Vilson Blloshmi, poeti që nuk e vrau vetmia, por Partia

Vilson Blloshmi

17 korriku është një ditë e trishtë. Një nga ato ditë që hesht. Nga ato që përhumbesh poezive dhe kupton që një poet nuk e pushkaton dot. Sepse nuk ka plumb që mund të vdesë një varg!

Sot bëhen 40 vjet nga vdekja e detyruar e Vilson Blloshmit. Ai nuk ishte vetëm. Së bashku më të dhe intelektuali, poeti tjetër, Genc Leka, që nuk u nda kurrë prej tij. Por pse u ekzekutua Blloshmi? Çfarë e trembte Partinë, më shumë sesa përndjekja qysh prej bankës së shkollës për shkak të familjes të shpallur armike e popullit? E trembte fjala e tij? Bubullimat e mendimeve krijuese të një shpirti heroik? Për të shpallur në fund një vdekje aq tragjike?

Profesor Sadik Bejko i ka kushtuar kësaj figure historike të tij një vëmendje nga ato që do të takohet kohërave të ndryshme, nëpërmjet tri veprave, duke na pajisur me shumëçka. Shënime, përkthime dhe letra të Blloshmit, duke ruajtur kështu vazhdimësinë e ideologjisë dhe qytetërimit të një miti. Fuqia autoritare e të cilit kundërshtoi një regjim politik, duke na vënë në pikëpyetje dhe ditëve sot një guxim që ne ‘modernët’ nuk e sakrifikojmë dot.

Kjo ishte lufta e tij! Ngjason si një përfytyrim i një skene filmike apo pasazhi historik me një zanafillë prej lashtësisë. Duke na kujtuar mite tragjike të antikitetit në shek IX dhe X, epokë kjo e luftrave. E atyre betejave të brendshme të feudalëve të mëdhenj apo udhëheqësve ushtarakë rebelë nga Bizanti me arabët në Azinë e Vogël. Duke na sjellë në mend dhe paralelizuar kështu figurën e tij me një sërë figura qendrore heronjsh, këngët e të cilëve kushtuar tyre vijojnë të trumbetuar tingullin e asaj daulleje që nuk u ça kurrë.

Poezia e Vilson Blloshmit kishte zbritur aksidentalisht në Shqipëri, andaj më pëlqen ta quaj “poezia ishte mallkimi i tij, për të fituar përjetësinë”. Poezia tij të befason. I përket një tjetër shekulli dhe kryeqyteti. Por ndoshta dhe tjetërkund fatin nuk mund ta zhbësh, e dimë, ama të paktën nuk jeton një jetë ndryshe nën tradita vetë persekutimi sikundër Blloshmi në Shqipëri. Poezia tij, kjo aureolë, apo shtysë e një revolucioni që do të habiste më vonë një popull të tërë, duke ngjallur jetën psikike e bashkëkohore, zbriti nga Perëndia në Librazhd. Tingëllon e çuditshme, por ndodhi në fshatin Bërzeshtë, më 1948. Kështu rrugëtimi i saj në mendjen e shpirtit të Blloshmit do të jetësohej fshehtas. Netëve kulturës franceze dhe mengjeseve pyjeve. Vilson Blloshmi punoi si druvar dhe minator gjithë asaj jete të shkurtër, që në fakt ishte e një dimensioni madhor së brendshmi. E cila zgjati deri në gusht të 1976, kur u arrestua. Vetëm një vit më vonë do të ekzekutohej. Ishte vetëm 29 vjeç.

Diktatura e shtetit më 1945 i shpallli Blloshmët zyrtarisht armiq të popullit, duke bërë që jeta e tij kështu të jetohej fletësh, rreshtash apo ëndrrash që Komunizmi nuk i burgoste dot. Përpara se ta futnin në burg atij iu sekuestrua gjithçka. Çdo shënim, poezi, letërkëmbime, madje duke thirrur përkthyes nga gjuha frënge për të nxjerrë nënkuptimet e krijimtarisë së tij. Është e çuditshme se përse shteti u interesua kaq shumë për këtë krijimtari duke rrëmuar aty mes vargjesh prova për të urdhëruar mandej vdekjen e këtij profeti.

Historia e Blloshmit mendoj se duhet të përfaqësojë imazhin e poetit të vërtetë në sytë dhe fletët e Historisë Botërore.

Por çfarë dispononte dosja që zyrat e Sigurimit hapën dhe sekuestruan?

Fletore të shkruara me stilograf, nën të cilat lexoheshin emra të mëdhenj të pushtetit së penës. Dosjen e Blloshmit e udhëhiqnin burrat më të fuqishëm të botës. Bodler, Hygo, Dante, Euripidi, E.Poe, Volter etj. Tri blloqe me dorëshkrime. Në të parin shënohet data 11 shtator 1975. Një përkthim nga Hygo ‘’Legjenda e Shekujve’’:

‘’U përkula. Isha në anën tjetër të ferrit thellë; atje dergjej çdo gjëmë me natë mbështjellë. Edhe thirra: – Tiber! – Hë ç’do?,–më tha ai. – Aty rri. – Mirë. – Neron! Prej Romës tjetër lubi. Tha: Kush guxon e flet? Mirë, atje rri pra! Thirra: -Sanakerib! Tamerlan! Atila! – Pse na thirre, ç’do?- u përgjigjën tri gojë tok. – Aty të rrini, qepeni. Vetëm pak miq e shokë. U Ktheva: Nemrud! – Ç’ke?- Pusho. Prapë thërres: – Siry, Kambiz, Amilkar, Falaris, Ramses! – Ç’është? – Aty rrini. Pastaj te modernët kalova dhe tërë britmat e guvave me radhë i krahasova. Pallatet me shpellat, fronet me pyjet përpjetë, britmën e tigrit me britmën e Inocentit t’tretë; Nat-kob ku asnjë nga fajtorët nuk del. As Otoni nën togë, as Cerberi nën mantel; Mendueshëm, u kënaqa që ishin mirë ashtu dhe i pyeta: Kush është më i keqi ndër ju? Atëherë nga fund i honit, nga hije e sterrosur, ku e keqja nga mllefi i pafund i kanosur diku vajt u mërgua dhe u tulat e ra. Satani tha : – Jam unë! – E beson? – Borxhia,tha.’’

A ka pasur një qëllim për ketë shkrim?

Blloku i dytë i përket vitit 1974. Vendin më të madh e zënë përkthime rreth 600 vargje. Hygo, Bodler, Lermontov. Të gjitha përkthyer nga frëngjishtja dhe zbulimi për herë të parë i shtatë poezive dhe midis tyre poezia e fundit që mban datën 11 shtator 1975.

‘’Të egër neve heshtim në gji të natës së qetë,

Për gaz e brengë e djall më fare s’bisedonim.

Mbi tëmtha hap i kohës, ndonëse na shkelte lehtë

Na shkrojti rëndë me thembër diçka për këtë jetë.

Por, oh! U zhdukën fjalët sa nisëm t’i lexonim.

Në hetuesi Vilson Blloshmi ka thënë se këtë poezi e ka shkruar ngase pandehte se nuk do t’ia arrinte të martohej kurrë.

Ndërsa blloku i tretë dhe më voluminozi përmban përkthimin e plotë të novelës ‘’Zadig’’ të Volterit. Në fund të përkthimit ka vënë datën 18 prill 1970. Ishte ushtar në brigadë pune. Aty ku shkonin gjithë ata me ‘biografi të keqe’. Thuhet se aty në fshatin Tale të Lezhës, ai takohej me një prift katolik nga i cili përftoi dhe njohjen e gjuhës frënge. Poetët me të cilët është marrë më gjatë janë Hygoi dhe Bodleri. Disa nga poezitë e tij vijnë për herë të parë në shqip. Janë tetë prej poetit Bodler, këtij apostulli mendimet e të cilit të shndërrojnë deri fatin ndonjëherë. Do të thosha që është e çuditshme admirimi i Blloshmit tonë, që krahas punës së rëndë ditën, përzgjidhte pikërisht këta poetë për të manifestuar kështu në heshtje ndoshta vetveten.

Gjeniu i Librazhdit arrinte të procedonte një marrëveshje intelektuale nga sharra e druve tek gjenitë e analizës dhe logjikës në perandorinë letrare të romantizmit. Si është e mundur që Vilson Blloshmi mundi të na lërë pas një pyetje me kaq peshë? Pse në përzgjedhjet e tij ai do të udhëhiqej nga poezia e modernitetit duke zbuluar kështu çelësin sekret të njohjes së vetes. Duke jetuar kështu si ata me prodhime letrare dhe fuqimisht përqendruar tek qartësia mendjes.

Ne i detyrohemi Blloshmit! Thelbit dhe sakrifikimit të tij.

Më 31 gusht 1975, ndër shumë vargje të BODLERIT, ishte dhe kjo poezi ‘’I vdekuri i gëzuar” (shkruar nga ai më 1851 – Brengë e ideal) apo Epitaf për një libër të dënuar. (Shtojcë për Lulet e së keqes/ 1861 dhe përkthyer nga Blloshmi më 1975). Ai, si duket, po e parandiente; fundi po vinte.

‘’Në një tokë me pleh e me kërmij plot, një gropë të thellë dua për vete të gërmoj. Ku të mund të shtrij eshtrat e vjetra për kaq mot dhe si peshkaqeni n’dallgë në harresë të pushoj. I urrej testamentet e varret s’i duroj; sa t’rri t’i lutem botës të derdhë ndonjë pikë lot, i gjallë , do doja, më mirë korbat të ftoj, të ma përgjaknin krejt skeletin kërmë e ndot. O Krimba! Shok të zezë, pa veshë dhe pa sy. Një xhenaze e qeshur e litë po vjen aty; Filozofë qeflinj, bij të kalbjes gjithëkur, peshkomani kufomën vetëdija pa u brejtur dhe thomëni ka më për t’hequr torturë. Ky trup i lashtë, pa shpirt, i vdekur ndër të vdekur.’’

Ai gjithashtu ka lënë një fragment të mendimeve që kishte mbi jetën, përgjatë ditëve të para në hetuesi duke thënë se dhe këtë poezi të Bodlerit e ka përkthyer, sepse kam dashur të shpreh brengën time.

‘’ – Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit. Unë mërzitem shpejt. Kur më pushuan nga puna në Përrenjas dhe më kthyen në koperativë kam shkruar diçka në ditar, “Pse më bëhet kjo? Ç’duan nga unë, ç’kërkohet më? Ç’mund të bëja unë i futur 1500 metra thellë në tokë?”. Kam qenë në kulmin e dëshpërimit në këtë rast. Në vititn 1973 kam bërë një tjetër poezi për veten time. Atëherë kam qenë në gjendje ankthi dhe kam shkruar pikërisht kështu:

‘’Një ankth i llahtarshëm, ankth gjumi. Zgjuar. Tmerr. Më bëhet se nuk do të vdes kurrë. Medet, sikur njeriu të jetonte përjetësisht, sikur t’i ktheja së prapthi vitet e mia. Por jo për të rënë sërishmi në djep, por në arkivol.’’

Ai jetoi një realitet që nuk ishte realiteti i tij. Jetoi duke e shpërfillur egërsinë e kohës dhe lexuar në dritë të hënës duke mbytyr kështu helmet dhe lënë pas një dije prej filozofi. Sadik Bejko shkruan se:

“Ky njeri kishte lindur për të derdhur energji të mëdha dhe i kishte ato. Ishte një poet i kredhur fund e krye në fandaksinë e vet. Me gjetjet e reja nga shkrimet e ditarëve, të poezive dhe përkthimeve, personaliteti i tij ridimensionohet në regjistra jete.’’

Ndërsa Kadare shkruan se vrasja e dy poetëve të Librazhdit është një ngjarje me përmasa planetare.

Vilson Blloshmi u tmerrua dhe torturua në burg nga krerët e Sigurimit, hetuesit dhe etja për terr e Partisë. Deri ditën e fundit që u dha urdhëresa e ekzekutimit.

Ishte 17 korrik 1977 kur u ekzekutua me pushkatim nën akuzën: Sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë.

Vilson Blloshmi na ngre përpara një sfidë; atë të qëmtimit dhe zhbirilimit për të njohur veten dhe mbijetuar fatit. Ky poet i pafat ia doli në fakt përmes mendimeve demokratike qe na la pas. Prodhimtaria dhe pasuria e të cilit e bën atë të pavdekshëm.

Sepse një poet, dihet, nuk vdes kurrë./konica.al