Kinematografia e Kosovës mban hapin me pavijon virtual në Cannes

“Marché du Film”, tregu i Festivalit të Filmit të Cannes, ka nisur të hënën edicionin e tij të parë, plotësisht online. Për pesë ditë producentët, distributorët dhe filmbërësit do të bëjnë llogari për blerje të projekteve filmike. Organizatorët kanë thënë se ani pse takimet nuk do të jenë tete-a-tete, formati i ri online është një mënyrë inovative për të pasur qasje në një treg të tillë. Në këtë treg, që përfundon më 26 qershor, nuk do të mungojë as Qendra Kinematografike e Kosovës. Është bërë pjesë e tij për herë të nëntë, ani pse sivjet me pavijon virtual. Paraqitet me disa projekte filmike dhe fokusin kryesor e ka te promovimi i filmave që janë në prodhim e sipër. Për institucionin më të lartë të filmit në vend e rëndësishme është pjesëmarrja, ani pse pritjet janë me të vogla në krahasim me edicionet e kaluara.

“Marché du Film” është një nga ngjarjet kryesore në industrinë e kinematografisë dhe mbahet çdo vit dy javë, sa zgjat edhe Festivali i Filmit në Cannes, duke tërhequr më shumë se 12 mijë profesionistë. Ani pse këtë vit edicioni i 73-të i Festivalit është anuluar për shkak të pandemisë, organizatorët iu përveshën punës për të mbajtur online tregun e filmit si një ngjarje të rëndësishme në kalendarin e industrisë filmike.

Sipas drejtorit të ”Marché…”, Jérôme Paillard, mbajtja e kësaj ngjarjeje ka rëndësi si për projekte të mëdha, ashtu edhe për ato të vogla, transmeton ‘koha.net’.

“Agjentët e shitjeve kanë nevojë që të shfaqin filmat e tyre, producentët kanë nevojë për të gjetur fonde dhe distributorët kanë nevojë që të gjejnë përmbajtje. Makina është ngadalësuar për momentin, por nuk është ndalur plotësisht. Të gjithë po shpresojmë që t’ia nisë vrullit përsëri dhe sa më shpejt”, ka thënë ai për mediat.

Deri ditën e parë, mbi 8 mijë pjesëmarrës kanë qenë të regjistruar në këtë treg online, që gjatë pesë ditëve pritet të shfaqë 1 mijë e 200 filma, të ketë disa takime, punëtori e prezantime.

Qendra Kinematografike e Kosovës do të jetë prezente me hapësirën e saj virtuale aq sa zgjat edhe tregu dhe promovon filmat e fundit kosovarë në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit. Sipas zyrtarit për marrëdhënie me publikun në QKK, Lum Çitaku, pritet që të ketë edhe takime me partnerë ndërkombëtarë të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të mëdha ndërkombëtare dhe producentë e distributorë të ndryshëm.

“Këtë vit në mënyrë që të mos humb kontinuiteti i kontakteve, lidhjeve dhe i përfaqësimit të porfolios së shteteve të ndryshme është vendosur që të mbahet tregu në këtë format. Pjesëmarrja është e rëndësishme, pasi që bëhet paraqitja e filmave të rinj në prodhim e sipër të Kosovës në këtë treg. Më saktësisht do të paraqitemi me portofolio të këtyre filmave”, ka thënë Çitaku. E ka detyrë që virtualisht të bisedojë me të interesuarit dhe të ndajë informata me të njëjtët për filmat kosovarë për të cilët ka interesim.