(Pas lajmit për vdekjen e Moikom Zeqos)
Nga Agim Vinca
Lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Moikom Zeqo jehoi dhimbshëm edhe në Prishtinë, ku i ndjeri kishte shumë lexues, por edhe miq e shokë. Moikom Zeqo krijoi një opus të gjerë veprash: poezi, prozë, eseistikë, publicistikë, studime shkencore etj. Ai shëtiste lirshëm nga njëra fushë në tjetrën dhe i bënte bashkë të gjitha në një vend me një lehtësi magjike. Një nga tiparet qenësore të krijimtarisë së tij të gjerë ishte pikërisht thyerja e tabuve dhe relativizimi i kufirit mes zhanreve letrare dhe jo vetëm.
Moikomi ishte krijues me energji të pashtershme; i palodhur dhe i pamposhtur. Kolana e tij me titull MISCELLANEA në rreth njëzet vëllime është projekti më i madh poetik i gjuhës shqipe. Poetika e Moikomit është poetikë e palimpsestit, kurse ai vetë, falë dijes, konceptit krijues dhe teknikës së shkrimit, mund të quhet një Borhes shqiptar.
Nga shkrimtarët shqiptarë ai adhuronte Migjenin, të cilin e quante shkrimtari ynë më i madh “konceptual”, kurse nga krijuesit bashkëkohorë, përveç Dritëroit, poetin lirik Frederik Rreshpja, të cilin e kishte edhe mik.
Moikomi ishte intelektual i angazhuar, që nuk heshtte për problemet, por fliste publikisht, kurse një kohë ishte aktiv edhe në politikë.
Ishte humanist, por edhe atdhetar vizionar. Daljen e UÇK-së në skenë e quajti “ngjarje e shekullit”, kurse intelektualin martir Ukshin Hoti, “filozof i çështjes shqiptare”.
Por Moikom Zeqo ishte dhe do të mbetet para së gjithash njeri i letrave, poet me “P” të madhe dhe shkrimtar shumëdimensional.
Në vitet e fundit sfidoi sëmundjen dhe vështirësitë jetësore, por nuk pushoi së krijuari për asnjë çast. Mjafton të përmendim faktin që në gazetën “Dita” ishte i pranishëm gati për çdo ditë me shkrime letare e publicistike.
Në mëngjesin e ditës së sotme pushoi së rrahuri zemra e njeriut dhe krijuesit të madh e të veçantë Moikom Zeqo. Do ta sfidojë edhe vdekjen ky Abraxas modern me veprën e tij të pavdekshme!
Ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe miqve të tij kudo që janë!
Prishtinë, 15 qershor 2020
Agim Vinca
ObserverKult