Nga Edison Ypi
Faleminderit që vizitove Shqipërinë, vendin tonë, vendin ku çfarë thuhet është rrenë, çfarë mendohet është herezi, çfarë ndodh është iluzion, çfarë shihet është magji, çfarë dëgjohet është marramendje, çfarë ndjehet është vdekjeprurëse, çfarë vlen vidhet, çfarë lëviz shkërdhehet.
Ishte mrekulli ajo që the në Bylis kur konstatove dhe ulurite rrënqethjen që i shkaktuan secilës nga miliarda qelizat e trurit dhe trupit tënd mpleksja e bukurisë së Artit me rrezatimin e mjedisit.
Rrezet kozmike, fushat magnetike, elektromagnetike, gravitacionale, të tokës, ndikimi planeteve, i Hënës, i Diellit, i yjeve, roli i dritës, gjeologjia, klima, erërat, ujrat, flora, fauna, këto dhe të tjera e bëjnë Shqipërinë “Vend i Mirë”, Kishë, Xhami, Teqe’, Tempull, Mekë, Jerusalem. Vend ku po të jesh i sëmurë shërohesh. Po të jesh i shëndetshëm nuk sëmuresh. Po të jesh i shqetsuar qetsohesh. Po të jesh i qetë çmendesh. Po të jesh bandit bëhesh deputet. Po të jesh mafioz bëhesh ministër. Po të jesh i urtë të vjedhin. Po të jesh i ditur të plagosin. Po të jesh i ndershëm të vrasin.
Prej kur Stendal vizitoi muzeumet e Firences, dihet se Bukuria lodh, sëmur, vdes.
Ruaju nga Sindroma e francezit për të mos gjetur belanë kur të vish përsëri dhe të udhëtosh nëpër disa vende.
Bëj kujdes, për shembull, kur të kalosh përmes Mokrës, Qukës, Karkavec, Velçan, Trebinjë, Varri i Grekut. Derisa t’ja therësh përposhtë nëpër një serpentinë marramendëse me Liqerin e Lasgushit në horizont, të arrish në Pogradec. Këtu një urë mesjetare. Pak më tutje ca mokrarë flokbardhë si vikingë. Edhe më tutje një cop byreku me fasule shoqëruar me një dopjo raki bio e ngjyrosur. Kur në Potkozhan, një Charles Aznavour lokal, brenda Teatrit më të madh në botë me male, gremina, ujvara, në platenë kilometrike vetëm ti, në skenën gjiganteske vetëm ai, do këndojë këngë ruse për Stalinin dhe Ushtrinë e kuqe, do të eksplodojë koka, lotët do të ikin rrëke’.
Te Kanionet e Osumit do të duket sikur je futur në botën e Walt Disney.
Plot me qershi, humnera, rruga Berat Këlcyrë nga kaloi ushtria e Duçes, do të impresionojë aq tepër sa do çjerrësh me thonj fytyrën.
Një orë në Voskopojë, shenjtëria e kishave dhe monastereve do ta çrregullojnë bukur gjumin dhe ëndërrat për dhjetë vjet rrjesht natë për natë.
Në Prespë do rrethohesh nga një pastërti mjedisore nga koha kur motorrat nuk ishin shpikur, që nuk do ta harrosh kurrën e kurrës, edhe pasi të vdesësh.
Kur në Theth do mbushësh mushkëritë me oksigjen bjeshkësh, do ndjehesh 30 vjet më i ri.
Kur në Pukë do takosh Zotin dhe do pini nga një birrë, të lutem foli për disa padrejtësi, disa paradokse. Në stilin tënd. Duke i bërtitur.
Nëpër Myzeqe, duke u hazdisur si i çmendur nëpër kisha dhe manastire do prekësh Qiellin, do çlirohesh nga çdolloj stresi.
Berati do të rrënqethi nga koka te këmbët si kurrkund tjetër, sikur do të zerë korenti.
Kur gjatë këtyre udhëtimeve, do tu thuash të mos i betonojnë fshatrat se është idiotllëk, dhe rrugët e ngushta që të çojnë në vendet e shenjta t’i ndreqin por të mos i asfaltojnë sepse pakësojnë magjinë e vajtjes nëpër ato vende, dëgjo reagimet, dhe shkrihu së qeshuri.
Për ti ekuilibruar deridiku tronditjet që do hasësh dhe për të frenuar lotët me ndonjë zbavitje të këndëshme, shko të shohësh në Tiranë një rrugicë qorre nja 50 metra me emrin e themeluesit të Kryqit të Kuq botëror, Henry Dunant. Pastaj mos përto të shkosh te një rrugë tjetër nja dy kilometra të gjatë dhe nja tridhjetë metra të gjërë po në Tiranë me emrin e një mediokri noterik.
Ose ik në Lushnje ku të vdesësh gazit duke parë shtatoren gjigande të një kooperativisteje që mban në duart përpjetë një tufë të korrur me grurë guri.
Shumë mirë që je mik i Edi Ramës. Herën tjetër tako Sali Berishën. Mahnitu me Doktorin. Bëje mik Salën. Këta do jenë miqtë e tu. Miqtë e tu nuk mund të jenë morracakët e Fejsbukut.
Po të kishin rrëfyer për tmerret e Teatrit ku janë bërë gjyqe dhe janë dhënë dënime me vdekje, do ishe shtruar në spital nga çrregullime hormonale të parimediueshme.
Po të kishin thënë dy fjalë cilët janë dhe ç’të zeza kanë bërë ata të mozaikut mbi muze, do të kishte ndalur zemra ose do të kishte rënë damllaja.
Po të kishin folur për qindra fshatra që kanë xhami por s’kanë shkollë, do ishe çmendur fare.
Prandaj mos ua vër në dukje gafat shoqëruesve. Aq dinë. Aq ndjejnë. Aq men kanë. Janë të burgosur brenda retorikës socrealiste. Thuaj bereqaves që këtë herë nuk e tepruan, dhe lshoi pe balonës.
Duhet të bësh kujdes pra. Se, me gjasa, mund të ndodhi që shkon diku, mahnitesh, bie në dashuri me atë vend, të pëlqen aq tepër sa refuzon të kthehesh, dhe ngec atje. Nuk kthehesh më. Mbetesh këtu. Çka mund të jetë mirë për ty, por është keq për ne.
Ta dimë për nder që si amerikanët Gregory Peck dhe Audrey Hepburn në filmin “Vacanze Romane” i bënë të njohur botës Vespa-n, gjatë kësaj vizite i bëre të njohur botës Bylisin.
Eja përsëri në vendin plot magjepsje që të sëmurin dhe rrezatime që të shërojnë. Shqipërinë do ta gjesh si gjithmonë ka qënë dhe do jetë; Tmerrësisht e rrezikshme, sepse pafundësisht e bukur./ObserverKult