Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Adem Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ai u rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, për herë, në plan të gjerë, në Kosovë u hapën edhe shkollat shqipe.
Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë Ademit, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm.
Krahas krijimtarisë letrare, ai ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Ai nuk nguroi që në dasma, në të pame dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe haptas të dënonte padrejtësitë e shumta të cilat regjimi serb vazhdimisht, në mënyrën më të vrazhdë, ushtronte ndaj shqiptarëve.
Dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap.
Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, “Jeta e re” falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit.
Ndërkaq, regjimi policor serb nuk e pati të vështirë ta kuptonte sfidën e Demaçit. Pas afro njëzetë rrëfenjave dhe romanit të botuar, popullariteti i Demaçit u rrit fort jo vetëm në qarqet letrare shqiptare gjë që bëhej një pengesë jo e vogël për regjimin totalitarist.
Në nëntor të vitit 1958 Demaçi u arrestua në Prishtinë nga qeveria autoritare e Ish-Jugosllavisë, që udhëhiqej nga komunisti Josip Broz Tito. Pas disa muajsh në hetuesi, doli para Gjyqit të Qarkut nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”.
Mirëpo para gjyqit, Adem Demaçi, nuk mori rrugën e mbrojtjes, por kaloi në sulm frontal kundër regjimit duke numëruar të gjitha të zezat që kishte pësuar dhe po pësonte populli shqiptar nga pushtuesit serbë dhe doli me kërkesën që nëse duam të ruhet paqja, Kosova duhet urgjentisht të shkëputet nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me Shqipërinë.
Qëndroi tri vjet në burg. Mirëpo, ai u burgos përsëri në vitet 1964-1974 dhe 1975-1990. Nga burgu u lirua vetëm pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1990.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet të Francës për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Demaçi ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.
Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”. Ndërsa, vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Prishtinë.
Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga libri i tij ‘Dashuria kuantike e filanit’:
Nga Adem Demaçi *
….studimet në Beograd
Pata fat. Nga fundi i qershorit më ndali në rrugë Sanije Shala, një shoqe e gjimnazit, e cila më vonë u bë këngëtare e njohur e Kosovës, dhe më tha:
-Ti ndoshta e di e ndoshta jo, por unë e kam vëllanë i cili punon gazetar në “RILINDJE”. Ai më ka porositur që të ta përcjell porosinë e drejtorit të gazetës, që të mos e zgjatësh, por sa më parë, derisa nuk ka shkuar në pushime verore, në orën dymbëdhjetë të ditës të paraqitësh në zyren e tij. Sa mora vesh prej vëllait, është për të mirën tënde, për bursë. A e di se ku janë zyrat?
Pasi që unë hapa sytë nga një lloj habie, ajo vazhdoi:
-Atje në qendër, sipër farmacisë…
Ishte ky një lajm i gëzuar, por i përzier me një brengë.
Brenga ishte nëna. Para dy vjetësh motra ime ishte martuar.
Në shtëpi kishim mbetur vetëm unë e nëna. Po të shkoja në studime, nëna do të mbetej krejt vetëm!Shkova drejt te nëna dhe i tregova lajmin më të ri…Nëna për një çast fort të shkurtër sikur u pre nga befasia, por shpejt mori veten e tha:
-Ani , bir! Deri këtu nëna pati mundësi. Më tutje nëna nuk ka mundësi të bëjë asgjë për shkollimin tënd. Shyqyr Zotit që të paska dalë ai fat! Shko!…Sa për nënën mos u bëj merak.-
Pushoi paksa e shtoi: – Nëna jote për ty dhe për përparimin tënd po jeton…
E përqafova nënën dhe ia putha të dy mollëzat e kuqe. Që të dyve na u rrëmbushën sytë…
…vetëm, por jo i vetmuar…
U regjistrova në grupin e Letërisë botërore. Kjo katedër e re, sapo ishte hapur në Universitetin e Beogradit. Isha i vetmi shqiptar midis të tjerëve. Nuk shoqërohesha me asnjërin nga kolegët, sepse askush nuk shfaqte interes për mua. Isha i veshur keq dhe me gjasë kolegët e mi studentë e kishin marrë vesh se prej nga isha.
Pas një provimi me shkrim, një profesor – asistent më ftoi në kabinetin e tij dhe bisedoi paksa me mua. Në fund më tha:
-Koleg, serbishten e keni ende të dobët, por qasja dhe mënyra se si e keni shtjelluar temën ishte fort origjinale. Punimin tuaj e kanë lexuar edhe shefi i katedrës profesor Vojisllav Gjuriq dhe profesori i mirënjohur i letërsisë gjermane, Rashko Dimitrijeviq, si dhe profesor Vojisllav Dançetoviq, shef i katedrës së Albanologjisë. Ai po ju njihte personalisht. Duke e kuptuar se gjua juaj amtare është shqipja, kurse serbishtja mund të jetë sekondare, ne vendosëm t’jua jepnim notën kaluese…
-Faleminderit!- thashë.
-Gjithë të mirat, koleg!-më tha profesor-asistenti dhe unë dola jashtë.
…Danillo Kish…
Një ditë, sapo dola nga ligjëratat, si gjithherë vetëm, m’u afrua njëri nga kolegët. Ishte një djalosh me shtat për një kokë më i gjatë se unë, me fytyrë si të verdhë e me ca pikla, me flokë të lëkuqme dhe duke ma dhënë dorën, më foli me një ton sikur të kishim qenë shokë prej kohësh:
-E di, koleg që je shqiptar, por çfarë je ti kështu që tërë kohën qëndron i vetëm dhe nuk bën fare përpjekje që të bashkohesh me ne të tjerët.
Unë buzëqesha dhe i thashë:
-Unë jam Filani Filani dhe jam nga Kosova.
-E, unë jam, – më tha ai, – Danillo Kish, nga Novi-Sadi.
Dhe ma zgjati pakon e cigareve. – Merr! – më tha.
-Jo!-i thashë, – Nuk pi duhan …
-Po rakinë, e pi?
-Jo, -i thashë – as rakinë!…
-Pas gocave nuk të shoh se angazhohesh …
-Assesi!-iu përgjigja shpejt e prerazi.
Dhe, Danillo , pa një pa dy, me një ton si qortues e shpotitës m’i tha fjalët që s’i kisha dëgjuar kurr deri më atë ditë:
-Po, mirë, ore, ti, shqiptar, për çfarë k. jeton ti?
Unë për një hov u skuqa, por kur e pashë atë duke më buzëqeshur, u zhgreha në një gaz të zëshëm e të gjatë që s’e kisha provuar ç’prej ditëve të gjimnazit. Me Danillon u bëmë shokë. Më tregoi se nënën e kishte malazeze, kurse babanë hungarez. Ai nuk kishte shumë kohë për mua, sepse shoqërohej me të gjithë, por në të rrallë bënim nga një copë rruge bashkë…
Në një nga takimet tona me Danillon, pasi që ishim lëshuar bukur shumë në muhabete, e pyeta:
-Po, ç’fis është nëna jote malazeze?
-Fisi Kuq, – më tha.
-Pa tallje e ke?
-Pa tallje, pa tallje…
-Paj, edhe unë jam Berishë e kuqe. Ky është një fis i madh. Malazeztë e kanë harruar fjalën Berishë, por e kanë mbajtur pjesën kuq…
-Aha! Këtu qenka sekreti që nëna ime i do dhe i respekton aq fort shqiptarët. Por, a di çka?- ndërroi temën e bisedës Danillo Kish.
-Çka? –i thashë.
-I përcjell ti rregullisht ligjëratat e Rashko Dimitrijeviçit?
-Posi! Ato janë ligjëratat më të këndshme për mua. Vetëm për të dëgjuar ligjëratat e tij pasionante për Gëten…
-Pasionante! Ndërhyri Danillo. – Fjalë e vërtetë…Por, a di çka?
-Çka? –i thashë.
-Një ditë pata një bisedë të gjatë me të dhe ra fjala për ty…
-Dhe?
-I kishte pas pëlqyer fort ai punimi yt me shkrim që e patëm bërë…
Unë nuk thashë gjë. Ai vazhdoi:
-Më tha në besim se ne, e kishte fjalën për serbët, kemi hyrë në gjynah të madh me shqiptarët…
-Pa tallje e ke?!
-Në këto fjalë, një kolege jona e bukur e kapi Danillon për krahu, nga prapa, dhe ne u ndamë pa pasur kohë as të përshëndeteshim…
…ndërprerja e studimeve…
Ndodhi ajo që nuk e prisja. Në janar të vitit 1956, nëna ime u sëmur keq nga veshkët e nga idhëza. Studimet i ndërpreva dhe hyra në punë si redaktor i i letërsisë botërore në ndërmarrjen “RILINDJA”.
Kur ia pata dorëzuar rrogën e parë nënës në dorë, ajo më pati thënë:
-O, bir, tash u bërë burrë, ty të takon të bëhesh zoti i shtëpisë…
-Jo, nënë, -i pata thënë, – ti na rrite me thonj e me dhëmbë. Ishe zojë shtëpie dhe do të mbetesh zojë shtëpie sa të jesh gjallë.
-Nënës i shndritën sytë e tha:
-Zoti të nderoftë o bir, ashtu si po më nderon ti mua! Po a nuk më zemërohesh nëse të them edhe diçka?…
-Fol, moj nënë!
-Jam mësuar të punoj dhe nuk mund të rri pa punë. Të lutet nëna që të mos ma ndalosh punën…
U përballa me shikimin e saj lutës. Mendova paksa edhe thashë duke buzëqeshur:
-Paj, ti je zojë shtëpie moj nënë! Ti e ke në dorë të bësh si të duash…
…nxitja e Esad Mekulit…
Falë Kolë Nikajt, Salih Kolgecajt, Idriz Ajetit e më së shumti Esad Mekulit, poetit tonë të palodhshëm, i cili drejtonte revistën “Jeta e Re”, zhvillova prirjen time për të shkruar.
Punonte shumë e fliste shumë rrallë e pak. Një ditë erdhi në Redaksi të Botimeve e më tha:
-Përse ti nuk bën një aventurë?…
Unë i tëri u bëra pikëpyetëse e pikëçuditëse.
Ai vazhdoi:
-Me kallëzime e kalove zanatin e shegërtit. Përse nuk ia mësynë që të shkruash një roman?…
Mua ka kohë që më sillej një temë në kokë, por nuk kisha guxim që t’i hyja, me të vërtetë një aventurë siç më thoshte mësuesi im. Ai e vërejti se po ngurroja. Më tha:
-Dëgjo! Kinezët e kanë një fjalë të urtë që thotë se rruga prej një mijë kilometrash kalohet duke bërë hapin e parë.
Prandaj, mos hezito! Bëje hapin e parë, sepse të tjerët vijnë vetë…
Mësuesi im, njeri i madh, poer, ma dha dorën e iku. Ai iku, por fjalët e tij më vunë në lëvizje…
Punoja në zyrë punët e mia. Shkruaja tregime të shkurtra, të cilat i botoja në ‘’Jetën e re’’. Në shtëpi punoja në romanin tim dhe nganjëherë, pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre ua turbulloja ujin!…
*Shkëputur nga ‘Dashuria kuantike e filanit’ e Adem Demaçit, Buzuku, 2007
Përgatiti U.V: ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL ME POEZI TË ADEM DEMAÇIT: DËGJOJE ZEMRËN, AJO S’TË MASHTRON KURRË!