Sot do të nisë intervistimi nga Këshilli Drejtues i UP-së, për tre kandidatët që synojnë postin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për një mandat 4- vjeçar.
Bëhet fjalë për Naser Sahiti, Faton Berisha dhe Blerim Rexha.
Çfarë pune paraprakisht ka bërë secili prej tyre, çfarë pozite kanë mbajtur para se të synojnë për të parin e UP-së?
Naser Sahiti, ish prorektor për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës, por kishte dhënë dorëheqje nga pozita e prorektorit në vitin 2018 për shkak të mospajtimeve me rektorin Marjan Dema.
Sahiti aktualisht është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinerisë Mekanike dhe ligjëron në Departamentin e Termoenergjetikës dhe Energjisë së Ripërtrishme.
Faton Berisha është kandidati tjetër në mesin e dy të tjerëve që synon të bëhet Rektor i UP-së.
Berisha aktualisht ka pozitën e prorektorit për kërkime shkencore dhe është profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në departamentin e Matematikës.
Berisha për disa vite ka qenë udhëheqës i Kosovës në olimpiadat ndërkombëtare të matematikës si dhe viti 2012 deri në vitin 2016 ka qenë anëtar i Këshillit Qendror të Studimeve Shkencore.
E kandidati tjetër që përmbyll listën e 3 personave që janë përzgjedhur nga komisioni për në garën e ngushtë për Rektor të UP-së, është Blerim Rexha.
Ai ka qenë drejtor i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, i zgjedhur në vitin 2015, ndërsa paraprakisht kishte mbajtur pozitën e Kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit,si dhe më parë ishte pjesë e strukturave të PDK-së.
Ndryshe Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka hapur konkursin për rektor të këtij Universiteti më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik.