Pikat e kthesës, nga emigrimi i njerëzve nga Afrika 70 mijë vjet më parë, deri tek Hiroshima
Historiani Andrew Marr i prestigjiozes “The Guardian” zgjedh momentet më interesante që ndryshuan historinë, pikat e kthesës në histori, që nga emigrimi i njerëzve nga Afrika 70 mijë vjet më parë, deri tek dinastia e Çingis Hanit, dhe Hiroshima. Kjo e fundit cilësohet si ngjarja kryesore që solli ndryshimin e botës. Sot hedhja e bombës atomike në Hiroshima si edhe në Nagasaki, debatohet gjerë nga të dy palët në fjalë (ShBA dhe Japonia) dhe ndonjëherë debatohet edhe nga palët e tjera. Ky lloj sulmi ishte sulmi i parë nuklear në botë dhe shpërthimi i kësaj bombe do të përshpejtonte dorëzimin e Japonisë Imperialiste, duke i dhënë fund luftës. Japonia do të dorëzohej zyrtarisht më 2 shtator 1945, duke i dhënë fund luftimeve në glob. Por ndërkohë që njëra palë e shikon këtë gjest (hedhjen e një bombe atomike) si të domosdoshme për kohën (pikëpamja e ShBA), pala tjetër (pikëpamja e Japonisë) e shikon si një krim të shëmtuar kundrejt njerëzimit. Në ShBA, debati merr një formë krejt tjetër dhe kjo palë insiston se hedhja e bombës atomike, i dha fund luftimeve shumë më shpejtë se sa do të mund të përfundonte në kushte normale. Në kushte normale, hamendësohet se lufta do të shkaktonte një numër shumë më të madh viktimash nga të dy palët. Operacioni Downfall parashikonte pushtimin e brigjeve japoneze duke rrezikuar një “Normandi tjetër” për amerikanët. Pala japoneze ndërkohë, pretendon se hedhja e bombës atomike, ishte një veprim i shëmtuar dhe aspak i domosdoshëm; një sulm ky që goditi kryesisht civilët. Historianët thonë se shkencëtarët që krijuan bombën bërthamore nuk ishin plotësisht të sigurt se çfarë ishin duke bërë. Por pavarësisht në se në çfarë drejtimi, bota ndryshoi nga shpërthimi i bombës së parë atomike dhe hyri në epokën bërthamore.
1. Një familje
70,000 vite më parë, njerëzit modernë u larguan nga Afrika, duke u shpërndarë në të gjithë planetin, direkt pas kalimit të një fisi në Arabinë e sotme. Në të vërtetë, është llogaritur që çdo qenie humane që është i gjallë tani dhe nuk është afrikan, rrjedh nga një grua e vetme. Arkeologët mendojnë se kjo tezë është shpjegimi kryesor. Nga Tokio në Helsinki, nga Sao Paolo në Saffron Walden, ne jemi të gjithë një familje.
2. Shpikja e qullit (11 mijë vjet më parë)
Ky është një nga të paktën 5 momente më të veçanta përsa i përket zbulimeve të bujqësisë. Mbjellja dhe zgjedhja e drithërave çuan në shpikjen e qullit. Kjo nënkuptonte që njerëzit kishin ndaluar së qeni gjahtarë nomadë, popullsia ishte rritur dhe kishte më shumë gojë për t’u ushqyer. Kjo solli edhe prishjen e dhëmbëve, dhembje shpine dhe punë të mërzitshme. Por pa të nuk do të kishte fshatra, qyteza, perandori, makina, jo ulje në hënë dhe nuk do të kishte as histori mbi të gjitha.
3. Da Yu dhe përmbytja e madhe (2000 vjet para Krishtit)
Da Yu është më shumë një figurë mitike se sa historike. Mendohet se ai ka bashkuar klanet që jetojnë përgjatë Lumit të Verdhë Kinez duke i bindur ata të bashkëpunojnë për ndërtimin e rrjetit të madh të kanaleve për t’i dhënë fund përmbytjeve të mëdha. Rezulton se lidhja ndërmjet lumenjve si Lumi i Verdhë, Nili dhe Tigër dhe rritjes së qytetërimeve të hershme është shumë e fortë. Njerëzit bashkëpunonin me njëri-tjetrin në formë tepër të organizuar. Da Yu simbolizon diçka me të vërtetë reale. Më pëlqen idea se heroi i parë i Kinës ishte inxhinier.
4. Rënia e Saulit (viti 35 pas Krishtit)
Pse besimi i Jezusit të Nazaretit e fshiu Mesdheun? Bërësi i tendave nga Tarsis dhe ndjekësi i kristianëve, i ashtuquajturi Saul, dhe më pas Paul, pas momentit të famshëm në rrugën e Damaskut, vendosi që ky besim ishte për këdo, jo vetëm për hebrenjtë. Udhëtimet e tij misionare e përhapën fjalën edhe në Romë. Perandori Kostandin (i cili helmoi djalin e tij të jashtëligjshëm dhe zieu gruan për vdekje në banjë) e bëri Krishtërimin fenë zyrtare në Romë, dhe tani është feja më popullore në botë.
5. Lindja e Temujin (viti 1162)
Temujini lindi dhe mbijetoi pavarësisht dëbimit nga fisi i tij. Ai jetoi me plot vështirësi në pyll. Më vonë Temujin rriti pushtetin e tij, bashkoi të gjitha fiset mongole dhe mori emrin Çingis Han, ose sunduesi i botës. Pushtimet e tij mëdha në Azi shkatërruan qytetërimet myslimane dhe vendosën balancën për herë të parë në favor të Europës së Krishterë – një pasojë e paqëllimshme e një karriere që ndryshoi dhe Rusinë, Indinë dhe Kinën, duke e bërë Temujinin njeriun më me ndikim në histori.
6. Pizarro i bën pritë perandorit të Atahualpa
Inca (perandoria më e madhe kolumbiane-amerikane) dhe perandori i tyre, Atahualpa, nuk ishin të pafajshëm. Ata ishin një bandë e pamëshirshme, në fillim të tronditur nga baruti spanjoll dhe më pas nga mikrobet. Më shumë se 95% e popullsisë u zhdukën pasi europianët arrinë në Amerikë. Fiksimi i Francisco Pizarro me ar dhe argjend, bëri që spanjollët të rrisnin pasurinë e tyre nëpërmjet zbukurimeve të kishës. Ata patën disa luftëra të pasuksesshme, ndërsa njerëzit e Pizarro-s humbën objektin me të vërtetë më të vlefshëm rreth tyre – pataten.
7. Edward Jenner zbulon vaksinimin (viti 1796)
Njerëzit e dinin shumë mirë për një kohë të gjatë se që të ndaloje sëmundjen ‘smallpox’ (një nga sëmundjet infektive më vrasëse) mjaftonte injektimi i një sasie të vogël qelbi. Por edhe kjo ishte e rrezikshme. Jenner zbuloi një vaksinë të re të cilën e provoi tek një djalë në zonën Gloucestershire. Sot, atij nuk do t’i lejohej të bënte diçka të tillë, por ai shpëtoi më shumë jetë humane se askush tjetër në botë. Sëbashku me Shekspirin, ai meriton të jetë një ndër anglezët më të njohur.
8. Margaret Sanger dhe Katharine Dexter McCormick takohen për drekë, Nju Jork
Njëra ishte rebele irlandeze-amerikane anarkiste, tjetra një anëtare e pasur e aristokracisë amerikane. Së bashku, ato u morën me kontrabandën e kontraceptivëve, dhe më vonë të kapsulave. Kjo aleancë bëri më shumë se çdo lëvizje tjetër politike. Sanger nuk ishte një grua e admirueshme – një egocentriste dhe shpeshherë gënjeshtare, por gjithsesi ajo mbetet në histori si një ndryshim-bërëse e madhe.
9. Një polic provincial mungon .. (1923)
…një rebel pranë Hitlerit qëllohet për vdekje. Revolucioni i birrës në Mynih përfundoi në një kaos të tmerrshëm. Një vit më pas, Hitleri mori një dënim relativisht të lehtë për tradhti. Në burg ai diktoi një libër me titullin “Katër vitet e mia në luftë me gënjeshtrën, budallallëkun dhe frikën”. Por pasi e riemëroi librin me titullin “Beteja ime” (Mein Kampf), Hitleri i tregoi botës pikërisht atë që kërkonte të bënte më pas – çfarë mendonte për hebrenjtë dhe fatin e Gjermanisë Lindore. Por atëherë bota nuk po dëgjonte më.
10. Hiroshima (1945)
Ky projekt i solli shkencëtarët nga Amerika dhe Europa, i bëri ata sëbashku për të krijuar bombën atomike, e cila shkatërroi Hiroshiman dhe Nagasakin. J Robert Oppenheimer, njeriu në detyrë, mbetet një nga enigmat më të mëdha në historinë e njerëzimit – humanitar, tmerrësisht i kulturuar dhe i tërhequr nga fetë lindore…dhe një burrë që llogariti lartësinë precize të një shpërthimi që do të digjte për vdekje shumë qytetarë, përfshi dhe fëmijë./TiranaObserver