Sulltan Abdylhamiti ndër të tjera njihet dhe për parapëlqimin e tij për shqiptarët. Shembujt janë të shumtë. Mes tyre spikat edhe përzgjedhja e Guvernatorit të Libanit më 1883. E veçanta në këtë rast është se bëhet fjalë për një person që duhej të vinte nga komuniteti katolik. Zhvillimet e mëparshme historike në Liban, në vitet 1860 kishin çuar në një marrëveshje mes Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha, që e kushtëzonte caktimin e Guvernatorit.
Ai përzgjidhej nga Sulltani, por emërohej vetëm pasi Fuqitë e Mëdha të jepnin pëlqimin e tyre. Kështu ndodhi edhe më 1883. Se si ka ecur procesi i kësaj përzgjedhjeje mes shqiptarësh, një pamje ndonëse jo të plotë, pasi ajo nuk është nga këndvështrimi osman, e japin burimet diplomatike britanike.
Ka të ngjarë që Sulltani ta ketë parapërgatitur gjithçka, ndonëse për këtë s’ka fakte konkrete. Por ajo që dihet është se njëri nga kandidatët, pak muaj më parë ishte “internuar” në Stamboll. Duke qenë se më pas ai do të shkojë e qëndrojë për vite me radhë në Liban, ndonëse nuk u përzgjodh guvernator, të bën të dyshosh për këtë.
Fjala është për Prenk Bib Dodën, në atë kohë vetëm 24-vjeçar, por që më pas do të bëhej një figurë e spikatur në historinë e Shqipërisë. Përkundër dobësive të thella që ai kishte, për të marrë postin e guvernatorit, Abdylhamiti, përsëri e gjen zgjidhjen te një tjetër shqiptar, por i spikatur në qeverisje. Ai është Vaso Pasha.
Një fashikull i plotë me korrespondencat e Foreign Office me ambasadorët në vendet kryesore të asaj kohe e pasqyron me detaje këtë përzgjedhje.
Fundi i mandatit të Rustem Pashës
Hugh Wyndham, ambasadori britanik në Stamboll, më 15 janar 1883 njofton sekretarin e shtetit për punët e jashtme në Foreign Office, Earl Granville, se Porta e Lartë ka në shqyrtim çështjen e rizgjedhjes së Rustem Pashës si Guvernator i Libanit. Rustem Pasha ishte një katolik roman, qytetar italian nga Firencia, por që ishte natyralizuar në pasha osman. |
Në telegramin e tij ambasadori shton se “pala franceze, i kundërvihet rizgjedhjes së Rustem Pashës”. Madje në Stamboll, thotë ai, ka ardhur një përfaqësues që siç thotë, në emër të popullatës së Libanit, do t’i paraqesë një Peticion Vezirit të Madh. Më tej thuhet se Arif Pasha (ministri i Jashtëm osman) dhe Veziri i Madh janë fuqimisht në favor të Rustem Pashës dhe do të bënin më të mirën për rizgjedhjen e tij.
Vetë Rustem Pasha në atë kohë kishte kërkuar të kthehej në Stamboll; por qeveria osmane e kishte refuzuar kërkesën e tij. Dy javë më vonë (31 janar 1883) Granville u kërkon përfaqësuesve të Madhërisë së Saj në Paris, Berlin, Vjenë, Romë dhe Shën Petërsburg se “Është shumë e dëshirueshme dhe në interes të rendit dhe mirëqeverisjes që të ripërtërihet emërimi i Rustem Pashës. Kërkojmë që të transmetohet pranë Portës së Lartë kjo pikëpamje”. Por Franca është kundër. Më 9 shkurt 1883, nga Parisi për në Londër shkon ky telegram ku ndër të tjera shkruhet “se raportet e marra nga diplomatët francezë dhe Agjentët Konsullorë theksojnë se riemërimi i Rustem Pashës do të çonte në një lëvizje të rrezikshme për paqen në Lindje.
Shpreh shpresën se qeveria e Madhërisë së Saj, do të autorizojë Përfaqësuesin e vet në Kostandinopojë për t’u bashkuar me francezët, për të bërë të mundur zgjedhjen e disa kandidaturave të tjera”. Në këtë mënyrë do të marrë fund qeverisja e Libanit nga Rustem Pasha.
Kandidatura e Prenk Bib Dodës
Britanikët nuk kundërshtojnë. Sekretari Granville më 26 mars 1883 i shkruan vartësit të tij në Paris se “Qeveria e Madhërisë së Saj nuk ka asnjë kandidat të favorizuar për postin e Guvernatorit të Libanit, dhe nuk përjashton asnjë person tjetër të përshtatshëm”. Tre ditë më vonë më 29 mars 1883 nga Parisi, përfaqësuesi britanik njofton se “Ministri i jashtëm francez M. Challemel-Lacour më tha që Sulltani kishte zgjedhur Prenk Doda, Princi i Mirditës, për emërimin si Guvernator i Libanit dhe se përzgjedhja ishte bërë personalisht nga vetë Sulltani. Ai më tha se qeveria franceze nuk ka ndërmend të ngrejë asnjë kundërshtim ndaj tij”, transmeton ‘koha.net’.
Po atë ditë nga Stambolli në Londër shkon ky telegram: “Prenk Bib Doda është kandidat i Portës së Lartë për Guvernator të Libanit. Ai është katolik roman, rreth 24 vjeç dhe është shefi i mirditorëve shqiptarë. Gjatë vitit të kaluar ai është arrestuar dhe mbahet këtu si një i burgosur politik dhe ende konsiderohet si i tillë”.
Dy ditë më pas, më 31 mars 1883, nga Stambolli ambasadori njofton sekretarin Granville. “Kam nderin t’ju informoj se në mbledhjen e mbajtur këtë pasdite mes Përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha dhe Arif Pashës, ministri i Punëve të Jashtme, u tha se Prenk Bib Doda është propozuar si kandidat për guvernatorin e Libanit. Kandidatura e tij u mbështet nga ambasadori francez. Përfaqësuesit austriakë, gjermanë dhe italianë thanë se ishin të përgatitur për të dhënë pëlqimin e tyre me kusht që kolegët e tyre të tjerë të ishin dakord. Ministri rus dhe unë deklaruam se, në mungesë të udhëzimeve, ne duhet t’u referojmë qeverive tona për qëndrimin që do të mbajmë. Në një bisedë me mua ministri rus, u shpreh në terma të pafavorshëm për kandidatin aktual”.
Edhe britanikët do të jenë shumë shpejt kundër. Më 3 prill 1883, Londra i kërkon ambasadës në Stamboll: “Informoni ministrin për Punë të Jashtme se Qeveria e Madhërisë së Saj është kundër përzgjedhjes së Portës së Lartë për Guvernatorin e Libanit”. Ndërkohë që drejt Parisit shkon telegrami i datës 4 prill 1883 ku thuhet “komunikoni me M. Challemel-Lacour, dhe të deklaroni se sipas informacionit të marrë nga Qeveria e Madhërisë së Saj, Princi është vetëm 24 vjeç dhe nuk mund të caktohet për të qeverisur pasi është absolutisht pa përvojë ose njohuri të gjuhës dhe njerëzve. Ne mendojmë se nuk do të ishte e lavdërueshme për Francën dhe Anglinë që të mbështesin kandidaturën e tij për një post me aq përgjegjësi”.
Por francezët nuk tërhiqen. Në përgjigje vjen telegrami i 5 prillit 1883 “M. Challemel-Lacour u përgjigj se qeveria franceze ishte plotësisht e bindur pasi e shqyrtoi të gjithë çështjen dhe se ata ishin ndier të detyruar të përkuleshin ndaj vendimit të Sulltanit, dhe se ata tashmë nuk mund të tërhiqnin pranimin e tyre për atë emërim”.
Ndërkohë nga Stambolli ambasadori britanik njofton se “kam takuar dhe biseduar me Prenk Bib Dodën, i cili, pavarësisht nga të gjitha konsideratat e tjera, më duket mjaft i paaftë për postin. Ky mendim është pothuajse i të gjithëve këtu, me përjashtim të ambasadorit francez. Kandidati, besoj, se do të preferonte të kthehej në vendin e tij”.
Më 16 prill ambasadori nga Stambolli e njofton sekretarin Granville: “Kam nderin t’ju raportoj se Arif Pasha, me një ftesë të datës 14, ftoi Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha për t’u takuar përsëri sot për të arritur një marrëveshje për një pasardhës të Rustem Pashës si Guvernator i Libanit, dhe takimi u bë në Portën e Lartë pasdite. Arif Pasha shprehu shpresën se do të gjendej unanimitet për emërimin e princit Bib Doda.
Ambasadori francez përsëri e mbështeti kandidaturën e tij, po ashtu dhe austriakët e gjermanët. Unë vura në dukje të Arif Pashës se Qeveria e Madhërisë së Saj nuk kundërshtonte asnjë kandidat të Portës së Lartë, por që në këtë rast kërkonte të dinte nëse ishte marrë në konsideratë mosha e re dhe mungesa e përvojës dhe njohjes së gjuhës lokale nga Princi Bib Doda. Lartësia e tij deklaroi se ai do ta referonte kërkesën time. Pas mbarimit të takimit formal, pata një bisedë të shkurtër me Arif Pashën, dhe Lartësia e tij më pyeti nëse unë mund të jepja një përgjigje të favorshme për zgjedhjen e Princit Bib Doda, nëse qeveria e Madhërisë së Saj do të kishte të njëjtin mendim. Unë u përgjigja se unë nuk mund të përgjigjem në emër të Qeverisë së Madhërisë së Saj, por se mendimi im personal ishte se Princi ishte një person i papërshtatshëm për atë post”.
Pesë ditë më vonë, më 19 prill, pavarësisht presionit francez, Londra njoftohet nga Stambolli: “Kam nderin t’ju informoi se ambasadori francez kishte kërkuar një takim të tretë, që u mbajt sot në Portën e Lartë, në lidhje me zgjedhjen e Guvernatorit të Libanit. I përcolla përsëri Arif Pashës qëndrimin e Qeverisë së Madhërisë së Saj, dhe ai më tha se duke qenë se ka kundërshtime për Prenk Bib Dodën, Porta e Lartë ka vendosur të tërheqë kandidaturën e tij dhe do të sjellë emrin e një personi tjetër për miratim”.
Kandidaturat e tjera
Më 21 prill ambasadori Wyndham, nga Stambolli njofton Granville: “Kam nderin të informoj zotërinë tuaj se një listë e re me emra për postin e guvernatorit të Libanit u paraqit natën e kaluar nga Madhëria e Tij, Sulltani, dhe ato janë si më poshtë: Vasa Efendi, Gjeneral Lejtnant në Adrianopojë; Cumudian Efendi, Nënsekretari i Shtetit për Miniera dhe Pyje; Danish Efendi, Konsull i Përgjithshëm në Raguzë; Pertef Efendi, mbajtës i një posti gjyqësor në Adrianopojë; dhe Nasri Beu, Sekretar i Ambasadës në Vjenë”.
Në vijim më 24 prill, ambasadori njofton se “Në telegramin tim të datës 21 pata nderin të komunikoj për Zotërinë Tuaj një listë me emrat e personave që i kishin shkuar Madhërisë së Tij Sulltanit, për të përzgjedhur Guvernatorin e Libanit, në mesin e të cilëve janë: Vassa Efendi, një katolik roman shqiptar, për të cilin është folur mirë si një punonjës aktiv i Vilajetit të Adrianopojës, ku edhe ka mbajtur postin e zëvendësguvernatorit, dhe ku është vlerësuar si një nga qeveritarët më të mirë të Perandorisë. Pertef Efendi, aktualisht Prokuror i Përgjithshëm në Vilajetin e Adrianopojës, ku ka qenë edhe kryetar i Bashkisë dhe censor i shtypit, ka qenë dërguar në dy misione speciale në Serbi gjatë ose menjëherë pas luftës së fundit. Ai është një katolik armen dhe një anti-Hasunit. Xhujumudin Efendi, një katolik armen, për të cilin flitet shumë mirë, por kam mësuar se është në një shëndet të dobët dhe prandaj nuk dëshiron të pranojë emërimin. Nasri Beu, i biri i të ndjerit Franko Pasha, Sekretar i Ambasadës Turke në Vjenë, është konsideruar nga Qeveria e Madhërisë së Saj si një person i padëshiruar për atë post, dhe Ambasadori i Madhërisë së saj ka të njëjtin mendim. Danish Efendiu, konsull i përgjithshëm turk në Raguzë, është katolik roman, vlerësohet shumë; ka shoqëruar Fuad Pashën në Siri, dhe rrjedhimisht ka një njohje të mirë të vendit”.
Më 25 prill 1883 nga ambasadori në Stamboll drejt Londrës shkon njoftimi se “Arif Pasha, ministri i Punëve të Jashtme kërkoi mendimin tim personal për Danish Efendiun. Ai është ndoshta më i miri prej kandidatëve që përmenden në telegramin që të dërgova më 21 prill”. Po atë ai merr përgjigje nga Londra “Qeveria e Madhërisë së saj nuk ka asnjë kundërshtim për emërimin e tij në atë post”.
Nga Vjena ambasadori britanik atje njofton një ditë më vonë në Londër se ministri i jashtëm austriak i kishte thënë se “Danish Efendiu ishte një person i qetë dhe i ndjeshëm, por se ai nuk mund të thoshte nëse kishte ose nuk kishte cilësitë e një administratori efikas. Megjithatë ishte shumë më i përshtatshëm se Bib Doda”.
Nga Porta e Lartë dhe burimet e tjera diplomatike ka një heshtje disaditore. Por historiani libanez Lahat Hater, studiues i Pashko Vasës, citon një dokument arkivor sipas të cilit në maj 1883, sulltan Abdyl Hamiti e ka thirrur Vasa Pashën në audiencë dhe i ka dhënë “titullin e guvernatorit”. Më 6 maj ambasadori e njofton sekretarin Granville se “Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha u takuan përsëri sot pas ftesës së marrë në mëngjes.
Ministri i Punëve të Jashtme, në vend që të propozojë, siç pritej, Danish Efendiun, deklaroi se kishte marrë urdhra për të paraqitur Vasa Efendiun, zëvendësguvernator i Vilajetit të Adrianopojës. Përfaqësuesit austriakë, francezë, gjermanë e italianë deklaruan se e pranonin Vasa Efendiun me kusht që Përfaqësuesit e Fuqive të tjera të ishin dakord”. Më 7 Maj 1883 nga Foreign Office Granville lëshon urdhrin për ambasadorin e tij në Stamboll “Informoni kolegët tuaj se Qeveria e Madhërisë së Saj është e gatshme të pranojë Vasa Efendi”.
Vaso Pasha, guvernator i Libanit
Më 9 maj 1883 ambasadori Wyndham njofton Granville se “Dje në mbrëmje Përfaqësuesit e Portës së Lartë dhe të Fuqive të Mëdha nënshkruan Protokollin që pranon Vasa Pashën si Guvernator të Libanit”. Ai përcjell në Londër Protokollin e këtij emërimi të nënshkruar në Portën e Lartë në mbrëmjen e 8 majit nga Lartësia e tij Arif Pasha, Ministri Osman për Punë të Jashtme dhe Përfaqësuesit e Gjashtë Fuqive të Mëdha (Britania e Madhe, Austro-Hungaria, Franca, Gjermania, Italia, Rusia) për administrimin e Libanit. Kështu Vasa Pasha u emërua Guvernatori i Libanit me një mandat dhjetëvjeçar.
Më 18 maj 1883, ambasadori njofton sekretarin Granville “Kam nderin t’i raportoj Zotërisë Suaj se dje pasdite kam patur një bisedë me Vasa Pashën, Guvernatorin e ri të emëruar të Libanit. I thashë Shkëlqesisë së Tij se Qeveria e Madhërisë së Saj kishte çdo arsye për t’u kënaqur me mënyrën se si Rustem Pasha kishte përmbushur detyrat e tij, dhe se pritej me besim rezultat i njëjtë edhe nga administrata e ardhshme e tij, dhe se Qeveria e Madhërisë së Saj, pasi dëgjoi se ai ishte përzgjedhur për atë post, e kishte dhënë menjëherë pëlqimin për emërimin e tij. Vasa Pasha më falënderoi dhe më tha se ai nuk e kishte kërkuar atë emërim, por që ishte emëruar nga Sulltani, dhe më pas u pranua nga Fuqitë e Mëdha. Ai tha se do të përpiqet të kryejë detyrën e tij sa më mirë me të gjithë aftësisë së tij. Ai e konsideroi këtë detyrë të jetë: së pari, për të ruajtur të drejtat e Madhërisë së Tij Perandorake; së dyti, për të mbrojtur çdo ndryshim në gjendjen ekzistuese e punëve, siç përcaktohet nga Statuti Organik; dhe, së treti, për të parë se si “të gjithë banorët e Libanit të qeverisen në mënyrë strikte e të paanshme. Shpreha për Vasa Pashën kënaqësinë time për programin e tij”.
Bashkëngjitur ai dërgon edhe këtë informacion: Deklarata e shërbimeve të kaluara të Vasa Pashës. Katolik shqiptar i fisit të Mirditës, Vasa Pasha, pasi ka mbajtur poste të ndryshme në kryeqytet, ka drejtuar zyra dhe ka përmbushur misione të rëndësishme në Shqipëri, Bosnjë, Hercegovinë, dhe në Mal të Zi. Ai pasoi Xhevdet Pashën në Aleppo, në pozitën e Këshilltarit dhe në disa raste drejtoi zyrën e zëvendësguvernatorit në disa provinca. Vaso Pasha, më pas u bë anëtar i Gjykatës së Apelit, dhe u thirr për të mbikëqyrur Zyrën e Shtypit.
Pas turbullirave në Bullgari ai pasoi Sadullah Pashën në Filipopolis, dhe më pas u emërua Komisioner Perandorak dhe u ngarkua me kryerjen e një hetimi pas masakrës në Batak. Pas kthimit në Kostandinopojë, ai u emërua këshilltar dhe pak kohë më vonë anëtar i Këshillit të Shtetit. Së fundi, ai u dërgua si zëvendësguvernator në Vilajetin e Adrianopojës, ku ai pati drejtimin e punëve civile të vilajetit deri në emërimin e Lartësisë së Tij Kadri Pasha. Në kohën e zgjedhjes së tij në postin e guvernatorit të Libanit, ai mbante në Adrianopojë postin e guvernatorit të rrethit të Adrianopojës”.
Ndërkohë më 3 qershor ambasadori njofton “Vasa Pasha u largua nga Stambolli më 31 maj për të marrë postin e tij të ri”.
Ndërkohë Konsulli i Përgjithshëm britanik në Bejrut i shkruan Londrës më 15 qershor 1883 se “Vasa Pasha mbërriti në Bejrut më 6 qershor. Korveta franceze “Infernet” e përshëndeti ardhjen e tij me nëntëmbëdhjetë të shtëna topi. Shkëlqesia e tij u prit nga një numër i madh funksionarësh të Libanit, Valiu dhe Mudiri, përfaqësues të Konsullatës së Përgjithshme të Francës etj. Guvernatori i ri u prit me nderime ushtarake. Paraardhësi i tij Rustem Pasha, e çoi atë me karrocën e vet në shtëpinë e përgatitur për pritjen e tij, ku pati takime me delegatët e konsullatave të ndryshme e funksionarë të tjerë.
Ditën tjetër, më 7 qershor Fermani Perandorak që e emëron Vasa Pashën Guvernator të Libanit u lexua me ceremoninë e zakonshme zyrtare, në prani të funksionarëve të Libanit, delegatët e konsullatave evropiane, dhe një turmë e madhe spektatorësh. Më 8 qershor Shkëlqesia e tij priti vizitat e zakonshme të kolegëve të tij dhe krerët e bashkësive të ndryshme fetare, për të vazhduar më pas ushtrimin e detyrave të tij si Guvernator”. Ishte përmbyllur kështu një proces disamujor, që do të çonte në krye të qeverisjes së Libanit, autorin e vargut të famshëm “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Ai do të mbajë postin deri më 26 qershor 1892, dita kur ndërron jetë në Bejrut në moshën 66-vjeçare. Adi Darsi
Vaso Pasha, emblema e patriotizmit shqiptar
I njohur më vonë edhe si Pashko Vasa efendi, ai u lind në Shkodër në vitin 1825. U shkollua në Venedik dhe Romë. Lexonte e shkruante turqisht, frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht dhe sllavisht. Fliste shqip, bullgarisht dhe arabisht. Karrierën e fillon më 1850, kur ishte vetëm 25 vjeç, në Zyrën e Përkthimit të Sarajit Perandorak përkthyes në zyrën e shëndetësisë.
Në 1856 kalon në Shkodër si përkthyes i administratës lokale osmane. Më pas vijon karrierën në Stamboll. Në vitin 1866, emërohet zv.drejtori e më pas drejtor për çështjet politike në Siri. Në 1868 kthehet në Stamboll si kryesekretari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e më pas anëtar i Gjykatës Penale dhe Civile. Në vitin 1875, u emërua kryetar i Komisionit të Reformave në Hercegovinë e më pas anëtar i Komisionit për Mbledhjen e Taksave në Bullgari.
Në vitin 1876 u caktua nëpunës për borxhet pranë zyrës së ndihmësvaliut të vilajetit të Manastirit dhe në gusht të vitit 1877, u emërua këshilltar në vilajetin e Kosovës. Në vitin 1878 emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit, dhe më pas, merr si detyrë shtesë drejtimin e zyrës së shtypit dhe botimeve. Në shtator 1879 emërohet këshilltar i Vilajetit të Edernesë, ku punonte edhe Ismail Qemali. Më 10 korrik 1883 me titullin vezir, u emërua guvernator (mytesarif) i Libanit.
Ndërroi jetë në Bejrut më 26 qershor 1892. Veçse një shtetar osman Vaso Pasha është shkrimtar shumë i njohur. Ka shkruar vjershat në italisht “Rose e spine”-“Trëndafila e gjemba”, botuar në Stamboll më 1873, më 1887 boton në frëngjisht “Gramatikë e shqipes” dhe dy vjet më vonë boton “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” (La vérité sur l’Albanie et les Albanais, Paris 1879). Ai është autori i poezisë së njohur patriotike “O moj Shqypni!”, shkruar më 1880 dhe po atë vit boton edhe “Bardha e Temalit” (Barda de Témal, Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare.
Preng Bib Doda, Pashai mirditor
Preng Bibë Doda u lind në vitin 1860 në Orosh të Mirditës. Ai ishte i biri i Bibë Dodë Pashës nga dera e Gjonmarkajve, një familje që kanë qeverisur Mirditën për breza me radhë. Ashtu si babait të tij iu dha titulli Pasha nga osmanët. Fëmijërinë e vet e ka kaluar në Stamboll, prej nga ku në moshën 16-vjeçare rikthehet në Mirditë, më 1876. Me zhvillimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 3 prill 1880 ai emërohet zëvendës i Hodo pashë Sokolit për degën e Shkodrës.
Thuhet se ky është shkaku që Porta e Lartë mori vendimin për ta internuar në Anadoll, prej ku me ndihmën e Syrja bej Vlorës është liruar shpejt dhe rikthyer në Stamboll. Në vitin 1883, pasi Vasa Pasha zgjidhet guvernator, ai vendoset në Liban. Familja e Malhamëve në Beirut, i bëri kërkesë Stambollit që ta emëronin guvernator kur Vaso Pasha ndërroi jetë. Pasi nuk e merr atë post, rikthehet në Stamboll ku për vite me radhë do të shërbejë si drejtues i rojave perandorake në pallatin e Sulltan Abdylhamitit. Pas revolucionit xhonturk, rikthehet në Mirditë më 1908. Zgjidhet deputet në parlamentin osman. Më 26 prill 1911 formon në Fan qeverinë e Mirditës së bashku me arbëreshin Terenc Toçi.
Më 1912, merr pjesë në firmosjen e shpalljen e Pavarësisë dhe Ismail Qemali e emëron zëvendëskryeministër në qeverinë e tij. Në qeverinë pasardhëse të Turhan Pashës më 14 mars – 20 maj 1914, u emërua ministër i Punëve Botore. Në qeverinë e dytë të Turhan Pashës, më 28 maj – 3 shtator 1914 ishte ministër i Punëve të Jashtme.
Bashkohet me Princ Vidin të cilin e ndihmon në Kryengritjen e Shqipërisë së Mesme, ndaj të cilës lufton me trupat që kishte mbledhur në Mirditë, Zadrimë e Lezhë. Më 25 dhjetor 1918 u thirr në qeverinë e Turhan Pashës duke u emëruar zëvendëskryeministër. Më 1919 i shoqëruar me konsullin anglez Eden duke kaluar në rrugën për Shëngjin, në dalje të lumit Mat, i bëhet një pritë dhe vritet për gjakmarrje nga Ded Çoku.