Muzeu i Shenjtores dhe humanistes sonë Nënë Tereza po themelohet në Prizren, qytetin e rrënjëve të saj. Ky muze, që është pjesë e programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë- Maqedoni Veriore dhe bashkëfinacohet nga Komuna e Prizrenit. Ai ka për qëllim t’i mbledhë dhe t’i ruaj kujtimet për Nënë Terezën, t’i ndajë ato me njerëzit dhe të kontribuojë në nxitjen e mirëkuptimit dhe kohezionit brenda shoqërisë, të ndërtuar mbi parime të barazisë, humanizmit dhe solidaritetit, ashtu siç punoi gjithë jetën Nënë Tereza.
Një ekip kuratorial si bashkëpunim i ekspertizës vendore dhe ndërkombëtare do të përkujdeset që jeta e Nënës Terezë të shpaloset përmes tregimeve për vendlindjen e saj, prindërit dhe rrethanat e tjera që çuan në formimin e personalitetit human më me peshë të shekullit XX. Një pjesë të fëmijërisë e të rinisë së saj ajo e ka kaluar në vendin e lindjes, Shkupin, me vizita të shpeshta te familjarët dhe në famullitë në qytete të ndryshme të Kosovës. Gjatë vizitave takoi shumë njerëz, burra, gra e fëmijë për t’iu dhënë kurajo e falur dashurinë e një nëne dhe shenjtoreje. Besojmë që gjurmë dhe tregime të jetës të saj të kësaj periudhe si dhe të vizitave të mëvonshme si motër misionare ende janë prezente në kujtimet e atyre që patën fatin ta takojnë, transmeton ‘koha.net’.
Mirëpo shume prej këtyre tregimeve mbesin të pathëna, të papara e të padëgjuara për shumicën e njerëzve. Prandaj, të gjithë ju që e keni pasur fatin ta takoni Nënë Terezën të bashkëbisedoni me të, t’ia dëgjoni fjalët e rrëfimet, ose të shkëmbeni ndonjë letër me të, CHwB Kosova fton të gjithë që t’i ndajnë kujtimet e tyre, në mënyrë që ato të ruhen dhe mbesin përgjithmonë në Muzeun për Nënën Terezë.
Muzeu për Nënën Terezën do të bëhet në plotni kur bashkohen dhe ruhen kujtimet tona për Nënë Terezën.