Si ide ishte përmendur qysh në maj të vitit të kaluar. Por, në planifikimet zyrtare nuk kishte arritur të hynte. Edhe pse pa kurrfarë studimi apo plani paraprak, deputetët e Kuvendit të Kosovës ia kanë dhënë dritën jeshile propozimit për ndërtimin e një muzeu të gjenocidit.
Për këtë janë ndarë 100 mijë euro për sivjet. Sebep është bërë propozimi i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi. Amendamenti i tij për këtë çështje është miratuar nga deputetët në votimin e dytë të Projektligjit për rishikimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2020. Janë 100 mijë euro që janë marrë nga kategoria “Mirëmbajtja investive e rrugëve”, shkruan KOHA.
“Vendit tonë i mungon një institucion i cili përkujton krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës, prandaj propozoj që përmes amendamentit t’i hapim rrugë fillimit për ndërtimin e një muzeu të gjenocidit”, shkruhet në arsyetimin e Gashit, deputet i PDK-së.
Sipas tij, muzeu do të ngrihet për t’i kujtuar krimet e bëra në Kosovë gjatë viteve të luftës në Kosovë, ku mbeten të vrarë e të masakruar shumë fëmijë, gra, pleq e plaka. “Por, do të ketë edhe rol edukativ për brezat e ardhshëm”, ka shkruar ai në arsyetimin të cilin e ka lexuar edhe në Kuvend, të enjten e javës së kaluar.
Gashi kishte propozuar që të ndahet buxhet edhe për Arkivin e Shtimes, Kullën e familjes Fanaj në Vërmicë e Shtëpinë-muze “Fadil Vata”. Por, për këto amendamente nuk ka gjetur përkrahjen nga kolegët e tij deputetë. Ia ka dalë që të marrë mbështetje për ndarje të buxhetit për Qendrën Historike të Prizrenit, rrugën “Marin Barleti” në këtë qytet dhe dy qendra kulturore, një në Pagarushë të Malishevës, e një tjetër në fshatin Bellanicë të kësaj komune. Për projektin e Kullës së Ramë Bllacajt në Bllacë të Suharekës po ashtu ka gjetur mbështetje./koha