Pse shqiptarët e Kosovës janë të veçantë?

Nga Blerim Gashani

Secili person, sikur thotë vetë fjala, është unik, është divers, i dallueshëm nga të tjerët, është i veçantë. Edhe për popujt, vlen e njëjta. Edhepse kolektivitete të gjera, prapëseprapë popujt kanë histori e rrugë të veçantë, cilësi, zakone, adete, veti e sjellje unike, tekefundit krejt këto i bëjnë ata të kenë formim e karakter të dallueshëm e special. Me gjuhën e sotme, secili komb ka identitetin e vet.

Pse kosovarët (=shqiptarët e Kosovës) janë të veçantë? Po radhisim disa përgjigje dhe, mos të harrojmë, këtu po flasim për një shumicë ku përjashtimi përforcon rregullën:

1. Nuk ka popull mbi këtë rrokulli, që do t’u qëndronte planeve, elaborateve, strategjive, aleancave dhe lobimeve tek Fuqitë e Mëdha, fushatave gjenocidale, luftërave, deportimeve, kolonizimit, presionit e dhunës sistematike shekullore e të mos zhdukej si kolektiv, të mos tjetërsohej, asimilohej, dehumanizohej e të mos ikte pa kthim nga ai vend ku po i ushtroheshin këto. Kosovarët, po!

2. Nuk ka popull në këtë rruzull që do t’i qëndronte një gjenocidi 1912/13, një hakmarrjeje 1918, një fushate 1944/45 e një dhune sistematike gjysmëshekullore, që kulmoi me gjenocid e deportim masiv më 1999. Kosovarët, po!

3. Nuk ka popull nën këtë qiell që ka përjetuar murtajën komuniste dhe të mos i jetë prekur bërthama e njerzillëkut, të mos i jetë goditur e shkatërruar familja, të mos dehumanizohej e alienohej nga vetitë e cilësitë njerëzore universale. Kosovarët, jo!

4. Nuk ka popull në këtë sferë me plot jetë, që ka jetuar plojën komuniste dhe nga ajo të dilte ende me familje të shëndoshë, të dilte më i iluminuar, më i emancipuar e me i vetëdijësuar se që kishte qenë; të dilte nga errësira e komunizmit më i ngritur, më solidar, më i ngrohtë, më i civilizuar, më njeri se sa që kishte qenë përpara. Kosovarët, po!

5. Nuk ka popull nën këtë diell, ku pas viteve 90-të të shekullit të kaluar, kur ra pandemia e komunizmit, ku nuk kanë vazhduar të ekzistonin grupe e parti, pozitë apo opozitë, të përbëra nga ish-paria komuniste e regjimit, me rëndësi, autoritet e me fjalën e vet në vendimmarrjen e atij populli. Tek kosovarët, jo!

6. Nuk ka popull në këtë planet, që me fillimin e frymës së re demokratike, do t’ua jepte krejt frerët e lëvizjes për liri e pavarësi, një fryme që as kishte përgatitjen, autoritetin e forcën e pushtetit paraprak e as aurën e të persekutuarit të regjimit që po binte, por e cila qe një klase intelektuale që nuk kishte asnjë forcë tjetër pos asaj morale dhe intelektuale. Kosovarët, po!

7. Nuk ka popull tjetër në këtë botë, që do të mund të refuzonte me vendosmëri e konsekuencë komplet sistemin arsimor që i imponohej nga pushtuesi dhe të organizonte një sistem krejtësisht të pavarur dhe paralel (në të vërtetë, sistemi i imponuar dhunshëm i serbëve ishte sistem paralel, jo ky yni, por për këtë një herë tjetër). Kosovarët, po!

8. Nuk ka popull tjetër në tokë, që në kushtet e luftës së vitit 1998/99 dhe pas saj, me një armik gjakatar e perfid, me fqinj të poshtër e hipokritë dhe nën ndikimin e ideologjive e klikave politike vrastare, por edhe nën thikën e fshehtë të tepër shumë shërbimeve të fshehta armike, nuk do të përfundonte në vëllavrasje. Kosovarët, jo!

9. Nuk ka popull tjetër në këtë copë shkëmbi të kësaj galaktike, që nuk do të kishte votuar për guerilët e krahët e tyre politikë pas një lufte çlirimtare. Kosovarët nuk u gënjyen dhe nuk votuan për një klasë e disa banda që paraqiteshin si ideologë politikë dhe që kishin uzurpuar meritat e luftës së shenjtë të UÇK-së.

10. Nuk ka popull tjetër në këtë trup qiellor që sillet rreth vetes, që të kishte nga gjiri e gjaku i vet një pasanik botëror si Behxhet Pacolli dhe të mos e votonte masivisht, kur ky t’ia kërkonte përkrahjen politike. Pacolli, një miliarder që u vinte kosovarëve nga perëndimi, por që kishte asete e ndikim në perëndim e në lindje, erdhi dhe u kërkoi votën. Kosovarët, edhepse në mjerim, i thanë ‘jo” edhe Behxhet Pacollit.

11. Nuk ka popull tjetër në këtë planet të kaltër që sillet rreth një ylli të zjarrtë, që në lojërat e para olimpike ku ka marrë pjesë si komb, ka fituar Medaljen e Artë. Kosovarët me Majlinda Kelmendin, po! Nuk ka popull që në kualifikimet e para për Kampionatin Evropian të Futbollit, ka fituar në grupin e vet dhe u ka shkaktuar humbje ekipeve botërore. Kosovarët me Dardanët, po!

12. (Kjo e fundit mbetet për t’u konfirmuar) Nuk ka popull tjetër në këtë planet të vetmuar, që – duke e ditur rrugën e përbashkët – nuk do të vazhdonte të rreshtohej pas LDK-së edhe pas marrjes së qeverisë gjatë pandemisë së koronavirusit. Kosovarët (presim dhe besojmë) jo! Pas këtij turpi, kosovarët do ta braktisin LDK-në. Përgjithmonë!

Pse?

Sepse kosovarët (=shqiptarët e Kosovës) janë të veçantë. Sepse, ata janë shenja e fundit e popujve të vjetër, mocanikët e të cilëve moti janë shkrirë e kanë dhënë shpirt në portat e modernitetit./ObserverKult