Fragment nga Orhan Pamuk: Nata e grushtit të shtetit

orhan pamuk

Nga Orhan Pamuk

Tre burrat, të cilët kur u mbyll perdja e teatrit, vrapuan të gëzuar jashtë me armë e nagantë në duar, me ulërima e thirrje, të ndjekur nga vështrimet e trembura të turmës, i kryesonte një gazetar, një komunist i vjetër me pseudonimin Demirkoll. Në organizatat prosovjetike të viteve 1970 ishte paraqitur si shkrimtar, poet, por më tepër si “truprojë”. Ishte madhosh. Pas grushtit ushtarak të viteve 1980, ia kishte mbathur në Gjermani dhe pas shembjes së murit të Berlinit ishte kthyer në Turqi me një leje të posaçme për të mbrojtur Republikën dhe shtetin modern nga guerilasit kurdë dhe “fondametalistët” islamistë. Dy shoqëruesit e tjerë ishin të grupeve nacionaliste turke, që fusnin hundët nëpër përleshjet me armë nëpër rrugicat e Stambollit gjatë netëve në vitet 1979-80. Të tre i kishte bashkuar mendimi për të mbrojtur shtetin dhe shpirti aventurier. Sipas disa të thënave, ata kishin qenë gjithnjë agjentë të shtetit. Njerëzit që ecnin rrëmujë teposhtë shkallëve të tromaksur dhe me dëshirën për të braktisur një çast e më parë Teatrin Popullor, nuk e dinin se cilët ishin këta burra, ndaj u sollën me ta si të ishin pjesë e lojës që po zhvillohej lart.
Kur zoti Demirkoll doli në rrugë dhe pa se bora ia kishte nisur shtruar, u hodh përpjetë si një fëmijë i gëzuar, shtiu dy herë në ajër dhe bërtiti: “Rroftë populli turk, rroftë Republika!”. Turma që po shpërndahej para hyrjes, u struk cepave. Disa njerëz i ndoqën me sy me buzëqeshje të trembur në fytyrë. Të tjerë morën një pamje prej fajtori, pasi po ktheheshin më herët në shtëpi. Zoti Demirkoll dhe miqtë e tij vrapuan tatëpjetë bulevardit “Ataturk”. Vazhdonin të hidhnin parrulla dhe të flisnin të lumtur me zë të lartë si të dehur. Të moshuarit që çapiteshin nëpër borë të mbështetur pas njëri-tjetrit dhe baballarët e familjeve me fëmijë të mbërthyer pas shoshoqit, filluan t’i duartrokisnin si me mëdyshje.
 Në cepin e rrugës “Kazëmbeu i vogël”, treshja gazmore iu avit Ka-së. Ata e vunë re se Ka i kishte dalluar më parë, ndërsa tërhiqej poshtë pemëve të ideve si t’i lironte rrugën një makine.
-Zoti poet, -e thirri zoti Demirkoll. –Ti do t’i vrasësh ata para se ata të të vrasin ty. Më kuptove?
Pikërisht atë çast, Ka e harroi poezinë që nuk e kishte hedhur ende në letër dhe që më vonë do ta titullonte “Vendi ku nuk ekziston Zoti”.
Zoti Demirkoll dhe miqtë e tij po ecnin përgjatë bulevardit “Ataturk”. Meqë Ka nuk donte t’i ndiqte pas, u kthye djathas në rrugën “Mali i zi” dhe atëherë e kuptoi se në kujtesë nuk i kishte mbetur asnjë grimë nga poezia.
Shpirtin ia kishte pushtuar e njëjta ndjenjë turpi dhe faji, si dikur në rini kur dilte nga mbledhjet politike. Në ato mbledhje, Ka nuk turpërohej vetëm se ishte një pinjoll borgjez e pasanik që jetonte në Nishantash, por edhe sepse shumica e diskutimeve ishin shumë të papjekura dhe të tepruara. Me shpresën se poezia mund t’i rikujtohej përsëri, nuk shkoi drejt në hotel, por vendosi ta zgjaste edhe ca rrugën e kthimit.
Sytë i zunë disa kureshtarë që kishin vrapuar të dilnin në dritare të shqetësuar nga ato që kishin parë në televizor. Është e vështirë të pohosh se sa dijeni kishte Ka rreth ndodhive të tmerrshme që u zhvilluan në teatër. Të shtënat e armëve kishin nisur para se ai të dilte nga ndërtesa e teatrit, por ka të ngjarë që Ka t’i ketë marrë për elemente të lojës këto të shtëna, bëma të zotit Demirkoll dhe të miqve të tij.
Të gjithë vëmendjen e kishte përqendruar te poezia, që nuk po i kujtohej. Kur e ndjeu se në vend të saj po formëzohej një poezi e re, e sistemoi në një cep të trurit të maturohej e të kristalizohej.
Nga larg u dëgjua një e shtënë e vetme. Ajo u shua pa jehonë në borë.
Sa bukur që binte bora! Me flokë të mëdhenj, e shtruar dhe e shurdhët, dukej sikur do të ndalte asnjëherë. Rruga e gjerë “Mali i zi”, ishte një e tatëpjetë që tretej në të gjithë gjatësinë e saj nën shtresën e borës në errësirë. Dukej e bardhë dhe misterioze! Në ndërtesën e bukur trekatëshe të bashkisë të mbetur nga armenët, nuk ndodhej askush. Akujt që vareshin nga pema e ides, ishin bashkuar me një turrë bore të mbledhur mbi një makinë që s’dukej më dhe kishin krijuar një perde tyli gjysmë prej bore, gjysmë prej akulli. Ka kaloi përpara dritareve opake të mbuluara me dërrasa në shtëpinë njëkatëshe të braktisur të një armeni. Teksa përgjonte frymëmarrjen dhe zhurmën e hapave të tij, në thellësi të shpirtit e ndiente se kishte aq forcë sa t’i kthente shpinën me vendosmëri grishjes për lumturi dhe gjallëri që iu duk sikur e dëgjoi për herë të parë në shpirt.
Në parkun e vogël me statujën e Ataturkut përballë rezidencës së kryebashkiakut, nuk ndodhej askush. Ka nuk dalloi asnjë lëvizje as përpara ndërtesës, godina më madhështore e Karsit, e mbetur nga koha e rusëve. Para shtatëdhjetë vjetësh, pas Luftës së Parë Botërore, kur ushtarët e carit dhe të padishahut u tërhoqën nga kjo zonë, në Kars u vendos qendra dhe asambleja e shtetit të pavarur që themeluan turqit. Në rrugën përballë ndodhej ndërtesa e vjetër armene, e braktisur nga ushtarët anglezë si pallati presidencial i të njëtit shtet republikan. Ka eci përpara duke dredhuar djathtas drejt parkut, pa iu afruar ndërtesës tashmë rezidencë e kryebashkiakut e ruajtur rreptësisht. Sapo la prapa edhe një ndërtesë tjetër të vjetër armene po aq e bukur dhe e paqtë sa të tjerat, kur rrëzë fushës së zbrazët aty pranë dalloi një tank që po largohej ngadalë e heshtur si në një ëndërr. Pak më tej, afër gjimnazit teologjik, kishte qëndruar një kamion ushtarak. Nga sasia e pakët e borës mbi të, Ka e kuptoi se makina sapo kishte mbërritur. U dëgjuan krisma. Ka u kthye mbrapsht. Zbriti poshtë përgjatë rrugës “Ushtarake”, duke iu përvjedhur policëve që po mundoheshin të ngroheshin brenda në barakën e rojës para residencës së kryebashkiakut me xhamat të veshura nga akulli. Tashmë e kishte kuptuar se poezinë e re të sapokrijuar në kokë dhe kujtimin që lidhej me të, do të mund t’i ruante në kujtesë vetëm nëse kthehej në dhomën e hotelit, pa u shkëputur nga shurdhëtia e kësaj bore.
Ndodhej në mesin e së tatëpjetës, kur nga rrugica përballë u dëgjuan zhurma. Ka ngadalësoi hapat. Dy vetë po shkelmonin derën e drejtorisë së telefonave.
Borën e shpuan dritat e një makine. Më pas Ka shqoi zërin e këndshëm të rrotave të veshura me zingjirë. Nga makina me civilë e afruar te zyrat e telefonisë, Ka pa të dilnin një burrë hijerëndë që ia kishin zënë sytë pak më parë në teatër kur mendoi të largohej dhe një tjetër të armatosur me kapuç të leshtë në kokë.
U mblodhën të gjithë para derës. Nisën të grindeshin. Nga zërat dhe nga drita që lëshonte llamba e rrugës, Ka e kuptoi se para derës po qëndronin zoti Demirkoll dhe shokët e tij .
-Si s’e paske çelësin?-tha njëri. –A s’je ti Drejtori i Përgjithshëm i telefonisë? A nuk të nisën për këtu që të ndërpresësh linjën. Si e harroke çelësin ti?
-Linjat telefonike të qytetit nuk ndërpriten këtu, por në centralin e ri në rrugën e Stacionit,-iu përgjigj Drejtori i Përgjithshëm.
-Ky është një grusht shteti dhe ne duam të futemi këtu, -tha zoti Demirkoll.- Edhe atje mund të shkohet, vetëm po të duam ne. U kuptuam? Ku është çelësi?
-Biri im, pas dy ditësh kjo borë do të reshtë, do të hapen rrugët dhe pastaj qeveria do të na kërkojë llogari të gjithëve.
-Ne jemi ai shteti të cilit i trembesh ti,-tha zoti Demirkoll, duke ngritur zërin.-A do ta hapësh tani menjëherë?
-Nuk e hap derën pa më ardhur një urdhër me shkrim!
-E shohim tani, tha zoti Demirkoll. Nxorri revolen dhe qëlloi dy herë në ajër. –Merreni këtë dhe mbështeteni pas murit, nëse vazhdon të këmbëngulë, qëllojeni,-tha ai.
Askush nuk i mori për të vërteta fjalët e tij, megjithatë, burrat e armatosur që shoqëronin zotin Demirkoll, e zvarritën zotin Rexhai drejt murit të zyrave të telefonisë. E tërhoqën pak djathtas, që plumbat të mos dëmtonin dritaret prapa. Në atë vend bora ishte shumë e butë dhe drejtori u rrëzua përtokë. I kërkuan falje, i zgjatën dorën dhe e ngritën në këmbë. Ia zgjidhën kravatën dhe ia lidhën duart prapa. Gjatë kësaj kohe po flisnin me njëri-tjetrin dhe po thonin se deri në mëngjes do t’i pastronin të gjithë armiqtë e kombit.
Kur zoti Demirkoll dha urdhër të mbusheshin armët dhe ata si një skuadër ekzekutimi u rreshtuan përballë zotit Rexhai.
Pikërisht atë çast nga larg u dëgjuan të shtëna armësh (ishin të shtënat kërcënuese të ushtarëve në kopshtin e fjetores së gjimnazit teologjik). Heshtën të gjithë dhe po prisnin. Bora që kishte rënë pa pushim gjithë ditën, tani pothuajse po reshtte. Mbretëronte një qetësi e mrekullueshme, e magjishme. Pak më vonë njëri prej tyre tha se ishte e drejta e të moshuarit. (nuk ishte aspak i tillë) të pinte edhe një cigare të fundit. I vunë një cigare në gojë zotit Rexhai, ndezën çakmakun dhe meqë u mërzitën ndërkohë që drejtori thithte cigaren, nisën të thyenin derën e zyrave me qytat e armëve.
-Sa keq për mallin e shtetit, -tha drejtori nga këndi.-Më zgjidhni se do ta hap.
Ndërkohë që po hynin brenda, Ka vazhdoi rrugën. Herë pas here dëgjonte të shtëna armësh, por nuk i bënin përshtypje më shumë se të lehurat e qenve. Të gjithë vëmendjen e kishte përqendruar te bukuria e natës. Ndaloi një copë herë përpara një shtëpie të vjetër dhe të braktisur armene. Pastaj ndaloi pranë rrënojave të një kishe dhe këqyri me admirim akujt që vareshin nga degët e pemëve me pamje si hije. Nën dritën verdhacake të zbehtë të llambave të rrugës në qytet, gjithçka dukej e trishtë si e dalë nga ëndrrat, sa Ka provoi një ndjesi faji. Por edhe i ishte mirënjohës këtij vendi të harruar dhe të heshtur që ia kishte pushtuar shpirtin me poezi.
Pak më tej, një nënë e zemëruar thërriste e nxehur nga dritarja të birin, i cili që nga rruga përgjigjej: ”Do të shkoj ta shoh se ç’po ndodh”. Ka kaloi mes tyre. Në cepin e rrugës “Faikbej” pa dy burra që dolën me nxitim nga një këpucari, njëri prej të cilëve një trupmadh në moshën e Ka-së, tjetri me një trup të hajthshëm si fëmijë. Dy dashnorët, të cilët prej dymbëdhjetë vjetësh u thonin grave se “po shkojmë në kafene” dhe takoheshin fshehtas dy herë në javë në këtë shitore që kundërmonte era zamkë, u kapluan nga paniku kur mësuan nga televizori gjithnjë i ndezur i fqinjit një kat më lart se në qytet qe vënë shtetrrethimi. Pasi u kthye në rrugën “Faikbej” dhe eci dy rrugica më poshtë, përballë shitores para derës së të cilës shihte çdo mëngjes banakun me peshk troftë, Ka dalloi një tank. Ashtu si rrugica, edhe tanku dukej si i rrethuar nga një heshtje mistike, si i pajetë, si një i vdekur, sa Ka mendoi se ishte i zbrazët. Por atë çast u hap kapaku, dikush nxorri kokën dhe i tha të kthehej menjëherë në shtëpi. Ka e pyeti për rrugën që të çonte në “Karpallas”. Por, para se ushtari të fliste, ai dalloi përballë zyrat e errëta të gazetës “Qyteti i skajshëm” dhe e kujtoi rrugën e kthimit.
Ngrohtësia e hotelit dhe dritat e hollit në hyrje, ia mbushën zemrën me gëzim. Nga fytyrat e klientëve me pizhame që po ndiqnin televizorin me cigare në duar, e kuptoi se po ndohte diçka e jashtëzakonshme, por si ai fëmija që përpiqet t’i shpërfillë gjërat që s’i pëlqejnë, mendja nisi t’ia xhironte gjithçka lehtas dhe çlirët. Me këtë ndjesi lehtësimi hyri në zyrën e zotit Turgut. I gjithë grupi vazhdonte të qëndronte ulur rreth tryezës dhe po ndiqnin televizorin. Kur pa Ka-në, zoti Turgut u ngrit në këmbë dhe i tha i nervozuar se vonesa e tij i kishte shqetësuar pa masë. Ai po thoshte edhe diçka tjetër, kur sytë e Kas-së ndeshën me ato të Ipekut.
-Poezinë e lexove shumë bukur,-tha Ipeku. Jam krenar për ty.
Ka e kuptoi menjëherë se nuk do ta harronte deri në fund të jetës këtë çast. Ishte aq i lumtur, sa po të mos ishin pyetjet e vajzave të tjera dhe pamja e përvuajtur e zotit Turgut, nga sytë mund t’i kishin shpëtuar lot.
-Më duket se ushtarët po bëjnë diçka, -tha zoti Turgut me shqetësimin e atij që nuk e di nëse duhet të shpresojë apo të hidhërohet.
Tryeza dukej lëmsh e li. Dikush kishte shkundur hirin e cigares brenda lëkurave të mandarinës, iu bë se ishte Ipeku që e kishte bërë këtë. Kur Ka ishte fëmijë të njëjtën gjë bënte edhe njëra prej tetove, teto Mynirja, fis i largët i babait por e re në moshë dhe megjithëse nëna e Ka-së kur fliste me të nuk e hiqte nga goja fjalën “zotëria juaj”, përsëri e nënçmonte.
-Kanë njoftuar shtetrrethimin në qytet, -tha zoti Turgut.-Na tregoni se ç’ndodhi në teatër.
-Politika nuk më intereson,-iu përgjigj Ka.
Të gjithë, Ipeku në krye, e kuptuan se këto fjalë i dolën nga shpirti. Gjithsesi, ai u ndje disi fajtor.
Tani dëshironte të ulej dhe të vështronte Ipekun për një kohë të gjatë pa thënë asnjë fjalë, por “atmosfera e natës së grushtit të shtetit” brenda shtëpisë, sikur e shqetësonte. Kjo ndodhte, jo sepse ruante kujtime të këqija nga netët e ndërhyrjeve ushtarake gjatë viteve të fëmijërisë, por sepse gjithkush po i drejtonte pyetje.
Handen e kishte zënë gjumi në një kënd. Kadifja po ndiqte televizorin, që Ka s’donte t’ia hidhte sytë, ndërsa zoti Turgut dukej i kënaqur, por edhe i shqetësuar se diçka e çuditshme po ndodhte.
Ka u ul një copë herë pranë Ipekut, i kapi dorën dhe i tha që të ngjitej lart në dhomën e tij. Kur e ndjeu se nuk mund të duronte të qëndronte larg saj. Ka u ngjit lart në dhomë. Aty kundërmonte aroma e njohur e drurit. E vari pallton me kujdes në çengelin prapa derës. Ndezi llambën e vogël pranë kokës së shtratit. Lodhja dhe një lloj uturime që dukej sikur vinte nga fundi i dheut, ia kishin pushtuar jo vetëm shtatin dhe kapakët e syve, por edhe dhomën dhe gjithë hotelin. Ndaj e kuptoi se poezia e re që sapo i erdhi në mendje, vargjet e së cilës po i hidhte me shpejtësi në bllok, ishte vazhdimi i shtratit mbi të cilin qe ulur, i dhomës së hotelit, i qytetit të Karsit të mbuluar nga bora dhe i gjithë kësaj bote. Poezinë e titulloi “Nata e grushtit të shtetit”. Poezia niste me çastet kur e gjithë familja zgjohej në mesnatë gjatë ndërhyrjeve ushtarake në vitet e fëmijërisë dhe ashtu me pizhame dëgjonin radion dhe marshet, por pastaj gjithçka kthehej në darkë festive.
Më vonë kjo do ta shtynte të mendonte se pikënisja e poezisë nuk ishte grushti i shtetit, por kujtesa, dhe të tillë do ta klasifikonte edhe në kristalin e borës. Një gjë e rëndësishme në poezi ishte se, ndërkohë që në botë mbizotronin fatkeqësitë, një pjesë e trurit të poetit duhet t’i bënte rezistencë kësaj dukurie. Poeti tani mund të jetonte si në ëndërr. Kjo ishte vështirësia që duhej të kapërcente ai! Pasi mbaroi poezinë, Ka ndezi një cigare dhe hodhi vështrimin tej dritares.

*Shkëputur nga romani “Bora” i përkthyer nga Drita Çetaku-Turdiu

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

FAIK KONICA: SHQIPTARËT JANË LUFTËTARË KRYENEÇ