(Nënës Terezë)
Dhe toka ka pak dritë, Nënë
njerëzit janë të rreptë,
dënojnë dashuritë.
Njerëzit kanë harruar të lindin,
ata nuk zgjasin dorë,
se nuk kanë,
kanë sall ca sëpata të mprehta,
ua kam frikën, Nënë.
Më the
ta rindërtoj pa bëzamë
atë që ma prishën natën,
atë që e bëra tërë jetën
dhe unë s’guxoj.
Kam atë djallin përbrenda
që më kërkon shpagim për ty
që s’të zuri kurrë.
Botë e tërë e varfër
dënon dashuritë.
Të varfër janë të pashpirtët, më the.
Të varfër janë të paditurit,
të gjithë janë të varfër ngapak
dhe s’kanë mëshirë për veten.
Ndihmoji, o Zot, mëkatarët, thua.
Unë s’e them dot.
Jam e varfër, Nënë
si bota.
(2004)