasi ata kishin lëshuar një deklaratë të përbashkët sa i përket Fondit emergjent.