Begzad Baliu: Rrëfimi i nënës për shtëpinë e djegur në fshat

Nga Begzad Baliu

U dogj edhe shtëpia jonë në fshat
Biro, mos u mërzit, – më tha në mbrëmje me telefon, – mos u mërzit
Luftë është
Janë djegur shumë shtëpi, fshatra e qytete në Kosovë
Do të digjen edhe të tjera
Luftë është
U dogj edhe e jona
Mos u mërzit

*
Pamë tek po afroheshin autoblindat serbe, policë të maskuar, vullnetarë të rruar kokash, zjarrvënës…
Biseduam me plakun dhe vendosëm:
I pari doli ai tek dyert e oborrit
Shtëpia në themel ka therrorin e saj dhe nuk bën të digjet pa një akt therrorie, – tha plaku duke shtypur plisin e bardhë thellë në kokë
Dhe doli…

*
Tek dyert e oborrit e korrën me mashinkë dhe u shtri në tokë, ngadalë, si një trung i moçëm
Pastaj flaka e përshkoi shtëpinë në të gjitha anët
Hambarin e drithit, ahurin, kotecin e pulave, plepin në fund të oborrit, gardhin
Pata kohë sa t’i liroj kafshët dhe ta zgjidh qenin
U shmangëm të gjithë drejt Dushkajës, ndërsa shtëpia digjej
Vetëm qeni dhe kali i qëndruan te koka plakut
Pas tankeve ushtarake erdhën autoblindat policore
Policët morën gjënë e gjallë: lopët, viçat, pulat
Qeni dhe kali nuk ju shkuan prapa, prandaj i vranë te kryet e plakut
Pastaj nipi i Tushës së Pllavicës me një grup romësh të Gjilanit morën miellin, drithin nga hambari, shporetin me zjarr të ndezur,
Frigoriferin pothuajse të prishur, televizorin me gjithë antenë
Tepsitë, ferteret e nxira, xhygymat dhe gotat e çajit të blera në Pazarin e Shkupit,
Vajin, pjatat, lugët, xhezven e kafes të blerë në Panairin e Llatinëve të Janjevës,
Filxhanat e kafes me gjithë tabakun e blerë në Shkodër gjatë Luftës së Dytë Botërore,
Sheqerin, kripën, kutinë e cigareve të plakut, të blerë në Selanik nga babai i tij Rama në fillim të shekullit XX, shkrepësen
Jorganët, çarçafët, jastëkët…
Morën e nuk lanë gjë, …ndërsa shtëpia digjej.

*
Po binte muzgu e trupi i plakut të vrarë në derë të shtëpisë
Luteshim të mos e marrin trupin e tij, kur sakaq breshëri plumbash erdhën nga mali
UÇK! UÇK! UÇK! – u dëgjuan thirrjet e policëve serbë, romëve dhe t’birit të Tushës së Pllavicës
Ia mbathen sa në të majtë sa në të djathtë, dhe ikën sikur të mos kishin qenë kurrë aty

*
U kthyem në fshat kush mundi e kush mbeti
Mblodhëm e varrosëm të vrarët…
Përparimi i Jonuzit, Florimi i Beqirit shkrepën një breshëri armësh dhe nderuan ushtarakisht të vrarët nga radhët e tyre, ushtarë të UÇK-së
Nuk ju tregova për historinë e asaj cope granate, të cilën plaku e mbajti në shpinë që nga viti 1944, si pjesëtar i NDSH-së,
Koha e tij, – thash më vete – ka kaluar, kohë tjetër ka ardhur, që i thonë Koha e UÇK-së

*
U dogjën të gjitha, biro
Luftë është, mos u mërzit
Në shtëpi vetëm oxhaku po qëndron në këmbë – thonë shej e mirë është!
Plaku shkoi me fytyrë
Dhe nusja jote sigurisht paska nis një djalë

*
U dogjën të gjitha, biro, – më thoshte nëna
Luftë është, mos u mërzit
U dogjën librat e babait dhe të gjitha librat që ti i pate sjellë në fshat pas Demonstratave të vitit 1981 nga frika se në Prishtinë mund t’i marrë Sigurimi serb
Botimi i parë i librit Istori e Skënderbeut e Naim Frashërit, me shënime në margjinë të At Shtjefën Gjeçovit
Lahuta e Malcisë e Gjergj Fishtës, të cilën Baci Bejtë, atëherë student i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, me Indeksin nr. 1, e pati blerë gjatë ekskursionit në Romë, në vitin 1959. Brenda saj ruheshin edhe shumë “fshehtësi” të tjera. Plaku ruante Himnin e Flamurit të Asdrenit dhe një vjershë të Nolit për Bajram Currin, ndërsa Shabani, atëherë student i albanologjisë në Universitetin e Prishtinës, kopjet e gazetave ilegale Liria e Zëri i Kosovës, si dhe disa këngë për Enver Hoxhën e Partinë e Punës së Shqipërisë, të cilat i pati fshehur menjëherë pas demonstratave të vitit 1981.
Kurani, një botim i Sarajevës në gjuhën boshnjake, të cilin Plaku e pati sjellë nga Mitrovica, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur pati shkuar atje ta blinte një guri të Mullinit
Dhjata (nuk e di e reja apo e vjetra), të cilën në vitet ‘80, kur ti ishe në Gjimnazin e Gjilanit, ta patën dërguar me postë nga Radio Monte Karlo
Një libër i vjetër me poezi të shkrimtarit Esad Mekuli, të cilën e ruanim më shumë për shkak të kopërtinës me një pamje malësori nga Rugova, se sa për shkak të poezive.
Një vepër pa kopërtina, e grisur nga revista Jeta e re, për të cilën Shabani thoshte se është romani i Adem Demaçit Gjarpijt e gjakut dhe e patë fshehur në librin e Eduard Kardelit, Zhvillimi i çështjes kombëtare sllovene. Plaku mendonte që mbi parimet teorike të kësaj vepreje të Kardelit, mund të shtrohej edhe çështja shqiptare në Jugosllavi.
Romani i Rexhep Qosjes Vdekja më vjen prej syve të tillë, të cilin Lida e Dadës Naxhë e patë blerë për lexim gjatë verës së vitit 1974, duke menduar se fjala është për një roman dashurie. Gjithë verën e atij viti, Bejta i Rizahit, Enveri i Rrahmanit, Shabani jonë, Nexhati Hasanit janë grind, se kush është autori e kush personazhi kryesor. Bejta thoshte, autori i vërtetë i romanit është Luan Dukagjini, e Shabani thoshte jo, autor i romanit është Rexhep Qosja, të cilin ai e njihte se e kishte Profesor të Estetikës në Prishtinë, ndërsa personazh i vërtetë mund të ishte Luan Dukagjini. Një ditë Enveri i Rrahmanit tha që, autori i romanit mund të ishte Luan Dukagjini apo Rexhep Qosja, po diku kishte dëgjuar se personazhi kryesor nuk ishte Xhezairi i Gjikës, po Adem Demaçi. Plaku e dëgjoi dhe i tha, ule zërin, të mos dëgjoj Ai, Kia i Selakut se na merr në qafë. Dhe aty e lanë. Lida nuk e mori më romanin me veti në Gjilan. Le të ruhet këtu në fshat, tha ajo.
Romani Kështjella e Ismail Kadaresë, të cilën e kanë lexuar gjysma e nxënësve të Mahallës dhe ngjante më shumë në një harmonikë se në një libër. Disa herë kam dashur ta gjuaj, po ja pata ruajt Myrvetit, se ajo ka qenë gjatë në burg dhe ndoshta nuk ka pas mundësi ta lexojë.
Libri Këngë historike të Rilindjes Kombëtare, të cilat plaku, netëve të dimrit, më shumë i këndonte nën zë se sa i lexonte. “O Abdyl, shite pasurinë, /shko në Berlin, shpëto Shqipërinë…”

II.
Pas luftës nëna nuk u kthye në fshat
“I vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët”, – arsyetohej ajo.
Kemi biseduar shumë herët me nënën për ato ditë trishtimi, të cilat e rëndonin shumë
Dyshonte nëse plaku ishte varrosur me plis apo ja kishte marrë Imeri i Muslisë
Ruana zot, lëkundej nga vendi ajo, Imeri nuk ka mbajtur plis dhe mund ta ketë bërë furrik të pulave plisin e plakut
Ankohej për njërën pandufkë, nëse i kishte mbetur në trenin e Fushë Kosovës, në Bllacë apo Kampin e Stankovecit. Para se të kthehej ajo e hodhi pandufkën por kur u kthye në Prishtinë e gjeti tjetër në shtëpi. U mërzit shumë, por besonte se me të i kishte lënë atje edhe vuajtjet e atij mallkimi. Nipat e mbesat, disa herë i patën blerë pandufke të reja, por asnjë palë nuk i ndejtën në këmbë, si ato që ja pati sjellë Myrveti, kur u martuam
Kujtohej shpesh për tubën e buburrecave sa një kodër, e cila u dogj pas shtëpie, bashkë me krenat e shtëpisë që ranë mbi ta
Kur u kthyem në të rënë të muzgut, – kujtonte ajo, – së pari e hodha një kovë me ujë mbi tufën e tyre, thash ndoshta ka shpëtuar ndonjë
Kujtohej shpesh për çerdhen e dallëndyshes së djegur nën strehën e hambarit, por nuk e dinte nëse aty kishte vetëm vezë apo zogj me krah ende të kapur për trupi. Mallkonte bollën e shtëpisë, sorrëshkinën dhe “një thi mace”, që shpesh ngjiteshin t’i kafshojnë zogjtë e sapo dalë nga veza, ndërsa plaku i gjuante me çfarë i qëllonte në dorë.

*
Nëna ime pas luftës kurrë nuk deshi të shkonte në fshat
I vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët – e përsëriste ajo
Plaku shkoi te vëllai i tij Tafa – shehit i vitit 1944. Tafën e pati pushkatuar te Fusha e Madhe, Tusha i Pllavicës bashkë me partizanët e Brigadës Maqedono-Kosovare
Unë po rri këtu në Prishtinë me fëmijët e nipat e plakut dhe të Tafës: Mustafën, Muharremin, Nezirin – thoshte nëna – e bindur se këtë të drejtë ja kishte miratuar edhe zoti. I vizitonte me mëngjes: Pinte kafe te Mustafa, çaj te Ramizja, hante një patate të pjekur te Mina dhe i kujtonin ditët e rinisë në Makresh, por fshatin nuk e donte
As donte ta pinte ujët e Kroit, të cilën me kova druri e kishte bartur “thik përpjetë” në të ritë e saj
As ta shihte Gropën e Qereçit ku ra dhe vdiq i biri Asllanit, pa i mbushur tri vjet
As të kalonte rreth Sklladit të arave ku varroseshin kopilat e fshatit dhe fëmijët e pafe, që vdisnin pa i mbushur “shtatë ditët e të lumit zot”
As ta shihte Lamën e Dautit, që ndalte kuajt në mes të ditës dhe “ja grahte çajit” vetë i pesëmbëdhjeti
As ta kujtonte Prronin e Shejtanit ku qe çmendur Hoxhë Kadria, me shtatë hajmali në xhep, Natën e Katragjeqave
As të pushonte te Krekci i Lamës Smajlit, ku uleshin shpesh milictë pas vitit 1981 dhe i pyesnin udhëtarët e rastit, nëse kishin parë në fshat ndonjë parullë me emrin “Kosova Republikë”, të shkruar me inicialet “KR”

*
Pas luftës nëna nuk u kthye në fshat
“I vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët”, – përsëriste ajo duke u kotur.
Telefon nuk mbante, madje as kontakte me njerëzit e fshatit, vetëm ndonjë thashetheme, të cilat ia tregonin vajzat e saj
E megjithatë i dinte të gjitha ato që kishin ndodhur para luftës, gjatë dhe pas saj.
M’i përsëriste shpesh pasdite dhe mbrëmjeve të vona pa gjumë.
Ajo e dinte se fshatin tonë e sulmoi me armë ushtria dhe policia serbe
Po shtëpitë i dogjën nipat e Tushës së Pllavicës dhe bijtë e Stojanit, – zadrugarit të Fshatit të Epërm
Ajo e dinte se plakun e vranë, jo pse i rrezikonte ai, po se nuk e duronin dot plisin e bardhë në kokën e tij
Ajo e dinte se po mos të b’zajshin me krisma pushke ata të UÇK-së, Përparimi, Florimi i Beqirit t’Kllokoçve e shokët e tyre, plakut as xhenazen nuk ja kishim gjetur
Ajo e dinte se dyert e oborrit, pas luftës i ka marrë Raifi i Sylejmanit, “e hallall i qofshin, se e ka ba katunin xhenet”
Ajo e dinte se krenat e padjegur të shtëpisë i ka marrë Habibi i Kllokoçve, -zoti e ruajt, qe e pastroi themelin e shtëpisë, që të mos mbushej me gjarpinj
Ajo e dinte se Koshin e Kollomoçit e ka marrë shoku im i bankës Ruhani i Beqirit, jo pse nuk kishte, po pse duke jetuar në Gjermani, kishte mësuar se të ruash trashëgiminë është kulturë dhe vlerë kombëtare

III.
Para se të vdiste e pata pyetur nëse ishte kujtuar t’i skajonte disa fotografi të fëmijërisë sonë
Po më pati thënë, jam kujtuar, po nuk i kam larguar
Nuk kam dashur t’i ruaj as fotografitë “e kohës së shkaut”
Më lëndojnë kujtimet e kësaj kohe
Po unë çka mund të ruaj në truallin e vjetër, e pata pyetur
Merre Enin dhe shko e lutu
Te shenjat e fshatit, me të cilat jetuam nga mëngjesi në mbrëmje: Oda e Mixhës Ramë, Fusha e Madhe, Shkolla me emrin e Skënderbeut, Mejtepi, që në vitin 1945 u bë Xhami, Varrezat e martirëve të vitit 1944, Kroni i Mahallës, Lisi i Orlit, Vorri i Bugarit, Bota e Kuqe, Guri i Hallës Hysë, Guri i Kanës, Bregi i Koshave, Dardha e Nanës t’Madhe, Vorret e Moçme, Mullini i Rimit, Dhevi i Zi
Te Varret e munguara të vullnetarëve të Luftës së Çanakalasë: Imer Shaban Islamit, Halil Hasan Miftarit, Qazim Idriz Osmanit
Te Varrezat e martirëve të kohës së bugarit: Hasan Radecit, Vocës së Ibishti, Sahit Isuf Isufit, Imer Zekës, Isuf Zekës dhe tri gra të familjes së Voc Radecit
Te Varrezat e të pushkatuarve nga partizanët në vitin 1944: Hajrullah Behlulit, Bejtullah Behlulit, Mustafë Ramadan Mustafës, Ali Kranidellit, Imer Ukshinit, Tahsin Hamdi Shehut, Shaban Govorit, Familjes së Poroshticve.
Te Familja e të burgosurve të parë pas Luftës së Dytë Botërore, në krye me Ramiz Osmanin. Dhe mos harro se ti mban emrin e njërit prej djemve të kësaj familjeje, emrin e Begzad Osmanit

*
Dhe mos harro të jetosh
“I vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët!, – këmbëngulte prapë Ajo
Duke zbritur drejt heshtjes
Duke u ngritur drejt qiellit
Duke u shu në përjetësi.
Prishtinë, mars 2023.

ObserverKult


Lexo edhe:

BEGZAD BALIU: NË FILLIM ISHE TI PASTAJ ERDHI OBAMA