Rruga për në kalanë e Borshit ka përmirësuar aksesin në një nga atraksionet historike kulturore të bregdetit të jugut, duke ofruar një mundësi alternative për turizmin në këtë zonë me aktivitet të lartë turistik.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, teksa publikoi fotografi të të apasionuarve pas lartësive tha se “nis gjithçka si një dëshirë për të shijuar jo vetëm detin dhe plazhin, por edhe lartësitë. Në Borsh aty ku edhe pse investimi ynë më i ri, rruga drejt Kalasë ka përfunduar, gjë që për këta njerëz plot pasion nuk përbën lajm”.
“Të apasionuarit tek sportet, veçanërisht ai i ngjitjes së lartësive Maraton Albania, ndajnë këto foto bashkë me ne”, – tha Goro.
Gjatë stinës së verës janë të shumtë të apasionuarit pas ngjitjeve të lartësive që kanë frekuentuar këtë pikë turistike në Borsh.
Kalaja e Borshit (ose Kalaja e Sopotit siç njihet në histori) ndodhet mbi një kodër të fshatit Borsh, që është 500 m mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III para Krishtit./ATSH