Ezra Pound: Françeska

Ti dole jashtë prej natës
dhe kishte lule në duart e tua,
tani do të dalësh jashtë turmës konfuze,
jashtë një rrëmuje fjalësh rreth teje.

Unë që t’kam parë mes gjërave më t’rëndësishme
u zemërova kur ata e përmendën emrin tënd
në vende të rëndomta.
Do të doja që valët e ftohta mbi mendjen time t’vërshonin,
dhe që bota të thahej si një gjethe e vdekur,
ose si lule qumështorja dhe të hidhej tutje
që të mund të t’gjej sërish,
të vetme.

Përktheu: Orjela Stafasani

ObserverKult


Lexo edhe:

EZRA POUND: E DYTA PËRSHËNDETJE

Poezi nga Ezra Pound

Ju ishit të lavdëruar, librat e mi,
sepse posa pata ardhur nga atdheu;
Qesh njëzet vjet prapa kohës
kështu që ju gjetët një publik të gatshëm.
Unë nuk heq dorë prej jush,
nuk ua mohoj pasardhësit tuaj.

Ja ku qëndrojnë pa mjete atraktive dhe joshëse,
Ja ku janë me asgjë arkaike përreth.
Përgjithësisht vërejeni iritimin:
“Është ky”, thonë, “budallallëku
që ne e presim prej poetëve?’

Ku është marramendja e ndjenjës?”
“Jo! Vepra e tij e parë s’ka të sharë.”
“Xhani i mjerë! ai e ka humbur iluzionin e vet.”

Nisuni këngët e mia lakuriqe e të paturpshme,
Shkoni me këmbë të lehtë!
(Ose me dy këmbë të lehta nëse kjo ju kënaq!)
Shkoni e vallëzoni pa turp!
Shkoni me një kërcim të guximshëm!
Përshëndetini varrin dhe mërzinë,
Salutojini ata me pulqer në hundë.
Ja ku janë kambanat tuaja dhe konfeti.
Shkoni! Përtërijini gjërat!
Përtërijeni bile “Spektatorin”
Shkoni! e bëjini macet të mjaullijnë!

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult