Alda Merini: Kështu duhet të jetë jeta… kështu do të doja të ishte…

alda merini

“Përralla” nga Alda Merini

Është natë.
Gratë ia nisin kohës së përdëllesës.
Çlodhem para një videoje që, më në fund, është falas dhe që s’flet më për gjëra të cilat çojnë dëm
mendjen e meshkujve.
Po shoh një film vizatimor me një hare të madhe natyrore, me përralla dhe ndëshkime për të
ligjtë.
Kështu duhet të jetë jeta,
kështu do të doja të ishte.
Princi ka puthur Borëbardhën e vet dhe unë e mahnitur shoh veten në krahët e një të riu të
hijshëm.
Sa e ëmbël puthja e tij dhe sa zotëruese është Borëbardha kur ia merr buzët!
Ajo s’është një vashë, është një grua.
Dhe princi skuqet kundruall zbulimit të pjekurisë së saj.
Mjerisht, filmat e shquar vizatimorë të fëmijërisë, vizatimorët e shquar që jemi ne!
Pse vallë njeriu modern duhet të mendojë për përrallat që të rikrijojë veten?
Pse duhet t’i kthehemi të qenit fëmijë për të jetuar?
Kur isha e vogël nëna më rrëfeu se Pandora lëshoi erërat e saj.
Dhe herë pas here, në mbrëmje, Pandora, me këmishën e bardhë, më vjen pranë dhe më tmerron
ende në moshën gjashtëdhjetë vjeçare.
Është natë.
Shihem në pasqyrë dhe lëshoj flokët që bëhen mahnitshëm të gjatë dhe jashtëzakonisht të
bardhë.
Më në fund frika e jetës është e dukshme, bardhësia e pleqërisë bën rrugë në të zezën e moçalit.
Shoh në pasqyrë se kam qenë e poshtëruar dhe e fyer për shumë vite dhe pas meje ndjej
ngërdheshjen e një njeriu gjarpër që është njësoj me të marrin.
Po, i marrë.
Njeriu gjeni mund të jetë edhe i pamend dhe si i tillë përfundon në një spital psikiatrik.
Jam shëmtuar.
Ora është dhjetë e natës dhe dukem si një shtrigë.
Fytyra ime është mbuluar me rrudha, fytyra ime ka marrë ngjyrë alleje nga zemërimi.
S’jam ndryshe nga shtriga e ligë e Borëbardhës.
Do të doja të puthja një princ edhe unë.
Buzët më janë tharë, më mungojnë puthjet e natyrës, më mungon puthja e ajrit dhe vërej se
pasqyra po qan.
Më duket sikur lëkundem midis murit dhe murit.
Sikur të mundesha të çlirohesha nga ai insekt i bardhë që është koha!
Një herë pashë ferrin.
Djajtë e vegjël kërcenin në duart e mia me një sfurk lëbyrës duke më hequr mollëzat e gishtave.
Ata binin si petale nga trëndafilat e gabuar, kishin një erëmim tepër të mjerë dhe nga ngjyra e
trëndafiltë u tjetërsuan në petale të zeza të rreme, petale të një rrugëtimi shumë të hidhur.
Nëse kam qenë e lumtur?
Do të thoja gjithmonë dhe kurrë.
Gjithmonë e lumtur kur kisha flokë të zinj si ebani, gjithmonë e dëshpëruar kur flokët zhdukeshin
dhe bëhesha Këngëtarja Qerose dhe Shitësja e Vogël e Shkrepëseve.
Besoja se botuesit ishin shkopinj të mëdhenj shkrepsesh për të ngrohur një rrugë të ftohtë
Tani s’ka më liliputë, ka vetëm gjigantë dhe Guliveri i gjorë s’mund të gjendet ende, ashtu si Liza e
Botës së Çudirave që është bërë e vogël dhe ndoshta shumë budallaqe.
Bie teposhtë.
Kapelabërësi i çmendur vazhdon të kremtojë joditëlindjen e tij, por më 10 janar nuk mora sikur
një lule të vetme.
Por, nga ana tjetër, si dëmshpërblim erdhi të më takonte vdekja.
Nuk e prisja kurrë.
U përpoq të buzëqeshte, por ishte e neveritshme.
E mirëprita, sepse njeriu nuk bën dot pa të.
Ajo është një grua, apo një përbindësh, që shfaqet në orë jo mikpritëse, kur gjithçka duket e qetë?
Ja, tani po shoh Fantozin.
Nuk do të doja që zonja të shfaqej sërish, nëse do të isha e qetë.

(Shkëputur nga “Jeta është e lehtë”)

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult


Alda Merini

Lexo edhe:

ALDA MERINI: TOKA E SHENJTË

Poezi nga Alda Merini

E kam njohur Jerikonë,
e kam pasur edhe unë Palestinën time,
muret e çmendisë
ishin muret e Jerikosë
dhe një enë me ujë të infektuar
na ka pagëzuar të gjithëve.

Aty brenda ishim hebrenj
dhe Farisejtë ishin lart
aty ishte edhe Mesia
i hutuar mes turmës:
një i çmendur që i ulëret qiellit
gjithë dashurinë e tij ndaj Zotit.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult