Bienalja- thyerje izolimi në vijën që bashkon botën e artit

Tarkovskyt i kreditohet thënia se vizatimi është një lloj “skulpturimi i kohës”, ku momentet statike shpërfaqin gjallërinë dinamike të makrokozmosit. Jo rastësisht, në gjenealogjinë e qytetërimit botëror evidencat e ekzistencës njerëzore paraqiten pikërisht përmes vizatimit. Me një skulpturim të tillë të kohës, ekspozita e edicionit të parë të Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit ka sjellë bashkë dhjetëra punime artistësh nga vendi e bota.

Mbrëmjen e së enjtes, Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur për të parën herë dyert për vizitorë pas disa muajsh mbylljeje për shkak të pandemisë. Nën organizimin e Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës (AVVK), Bienalja erdhi edhe me mëtimin që të mbahet tradicionalisht çdo dy vjet.

Si i pari edicion – përgatitjet për të cilin kishin filluar qysh në vjeshtën e vitit të kaluar – ekspozita nuk ka pasur karakter kuratorial. Derisa artistët nga Kosova janë përzgjedhur përmes një konkursi publik, ata nga rajoni dhe Evropa janë ftuar vetëm si pjesëmarrës, pavarësisht se shumica e tyre nuk arritën të ishin të pranishëm.

Të vëna afër njëra-tjetrës, ato sikur përcillnin të njëjtën gjendje.

“Slabo Vreme” (Moti i keq) është vepra dypjesëshe e artistit slloven Çrtomir Frelih. Në përfytjen e ngjyrave, një re është pikëtakimi mes qiellit të errësuar dhe tutje një hapësire të ndriçuar me qelq nga dielli.

“Pa titull” është vepra tjetër e Jakup Ferrit që sjell një mozaik lara-lara njerëzish të shtrirë në plazh. Pavarësisht se të gjithë janë të shtrirë duke dremitur, secili prej tyre zbulon diçka nga bota dhe tipi i vet.

Kështu, çmimi kryesor i Bienales, “Gjelosh Gjokaj”, u nda bashkërisht për Çrtomir Frelihin dhe Jakup Ferrin, transmeton ‘koha.net’.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, që i parapriu hapjes së ekspozitës, piktori dhe grafisti nga Tirana, Abaz Hado, ka thënë se artistët nuk i janë nënshtruar koronavirusit përderisa kanë punuar pa shkëputur.

Si pjesë e jurisë që përzgjodhi fituesit – bashkë me Alesh Sedmak dhe Mehmet Behlulin – ai ka thënë se pamundësia për t’i parë nga afër veprat ka qenë sfidë më vete.

“Kemi qenë shumë seriozë në punën që kemi bërë mes gjithë atyre vështirësive. Kemi pasur edhe disa debate online, por në fund triumfoi logjika dhe zgjedhja më e mirë”, ka thënë Hado.

Emrat e fituesve të çmimit kryesor dhe të vetëm u kumtuan nga ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, teksa minuta më vonë organizatorët e Bienales ndanë edhe “Çmimin e miqve” për profesorin ordiner në Fakultetin e Arteve, Adem Rusinovci.