Poezi nga Luljeta Dano
Këtu është Malësi dhe i vdekuri duron.
Vajtojcat e rrethojnë menjëherë të sapovdekurin
dhe zbutin natyrën me vaj,
se miqtë e të ndjerit,
po thirren me eho nga mali në mal:
I mjeri unë, që u nisa të vij në vdekjen tënde.
Këtu në Malësi, miqtë duhet të hidhen nga vau në va,
nga lumi në lum, nga maja në majë,
ndaj i vdekuri duron.
Vajtojcat duhet ta nxjerrin dhembjen në shesh,
ku është e ku s’është:
I mjeri unë, që jam duke ardhur në vdekjen tënde.
Këtu në Malësi nuk ka fill elektriku dhe telefoni,
ndaj i vdekuri duron.
Vajtojcat luajnë një shfaqje ku mësohen fëmijët.
Reja gërvishet vetiu mbi oborr:
I mjeri unë, që pas tri ditësh do të jem në vdekjen tënde.
Këtu në Malësi ka borë që nuk shkrin,
ndaj i vdekuri duron.
Vajtojcat qajnë në emër të grave të kësaj shtëpie,
po gruaja si grua, qull jastëku nga lotët rutinorë.
pa të vdekur në mes të shtëpisë.
Reja griset vetiu mbi oborr:
I mjeri unë, që po vij në vdekjen tënde.
Këtu është Malësi dhe pushkët janë kokëposhtë,
ndaj i vdekuri duron.
Vajtojcat klithin për prarimin e pushkëve,
flamurit dhe grave kokëulura.
Reja shqyhet vetiu mbi oborr:
I mjeri unë, që po mbërrij në vdekjen tënde.
Këtu është Malësi dhe për të nderuar mikun,
nuset i dinë shërbesat e çlodhjes dhe përtëritjes,
shërbesat e ngrënies, pijes dhe gjumit,
ndaj i vdekuri duron.
Vajtojcat thonë se nuset numërojnë përditë si ne,
por pa nxjerrë nga goja asnjë fjalë,
me dhembje, me këngë, me rradhë.
I mjeri unë, që arrita në vdekjen tënde
Këtu në Malësi, unë kam vuajtur nga humbja e mikut,
aq sa s’rrëfehet,
ndaj i vdekuri duron.
Vajtojcat këndojnë edhe një fjalë për të,
në emër të mikut të fundit që s’erdhi e s’erdhi dot,
pranë këtij të vdekuri që duron:
I mjeri unë për ty, që nuk vij dot me vdekjen tënde
ObserverKult
Lexo edhe: