Pano Taçi: Ajo më pret, ç’të bëj nuk di…

pano taçi
Pano Taçi, Foto nga: Qerim Vrioni, 2003

Poezi nga Pano Taçi

Të shkoj, s’guxoj se mund ta shoh,
ajo më pret, ç’të bëj nuk di.
Nuk di, nëse do mund ta njoh,
s’është më ajo, s’jam më ai.

Ne s’presim pashkëk për ringjallje
bota na vrau që të dy.
Nuk di si mund të ketë çmallje,
kur s’është ajo s’jam ai.

T’i falem Zotit të harresës,
që shpuzat i mbulon me hi?
E ç’vlen ky loti i pendesës,
s’është më ajo, s’jam më ai.

T’i falem Zotit të mëshirës,
për gjithë sa shkoi të ndez qiri.
Po qe se dalim humbëtirës,
je ti ajo, jam unë ai?

* Titulli i origjinalit: “Ajo dhe unë

———————–

Lexo edhe:

DASH KALOÇI: POEZIA-AMANET E PANO TAÇIT, MË THA ‘BOTOJE DITËN QË UNË DO VDES’

Gazetari Dash Kaloçi rrëfen bisedat me poetin bohem, që jetoi e vdiq i vetmuar

Nga: Fatmira Nikolli

Tregojnë për një burrë që endej e sillej nëpër Tiranë, sa në një kafe në tjetrën, me një gotë përpara e një laps në dorë, që ulej e shkruante vargje pa drojë. Tregojnë për një burrë që i donte gratë, i admironte gratë, i joshte gratë dhe fliste për gratë e shkruante për gratë dhe u përulej grave.

Tregojnë për një burrë bohem, të pazakontë, të çiltër, të qeshur, hokatar. Tregojnë për një burrë që dinte të ishte dashnor e i dashur i zemrës, që nuk njihte kufij as në jetë, as në poezi. Një burrë si ai, borgjezi i pandreqshëm, sfidanti tragjik, që i përqeshte të gjithë e i donte të tërë, që regjimi e la në burgje e vëllezërit pa shtëpi, që i shkoi kohët e lirisë ‘duke qarë vitet e humbura’ e duke shkruar për çfarë nuk i pati.

Ai burrë romanësh e filmash, që duket se është nxjerrë forcërisht prej tyre për ta plasur në një Tiranë pa ngjyrë, pa jetë, pa dritë, pa ëndrra, me frikë, me presion…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU