Artisti i njohur, Gjergj Leka, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për festivalin “Na ishte njëherë muzika”, që pritet të “mbajë” zgjuar publikun në këtë kohë pandemie, pasi do të risjellë në skenë këngëtarë të të gjitha brezave.
Duke mos zbuluar shumë detaje mbi festivalin, që pritet të mbahet së shpejti, Leka tha se nata e tretë do të jetë më e bukura dhe me më shumë surpriza.
“Për festivalin kemi shumë surpriza. Më ka habitur fakti si arritën gjithë këta artistë të rregullojnë, jo vetëm të marrin biletën, por të flasin me qeveritë e të vijnë. Kanë ardhur shumë, do t’i mbajmë të gjithë në Tiranë, në Baldushk ku do të rrinë të gjithë në një ‘karantinë’. Aty do të bëhen provat e do të rrinë të gjithë me njëri-tjetrin. Ata e duan shumë këtë festival se e shohin si rikthim i tyre në skenë. Gjëja më e bukur është bashkëveprimi mes brezave, të rinjve dhe brezave të vjetër. Do jenë këngë të reja që do t’i këndojnë këngëtarë mes brezash. Nata e tretë do jetë plot surpriza, do të jetë një ‘musical’. Pas këtij festivali do të mbeten këngë, tradita. Kënga po lëngon më keq se Covidi, dhe po arritëm ta promovojmë, ne kemi fituar”, tha Leka.
Më tej, ai foli dhe për pandeminë e koronavirusit, ku tha se “Jemi të detyruar të zbatojmë të gjithë rregullat, për hir të situatës. Ideja për të promovuar këngën është më e madhe se cdo gjë tjetër, nuk promovohet individi, por kënga. Ne si shqiptarë e kemi shumë të vështirë të punojmë në grup. Kemi qenë gjithmonë egoistë me njëri-tjetrin, nuk kemi pranuar kurrë të ndihmojmë njëri-tjetrin, ndaj jemi këtu. Por shoh që po bëhet pak muzikë. Ka ndërmend të ndryshojë pak dhe ky është një lajm i mirë për artistët. Nëse flasim për ekonominë, di raste që janë vërtet shumë keq. Shumica e artistëve e kanë gjendjen keq. Por, pasojat e kësaj situate do t’i shohim në dimër, se tani dicka ecën”.