
Emin Sallahu, historian dhe ekspert i trashëgimisë kulturore, ka folur në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK për instrumentet e lashta muzikore dhe rëndësinë e ruajtjes së tyre si pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ai ka veçuar okarinën, një instrument frymor i periudhës së neolitit të hershëm, i zbuluar në vitin 1968 gjatë gërmimeve arkeologjike në fshatin Runik të Skenderajt.
Sipas Sallahut, okarina daton më shumë se 7 mijë vjet më parë dhe përbën një nga instrumentet më të lashta frymore të identifikuara në rajon. Ajo ka një formë të veçantë dhe dallon nga okarinat e tjera që prodhohen në vende të ndryshme të botës.
Sallahu ka shpjeguar se instrumenti fillimisht nuk ishte identifikuar si instrument muzikor, ndërsa më vonë etnomuzikologu Rexhep Munishi e studioi atë në detaje. Rëndësi të veçantë në rikthimin e tij në përdorim pati edhe instrumentisti Shaqir Hoti, i cili e riprodhoi okarinën sipas përmasave dhe karakteristikave të origjinalit.
Ai ka bërë me dije se okarina origjinale aktualisht ndodhet në Muzeun e Beogradit.
Sallahu ka treguar se janë ndërmarrë iniciativa për përfshirjen e okarinës në mbrojtjen e UNESCO-s, meqë synohet që ky instrument të marrë njohjen që meriton në trashëgiminë kulturore botërore.
Përveç okarinës, ai ka përmendur edhe lahutën, çiftelinë, sharkinë, fyellin, kavallin dhe instrumente të tjera që kanë zënë vend në traditën muzikore shqiptare.
Sipas tij, institucionet arsimore dhe kulturore duhet të angazhohen më shumë në dokumentimin, promovimin dhe përcjelljen e këtyre instrumenteve te gjeneratat e reja. Ai ka theksuar se prezantimi i tyre në shkolla dhe përfshirja në krijimtarinë muzikore do të ndihmonin në ruajtjen e kësaj trashëgimie./rtk
ObserverKult
Lexo edhe:
Kosovë-Itali, drejt marrëveshjes për bashkëprodhimin e filmave






