Përreth, male të lartë që përtypin re të zeza. Bora e bardhë, drejt meje zgjat dorën e më ftoh në ballë. Kujtimet vërshojnë, po ku të lënë pyetjet, kështu që kthehen në lumin Vjosë, të notojnë.
– Je poet, ë?
– Më lini të qetë të pi pak qiell.
– Librat t’i dogjëm.
– I mbaj mend të gjitha çastet e krijimit. Nuk mbaj mend fjalë, as tituj. Ato flakë, nuk u bënë dot dritë për ju?! Ndaj unë gjendem këtu.
– Pyetjet i bëjmë ne. Po pa na thuaj, edhe ti ke hapur Facebook?
– Po. Aty, e gjen vetveten ose e humb. Për shembull, unë lexoj poezi akoma të ngrohta, prozë të shkurtër ngarkuar sikur të jetë kalë. Aty, Poeti i sinqertë thotë ʺStop!ʺ me këto fjalë…
– Mos më trego ç’ka shkruar, më thua emrin e poetit!
– Nuk ta them, se do të ketë fatin tim…
– Ndal! E di pse je përpara pushkës?
– Jo.
– Më mirë! Më trego tani ç’lexon, të të them cili je.
– ʺMë të mirëtʺ, quhet lista e zgjedhur. Shijet vëllezër, shijet.
– Kush të tha që je vëllai ynë?!
– A nuk jini njerëz?
– Por kemi një armë në duar.
– Përdoreni në mua.
– Ti i vdekur je. Humbet orët në këtë listë duke menduar edhe vet që je një i tillë.
– Ju lutem, vërini dhelprat dhe ujqërit në gjumë.
– Ti mos fol! Vetëm kur të të pyesim, përgjigju. Tani na thuaj numërin.
– Nga 1200, 115 në atë listë.
– E kuptoni sa të dëmshëm jini ju poetët për ne politikanët.
– Tjetër gjë kuptoj unë, e tjetër ju.
– Mbushni armët!
– Prisni pak t’ju lexoj një poezi me titullin ʺDemokraciʺ.
– Jo poezi këtu! Tregona emrat e poetëve.
– Ka edhe prozatorë të mirë në atë listë, analistë shumë të paktë me dorë në zemër, politikanë pa maskë, dhe…
– More qen, nga ju po na vjen fundi. Trego emrat!
– Më vrisni!
– Zjarr!
Kur u zgjova, kuptova që isha gjallë dhe ata të vdekur. Duket puna, vranë njëri-tjetrin.
21 gusht, 2020
ObserverKult