Më 22 maj 1813 u lind kompozitori, dirigjent, kritik arti, dramaturgu gjerman, Richard Wagner.
Episode nga jeta dhe vepra e kompozitorit
Wagner, fëmija ambicioz
Wagner ishte nëntë vjeç kur dëgjoi për herë të parë Freischut të Veberit, kjo shfaqje i la mbresa aq të thella sa ai vendosi që të bëhej muzikant dhe të imitonte Veberin. E ëma, për të kënaqur dëshirën e tij, e çoi djalin te mjeshtri Human që të merrte mësime në piano, kur e dëgjon Wagnerin që interpretoi plot me gabime mësuesi i inatosur tha:
– Kur të rritesh mund të bëhesh ç’të duash, po muzikant kurrë. Atëherë nëna e dërgoi te një mësues tjetër për të mësuar violinën por edhe ai i tha se ishte nxënësi më i keq që kishte.
– Si mund të bëhesh muzikant, – i tha e ëma, – kur nuk mund të mësosh dot asnjë instrument?
– Nuk ka rëndësi, – u përgjigj Wagner, – unë po të them që do të bëhem muzikant dhe ke për të parë se do të bëhem.
Rinia e tij
Në rininë e tij Wagner nuk mendonte gjë tjetër veçse si të siguronte para për të luajtur me letra, në darkë hynte në lokalin e lojës ku rrinte deri në mëngjes.
Atje humbiste vazhdimisht, nëna shqetësohej për qëndrimin e tij të padenjë dhe pikëllohej që i biri kthehej aq vonë në shtëpi. Një mbrëmje e ngarkoi të birin që t’i merrte pensionin me këto para ai luajti deri sa i humbi të gjitha, përveç një monedhe të vogël. E vuri edhe monedhën e fundit, por këtë herë fitoi. Fitoi edhe disa herë të tjera deri sa siguroi pensionin e nënës, atëherë ai u betua se nuk do të luante më dhe e mbajti fjalën gjatë gjithë jetës.
I dashuruar pas kafshëve
Wagner i donte shumë kafshët. Në shtëpinë e tij kishte një kafaz të madh me majmunë. Shkonte vazhdimisht në kopsht për të vizatuar një buf. Kur shkruante thërriste:
– Ja natyra pa maska, është e egër por e çiltër- ky buf e ka kokën si të luanit.
Kur i tregonte mikut të tij për dashurinë e madhe që kishte për të, i thoshte:
– Unë ju kam në zemër midis gruas, luanit dhe qenit.
Fillesat e vështira
Më 1839 një poet dhe muzikant i ri gjerman u largua nga vendi i vet dhe shkoi në Francë për të shfaqur veprat e tij me një letër rekomandimi për drejtorin e operës së Parisit.
Në këtë letër shkruheshin vetëm këto fjalë: “I dashur mik, ma hiq qafe këtë budalla”.
Dhe ky “budalla” ishte vetë ai, Richard Wagner.
Wagneri për muzikën e Rosinit
Muzikën e Rosinit e nënçmonte dhe e quante pjesë për kitarë, në vitet e fundit të jetës së tij ndërroi mendim:
Kur Wagner vajti në Venedik një mbrëmje u ul me familjen e tij në kafe “Floria”, në mes të sheshit po luante banda. Në një çast pushimi Wagneri u ngrit, kaloi në mes të turmës që rrethonte ekzekutuesit u afrua te dirigjenti dhe tha:
– Jam Richard Wagner, – tha.
Mjeshtri i orkestrës, i befasuar nga ky prezantim u përkul me nderim të madh para muzikantit të shquar. Të gjithë orkestranët e rrethuan me admirim Wagner u bëri atyre lavdërimet e rastit për interpretimin e mirë, që i habiti orkestranët.
– A mund të luani për mua sinfoninë “Laraska Vjedhacake”, – i pyeti Wagner.
– Mjeshtri u bë copë për të kënaqur Wagnerin.
Rosini për Wagner
Muzika wagneriane u vlerësua vonë jo vetëm nga publiku i gjerë, por edhe nga muzikantët e shquar. Rosini më 1865 thoshte:
– Nuk do të arrij kurrë ta kuptoj edhe sikur të rroj sa Noe.
Verdi për kryeveprën “Tristani dhe Izota”
Giuseppe Verdi e admironte shumë operën “Tristani dhe Izota” të Richard Wagner, ai thoshte për të:
– Përpara kësaj ndërtese gjigante rri gjithnjë me tmerr dhe me habi. Dhe nuk e kuptoj sesi mund të jetë e një njeriu kjo vepër. Akti i dytë është një prej veprave më madhështore të shpirtit njerëzor.
Muzikanti dhe nëpunësi i doganës
Roshi ishte një nëpunës i varfër i doganës që e donte shumë poezinë dhe të dielën, të vetmen ditë të lirë që kishte e kalonte duke bërë vjersha kur hyri në zyrën e tij. Dëgjoi një të huaj gjerman që ankohej për vonesën në doganë. Roshi ndërhyri:
– Si ju quajnë? – e pyeti të huajin.
– Richard Wagner!
– Jam i lumtur, – u përgjigj Roshi, – që i shërbej një muzikanti të madh.
– Po si më njohët?
Si përgjigje ai nisi të këndojë disa pjesë nga “Tanhojzeri”.
– Ah, – ia bëri Wagner, – kjo është një shenjë e mirë, nesër jeni i ftuar të hamë mëngjesin së bashku.
Muzikanti i madh dhe poeti i vogël u morën vesh kaq mirë sa ditën tjetër Wagner i dha Roshit detyrën që të përkthente frëngjisht “Tanhojzerin”, transmeton ‘konica.al’.
Wagner dhe varri i tij
Wagner kishte sjellje të çuditshme dhe krejt të veçanta. Ai e ndërtoi vetë varrin e tij kur ishte gjallë, varrin e ngriti në kopsht në pjesën e poshtme të shtëpisë dhe fare pranë saj. Kur kishte miq të ftuar në tryezë shpesh u fliste për varrin dhe për vdekjen e tij.
– Miqtë e mi – thoshte ai, – edhe kur jeta na buzëqesh shumë, jemi gjithnjë pranë vdekjes. Kam dëshirë të madhe t’ju tregoj varrin tim.
Të gjithë të ftuarit shkonin për të vizituar varrin e tij.
——————–
Lexo edhe:
Misteri: Ku mbeti shtresa fillestare e Piramidave të Egjiptit?
ObserverKult