Në 67-vjetorin e kryengritjes popullore në RDGJ, filloi punën bordi këshillimor për memorialin e planifikuar për viktimat e tiranisë komuniste.
Ministrja e Kulturës në Gjermani, Monika Grütters tha në Berlin, se bordi këshillimor do të shoqërojë krijimin e një koncepti. Memoriali do të ngrihet për të kujtuar të gjithë ata që kanë qenë viktima të komunizmit, të diktaturës, arbitraritetit dhe dhunës.
Ai përfshin edhe ata që i arrestuan, diskriminuan dhe privuan nga shanset e tyre të jetës për shkak të prejardhjes së tyre sociale, sjelljes së tyre të papërshtatshme ose dëshirës së tyre për të jetuar ndryshe ose për t’u larguar nga RDGJ, theksoi politikania e CDU.
Fondacioni Federal për Rivlerësimin e Diktaturës së partisë-shtet të RDGJ, Partisë së Bashkuar të Gjermanisë (SED) dhe Bashkimi i Shoqatave të Viktimave të Tiranisë Komuniste duhet ta zhvillojnë konceptin përkujtimor, deri në fund të vjeshtës. Kostoja dhe vendndodhja e memorialit, ende nuk janë vendosur.
Më 17 qershor 1953, gjermanolindorët në RDGJ u ngritën me guxim, për të kundërshtuar kushtet e jetesës në vendin e tyre. Ata kërkuan përmirësimin e standardeve të punës, lirimin e të burgosurve politikë, dorëheqjen e qeverisë, zgjedhje të lira dhe bashkimin e Gjermanisë. Por, shpresa e demonstruesve u shkatërrua që pasditen e asaj dite: tanke sovjetike dolën dhe e shtypën me dhunë kryengritjen./DW