Buqetë poetike nga Jevrem Bërkoviq: Ç’na duhet Çlirimtari i kërrusur!

Në kujtim të bardit të letërsisë së Malit të Zi, akademikut e intelektualit opozitar, Jevrem Bërkoviq, ObserverKult ju sjell një cikël të tij me poezi, përkthyer nga Azem Shkreli, Vlora Konushevci, Salajdin Salihu dhe Smajl Smaka.

KUR MALAZEZI BËHET I LUMTUR
Përktheu: Azem Shkreli

Malazezi i lumtur është lumturi e madhe për çdo pushtet,
Çdo pushtet është bërë t’i bëjë Malazezët të lumtur!
Malazezi i lumtur ka kopshtin dhe shtëpinë në mes të kopshtit,
Malazezi i lumtur është shëndosh dhe e ka Malazezen të lumtur,
E cila për çdo nëntë muaj ia lind nga një të lumtur të vogël,
Më fatbardhëve edhe nga dy, mundet edhe shumë më shumë –
Janë të palodhëshme gjenet dhe gjenitalet e Malazezëve.

Malazezi i lumtur duhet të jetë atdhetar, duhet megjithë
Zemër të besoj në gjithçka që i thuhet, duhet me shpirt
T’i dojë Atë dhe Ata që përgjithmonë e kanë bërë të lumtur,
Duhet t’ua tregojë këdo që s’është i lumtur si ai,
Malazezët e palumtur më së pari, të tillët janë më të rrezikshmit,
Duhet të kontrollojë me kujdes çdo nadje e çdo mbrëmje
Nivelin e lumturisë malazeze në vete dhe rreth vetes së lumtur

Malazezi i lumtur është i pari në çdo vend votimi,
Ai nuk di për cilin voton, por di dhe mba mend mirë
Përse dhe kur e ka dhënë votën e vet malazeze,
Se ajo ishte e vërteta, për fat dhe më fatlumja për të lumtur,
Se Malazezët fatlumë janë të parët në çdo regjistër fati,
Se jashtë kësaj s’ka gjë pos mjerim e fatkeqësi të madhe,
Filozofi të dyshimtë, skamë, etnogjenezë e punë të kota.

Çdo Malazezi fatlum, të gjithë të vetët, për fat,
I kanë rënë anën e drejtë, në më fatlumen,
Kanë rënë për lumturinë e përgjithshme dhe më personalen –
Për Malazezët fatlumë kjo është fatlumësi e njëjtë dhe një,
Këto dy fatlumësi vetëm Malazezët fatkqinj i ndajnë,
Aty ata gjejnë një nuancë të rrezikshme, një fatkeqësi,
Ndoshta më të rrezikshmen për lumturinën e përgjithshme
të Malazezëve të lumtur.

Malazezi i lumtur është më i lumturi kur vetëm është gjallë,
Kur është zhveshur e zbathur, kur për urinë këndon i uritur
Kur sëmuret rëndë, kur verbohet, kur vyshket e shterret,
Kur i vdes fatlumthi, kur është fatkeq krejt dhe gjithëku,
Kur një i thonë, tjetrën ia mendojnë e të tretën ia punojnë-
Ndryshe nga Malazezët fatkqinj, ai nesër do të ngushllohet
Me regjistrin e meritave të tij personale për lumturinë e përgjithshme!

RRI DREJT
Përktheu: Azem Shkreli

Edhe kur të të mundin
(Të mundurve vetëm kjo u mbetet),
Edhe kur zgjedhën ta venë në qafë
Edhe kur këmbanën në fyt ta varin,
Edhe kur të heqin në vargonj qeni,
Edhe kur thonjtë t’i çkulin me darë,
Edhe kur varrin ta gërmojnë,
Rri drejt!
Le të shohin se vetëm ashtu di.

Rri drejt!
Rri drejt edhe kur të çlirohesh
Çlirimtari është çlirimtar
Nëse rri krejtësisht drejt.
Ç’na duhet Çlirimtari i kërrusur!
Rri drejt!
Liria është barrë e madhe njerëzore
Ndoshta më e madhe se çdo barrë.
Kush ngrihet nën atë peshë,
Ai është i lirë dhe i drejtë,
Atij nuk i duhet shkollë tjetër.

Rri drejt!
Edhe kur asgjë nuk të pranohet,
Kur të lënë pa medale e pa grada
Kur parzmën ta ndukin e krahët t’i lakuriqojnë
Kur je i dyshimtë e nën sogjë,
Kur edhe emrin në varr ta rrafin
Rri drejt!
Edhe kur pushteti yt të shpie në burg
Para tij patjetër drejtohu
Le të shohin
Përse ke luftuar dhe ke fituar.

KUR SNAJPERISTI SERB SHOQËS TEM IA VRAU FËMIJËN N’GJI
Përktheu: Vlora Konushevci

Kur snajperisti serb shoqës tem
ia vrau fëmijën n’gji –
unë ndalova së besuemi në Zot. Nuk je kurkund Zot,
thashë, i kryqëzuem je për tana kohnat
edhe pikë. Se nji zot që lejon nanave fëmijët
me ua vra ashtu n’gji, pa asnji arsye
thjesht sa për zbavitje, mue ai zot s’më vyen gja
E të tjerët – qysh të dojnë

Përndryshe, para luftës mendojsha se
qielli më bjen në krye nëse ndaloj
së besuemi në zot. Edhe qe tash, asgja nuk ndodhi
Asnji çeremide nuk plasi në kulmin e shpisë teme
Unë jam ende unë. Sarajeva asht ende Sarajevë
Qielli asht ende qiell. Madje ende qëndron aty ku ishte ma herët
Edhe pse zot nuk ka. Kujtoj, për mue s’ka
E të tjerët – qysh të dojnë
Gjithçka po sillet sikur në t’kaluemën
Madje kujtoj se ma lehtë asht kështu
Kështu, pa zot. Nuk di dhe kam frikë
me ta sqaru. Sikur ecja asht ma e lehtë
kur s’ki asgja në duer sesa me tërheq zvarrë zarin
Po, mirë e thash. Diqysh pa zot
asht ma lehtë me ecë në këtë jetë t’lidhun nyje.
Veçse orë e çast e ndiej
se duart e mia janë bosh.

Bosh, prandaj të randueme.


SARAJEVA DIGJET
Përktheu: Salajdin Salihu

Djegin zjarrëvënësit Sarajevën
Digjet qielli mbi qytet
Gjithë akrepat janë ndalur
Veç orë e ferrit po troket.

Netët po përgjakin ditët,
Agu vjen me pamje të trishtë.
Ç’bën o gjaksori Radovan?
A ke shpirt, o Karaxhiq?

ZGJIMI
(Kushtuar djalit, Damjanit)
Përktheu: Smajl Smaka

Zgjohem, çeli gojën që atë ta thërras,
Që ta hap dritaren në dhomën time, që të agojë
Të pyes për çunat kur janë kthyer në shtëpi,
Mëngjesin, që ajo e gatit, ta dëshiroj,
Ëndrrën, ëndrrën e keqe, duke e pirë kafen, asaj t’ia tregoj.

Zgjohem mes katër mureve të tjera,
Kuptoj se ku jam, kush jam e ku nuk jam,
Më kot do thërrisja, larg është shtëpia ime,
Unë jam ky që zgjuar kam parë këtë ëndërr të mrekullueshme
Sikur jam atje ku vetëm atje mund të jem!

Shikoj murin para të cilit zgjohem:
Fotografia e tij ma kthen shpresën,
Fotografia e djemve me shpresë e mosshpresë.
Askund fotoja e shtëpisë sonë të vjetër mes malesh,
E, aq mirë e shoh mes trupave të arrave të harlisura.

Çasti i ngritjes nuk është është çasti i zgjimit
Shkoj në banjo të dëgjoj reshjen e shiut
Kjo s’është ajo, po ku ta gjej iluzionin,
Për Malsorin çdo reshje është ujë shiu –
Duklasi, çfarë jam unë në ujin e tillë është ngritur.


POROSI NËNËS GORKA
Përktheu: Smajl Smaka

Nëse pranë jastekut, nënë vdes pa mua,
Ky nuk do të jetë mëkati im, sytë do t’i mbyllë Ty
Një dorë sikur imja, njëra nga motrat, vajzat tua
Ajo që edhe kujën ta ujdisë di.

Nënë, ti e di mirë pse nuk më ke në shtëpi
Dhe që pleqërinë tënde ta bën edhe më të vjetër!
Kur të vijë ora që të shuhesh Ti
të gjitha do t’na i falësh mua edhe fatit, jo kujt tjetër
Dëgjo, nënë e Jevremit, Gorka Duklane,
Edhe varret ata do t’na i rrënojnë
Çdo gjë tonën e shqyejnë pamëshirshëm asaj ane
Zilet e Ivanit mortshëm tingëllojnë!

E tëra kjo ishte në qumështin tënd,
Dukla e Vladimiri, Jakvita dhe Bodin!
Shqiponja, ajo e cila me krahun e përhimë
Të prekë Hyjnore që lehtas t’më lindësh n’atë vend
Çfarë do jipje që tash çdo fëmijë
Me foshnjen e vet në kullë të këndojë?
E lumtur është Duklanja, kur lehtas jep shpirt në shtëpi,
Në agun e hershëm pranë shtatë zjarresh të mbyllë sy.


TESTAMENT
Përktheu: Smajl Smaka

O Mal i Zi
O tokë qensh!
E, çfarë qeni jam unë
Kur nuk mundem pa Ty!


ËNDRRA
Përktheu: Smajl Smaka

Sonte e kam ëndërruar veten në mesin e të mive
Tavolina përplotë diell, macja në dritare,
Dreka familjare, ena e supës në tavolinë,
Prej saj avullon supa që duhet gëlltitur
Për ta rikthyer aromën e harruar dhe ngrohtësinë.

Djali i madh hap shishen e verës së kuqe,
Djali tjetër pret proshutën e tharë në tym dhe erë,
Ajo, që ndërkaq derdh ndonjë pikë të madhe loti,
E mbramja ulet dhe me heshtjen e saj na mëson
Se si të sillemi në tryezën familjare.


VDEKJA E BUKUR E NËNËS TËNDE
Përktheu: Smajl Smaka

Ke dëgjuar se nëna ka humbur të folurit,
Ka heshtur, nofulla i është ngjitur për nofull
Krejt çfarë mund të bëjë plaka jote e nderuar
(E ti, sipas të gjitha gjasave, je bir i saj, ti je ajo),
Ende sa është gjallë t’i bindesh të gjithë
Se edhe e vdekur ka jetuar më gjatë nga gjithë tuajt,
Nëna me vetëdije të plotë agon në vetminë e amshueshme.

Fjalën e saj të fundit nuk do ta dëgjojë askush nga të gjallët,
Nëna jote me kohë ka humbur të folurit,
Vetëm ti e di përse e bëri këtë dhe si,
Ky është testamenti i saj memec, por aq i lexueshëm.
Nuk ka dëshiruar që trashëgimtarët e saj të frikësuar
Gabimisht ta interpretojnë, shkruajnë, përvetësojnë e ritregojnë
Fjalën e saj të mbrame që vetëm ty ta ka thënë.

Edhe pa fjalën e saj të fundit ti mirë e di –
Je djalë i një Duklaneje trime, i një Gorke
Që ndaj askujt, as ndaj teje
Nuk ishte delikate, zemërbutë, e qetë dhe e përzemërt.

Nuk ishte as mjaft e ashpër as e keqe –
Kishte zemër, por askujt atë nuk ia hapte,
Ndoshta ndonjëherë Ty, që nën figurën e saj,
Sipas saj dëftohesh kur ndeshesh me Sotonën.

Ti vjershën e shkruan për nënën tënde të vdekur,
Kurse ajo është ende gjallë, por vetëm ka humbur të folurit.
Ajo beson se ti i vetmi e di çfarë do të thotë kjo.
Dhe përmes vdekjes së vet të ka porositur, të ka ftuar
Për vdekjen e saj këngën ta shkruash
Derisa ende frymon, derisa tërë natën me Ty bisedon,
Prandaj tërë këtë pagojësi mund ta durojë.
Ajo do të dijë se ende në të gjallë
Iu shkrua vjersha për vdekjen e saj të bukur!

ObserverKult

Lexo edhe:


BUQETË POETIKE NGA ADRIATIKE LAMI: PAS DASHURISË TËNDE, SHKËRMOQET ÇDO NGACMIM BURRI!