Dje, në moshën 86 vjeçare, u nda nga jeta inelektuali, humanisti, krijuesi dhe veprimtari i njohur Dr. Simë Dobreci.
Vdekja e dr. Simës është humbje e madhe për shqiptarët në Malin e Zi, por edhe më gjerë.
Simë Gjon Dobreci lindi (27.3.1934) në Braticë, Ulqin, Mali i Zi. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Braticë e Ulqin (1953), gjimnazin klasik në Tivar (1957), Fakultetin e Mjekësisë në Beograd (1963). Punoi në Tivar e Ulqin (1964-1967), pastaj në Spitalin e Prishtinës (1967), ku e filloi specializimin e dermatologjisë dhe e kreu në Zagreb (1970). Me 1973 zgjidhet asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës, themeluar më 1969. Më 1974 ai qëndroi një vit në Klinikën Dermatologjike të Vankuverit, Kanada. Në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore. Një kohë ishte drejtor i Klinikës. U zgjodh docent i dermatologjisë (1984), profesor inordiner (1989), profesor ordinar (1994). Për studentët e mjekësisë botoi tekstin Dermatologjia më 1980, i cili u ribotua i përmirësuar më 1984, si dhe botimi i tretë i ripunuar më 1998, kurse ribotimi i katërt i plotësuar më 2009. Për studentët e stomatologjisë botoi tekstin Sëmundjet e Lëkurës më 1989.
Më 1990/91, regjimi serb e përjashtoi prej klinikave kuadrin arsimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë e vazhdoi punën nëpër shtëpia private.
Sa i takon veprimtarisë shkencore, Dobreci kryesisht u mor me mikozat e lëkurës. Temën e doktoraturës Dermatomikozat endemike në Kosovë e mbrojti më 1980 dhe u zgjodh doktor shkencash në mjekësi. Botoi 25 punime shkencore në revista profesionale (kryesisht në Acta dermatologica jugoslavica dhe në Praxis Medica). Me paraqitje të punimeve shkencore mori pjesë në Kongresin e Dermatologëve Botëror në Berlin më 1987, në Kongresin e Dermatologëve Europianë në Bari të Italisë më 1987 dhe në Konferencën Internacionale të Dermatologëve në Atinë më 1994. Prej 1994-1999 ishte kryeredaktor i Praxis Medica, revistës profesionale-shkencore të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. I pensionuar, kur vazhdoi të jetonte në Braticë, Ulqin, ku redaktonte revistën kulturore Buzuku, si dhe vazhdoi të merrej nga pak me profesionin e vet.
Dr. Dobreci do të varroset në fshatin e lindjes, Braticë të Ulqinit, por ende nuk është njoftuar data dhe ora.