reklamë

Jetë Zhitia-Emini: Një mjeshtëri maskash, kritikë mbi shfaqjen “HOLLYSHIT”

Kritikë mbi shfaqjen “HOLLYSHIT”, te TANOFEST, më 19.11.26. Luajtën: Adrian Morina, Ylber Bardhi Regjia: Ilir Bokshi

Nga Jetë Zhitia-Emini

Ngjarja. “HOLLYSHIT”, me regji të Ilir Bokshit, është një tragjikomedi e bazuar në dramën Stones in His Pockets të dramaturges irlandeze Marie Jones, shkruar në vitin 1996. Ngjarja zhvillohet në një zonë rurale të Irlandës perëndimore, në një komunitet të vogël që përballet me pasojat e rënies së jetës tradicionale rurale: mungesën e vendeve të punës, pakësimin e mundësive dhe zbrazjen ekonomike e shoqërore të fshatit. Kur një produksion hollivudian mbërrin për të xhiruar një film në këtë peizazh, banorët vendas punësohen si statistë dhe përfshihen përkohësisht në botën e shkëlqimit të kinemasë. Në qendër janë Charlie Conlon [Çarlli Konllon] dhe Jake Quinn [Xhejk Kuin], të cilët përballen me përplasjen midis imazhit të romantizuar të Irlandës rurale, të prodhuar nga Hollywood-i, dhe realitetit të jetës së banorëve të saj. Përmes ndërrimit të shpejtë të roleve nga dy aktorët, shfaqja ndërthur humorin me një histori shfrytëzimi, zhgënjimi dhe tragjedie, e cila nxjerr në pah disa nga plagët më të thella të shoqërisë irlandeze, ndër to abuzimin seksual brenda Kishës dhe vetëvrasjen e burrave, të lidhur me një realitet të vrazhdë fshati që lë pak hapësirë për cenueshmërinë dhe shprehjen e vuajtjes.

Mjeshtëria e lojës me maska. Kur Ylber Bardhi ose Adrian Morina përdorin një ose maksimum dy rekuizita skenike për ta bërë të lexueshme që po e luajnë një rol ndryshe nga ai tjetri dy sekonda më parë – se me këtë frekuencë dy aktorët ndërrojnë mes 15 roleve që ka pjesa – ata ndërrojnë mënyrën se si e mbajnë gjithë trupin: nga këmba deri në formën e buzëve, deri të modulimi i zërit dhe të theksit. Teknika e tyre është aq e përpunuar sa duket sikur rolet marrin formë nga hiçi dhe shfaqja e tyre e papritur pushton shqisat dhe mbizotëron dijeninë mbi faktin që gjatë gjithë kohës janë vetëm Bardhi dhe Morina ata që janë në skenë dhe jo 15 figura të ndryshme që shfaqen, fshihen dhe shfaqen përseri.

Ylber Bardhi vendos një kapelë rozë me një bisht flokësh mbi kokë, kap megafonin, luan me flokët, trupin e mban të lakosur nga mbrapa dhe mjekrra i ikën larg nga qendra e fytyrës kur flet me zanore të zgjatura, gjestikulon me krahë të drejtuar nga toka, pëllëmbat drejt publikut dhe i jep fundit të çdo fjalie një kadencë ku shumë shpejt njëra pas tjetrës zëri shkon njëherë lart pastaj poshtë. Përpara kemi asistentën e gjirimit të filmit e cila iu vërsulet statistave sikur të ishin qen. Me të njejtin përkushtim dhe mjeshtëri, Bardhi na njofton me disa role të tjera.

Për personazhin e Caroline Giovannisë [Karolajn Xhovani], Adrian Morina e përshtat lëvizjen dhe qëndrimin e trupit me një imtësi, aq sa dallojmë që është shfaq Caroline Giovanni ulur këmbëkryq në mes të skenës me një turban të verdhë, me xhevahir dhe pendë në mes, për meditim si duket, edhe pa hapur gojën, pa bërë asnjë zë, edhe pse me personazhin e aktores se pari publiku është njohur nepërmes rekuizitave krejtësisht tjera dhe duke folur me një theks të veçantë. Këtu qëndron mjështëria e lojës me maskë.

As Ylber Bardhi, as Adrian Morina nuk kanë nevojë për rekuizitqn. Fjala maskë përfundimisht ka marr kuptimin si diçka që mbulon fytyrën pas kalimit në modernitet që i bie pas vitit 1800. Mëparë, maska në teatër nënkuptonte shndërrimin e trupit në vatër për një prezencë tjetër nëpërmes fshehjes dhe shfaqjes. Rekuizita që sot njohim si maskë është vetëm një pjesë e vogël e mjeshtërisë së lojes teatrore me maskë.

Konteksti shoqëror. Shfaqja nga komedia shndërrohet në një tragjikomedi kur vjen lajmi që një burrë i ri, Sean-i [Shani], i dorëzohet mendimit për vetëvrasje pas refuzimit brutal nga aktorja Caroline Giovanni. Aktorja reprezanton klasën e pasur e cila shkon në fshatin irlandez për ta keqpërdorur peisazhin dhe fshatarët si statista, me ëndrrat e tyre për një jetë më të mirë në SHBA, diku larg varfërisë së Irlandës që është boshatisur. Ekipi i xhirimit nga Holivudi nuk merr në konsideratë dhimbjen e fshatarëve dhe dëshirën e tyre për të marr pjesë te varrimi i Sean-it por insiston që skena e dasmës të xhirohej sipas planit. Në sytë e ekipit holivudian, fshatarët janë vetëm një numër statistash, krah i lirë pune, të cilët vazhdimisht filmohen duke prashit. Pra puna e tyre reale brenda filmit shëndrrohet në sfond për romanticizmin holivudian.

Në një skenë të mëvonshme e cila nuk merr shumë reagime apo mbase as vëmendje nga publiku, ose mbase injorohet, shfaqja tregon që Sean-i [Shani] ishte përdhunuar nga prifti kur Sean-i [Shani] ishte akoma fëmi. Pra vetëvrasja qe pasojë e një shëndeti mental të mbingarkuar i cili nuk mori mjaft ndihmë dhe mbështetje për t’a përballuar traumen e shkaktuar nga përdhunimin. Një çështje që vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së popullit irlandez, të shoqërisë së tij civile, të prodhimit kulturor dhe të institucioneve të vendit.

“Tempulli më i shenjtë i popullit shqiptar”. Mjeshtërinë e arritën Ylber Bardhi dhe Adrian Morina pavarësisht një salle të zhurmshme. Teatri Migjeni në Shkodër atë natë u bë sallon llafesh dhe vendngjarje e një afektimi reaksionar¹. Gjatë gjithë shfaqjes bisedat mes njerëzve brenda publikut nuk mbaronin dhe e mbushen sallën e cila edhe ashtu nuk ka akustikë mjaft të mirë për aq shumë rreshta ulëse sa mbanë. Kërkesat e vazhdueshme nga anëtarë tjerë të publikut me “psssst!” injoroheshin. Gjithsesi, në teatër shkohet jo vetëm për të parë shfaqjen por për të i parë tjerët duke e parë shfaqjen.

Mu në qendër të sallës me pamjë mbretërore ishin ulur aristokracia artistike e Shkodrës, juroret e TANOfestes. Arjan Çuliqi, Zyliha Miloti dhe Primo Shllakut të rrethuar nga disa njërëz të cilët nuk i njoha. Vlen të përmenden edhe pse nuk ishin Miloti as Shllaku me reagimet mjaft të dëgjueshme por njerëzit që i rrethonin. Mbase për të ju pëlqyer të dyve. Shfaqja ishte e mbushur me sharje profane të llojit më të keq që njohim. Një batutë e përsëritur madje ndertohej mbi atë sharjen: “Ah, meqenë se përmene Nanën. A tu ka q* nana?” ose “Ah, nime, meqenë se e përmene Nanën. E kom ni pytje. Jo, hajt, pe la për herë tjetër.” Profaniteti është vendi ku loja e maskës zhvillohet. Pro-fan nënkupton para vëndit të shejntë ose jasht vendit të shenjtë. Për shkak të aftësisë se saj për të sjell në skenë natyren kontradiktore të jetës njerëzore dhe lidhjen e saj me jetën natyrore, pranvera dhe dimëri, jeta dhe vdekja, varfërija dhe pasurija (pra jo boten e shejntë të perendisë), dhe me këtë me nxjerr në pah padrejtësinë e cila është themeli i kushtëve të pothuajse çdo shoqërije, loja me maskë është zhdukur nga skena teatrore kombëtare evropiane me formimin e borgjezisë si klasë shoqërore. Skenën e teatrit kombëtar filloj t’a zotëroj ideali i qytetarit që nuk është kontradiktor dhe përputhet me një imazh, i cili, para së gjithash, nuk e shqetëson establishmentin politik. Çdo sharje këtë natë te Tanofest, pa përjashtim, shoqërohej nga “Uuuuuh…”-jat mospëlqyese dhe “Tssss….”-jat qortuese nga njerëz të publikut dhe nga atyre ulur pranë meje dhe përreth Zyliha Milotit dhe Primo Shllakut. Pas shfaqjës dëgjova se si një person shprehi indinjatën me zë të lartë duke thënë: “Turp ju qoftë! Ky është tempulli më i shejntë i kombit shqiptar!”.

Empatia si mjet rritjeje dhe shtysë rezistence. Po që se Teatri Migjeni është një tempull, atëherë i lumtë Adrian Morinës, Ylber Bardhit dhe regjisorit Ilir Bokshi që sollën në këtë tempull një tematikë të rëndësishme jo vetëm për popullin irlandez por edhe për popullin shqiptar: vuajtja e djemve dhe burrave nga një shoqëri që vetëm ia u shton vuatjen duke ia u injoruar nevojat shpirtërore për hirë të një ideali që jo vetëm nuk shqetëson establishmentin por e mundëson atë duke i përdorur si krahë pune që nuk pyetën kurrë për gjëndjen shpirtërore. Fshati i Sean-it, poashtu si shumë fshatra në Shqipëri dhe Kosovë, vuan nga emigrimi. Ata pak njerëz që mbesin pas nuk shohin asnjë të ardhme. Janë këta që brenda shfaqjes i ikin këtij realiteti nepërmjet alkoolizmit. Janë pikërisht këta të cilët shajnë fort brenda shfaqjes në një menyrë sharje që has në çdo rrugë ku flitet shqip, qofshin rrugë të Sarandës, të Korçes, të Tiranes, të Shkodrës, të Prizrenit apo të Prishtinës, dhe jo rrallë nga fytyra që as nuk kanë filluar t’a rrisin mjekërrën.

Në një skenë thelbësore të shfaqjes kuptojmë që jo vetëm Sean-i por edhe Charlie, një nga personazhet kryesor i cili poashtu ka probleme me alkoolizëm edhe shan, i luajtur nga Morina, e ka menduar njëherë vetëvrasjen si rrugëdalje të fundit nga jeta e varfër në fshatin e boshatisur. Charlie dhe Jake-i janë aq të prekur nga vetëvrasja e Sean-it dhe kaq të revoltuar nga sjellja indiferente e ekipit holivudian, brenda të cilës fshehet dhuna shtypëse e klasës zotëruese, që vendosin ta ndryshojnë skenarin për nder të Sean-it. Morina dhe Bardhi shfaqin mjeshtërinë e tyre dhe krijojnë një prezencë të qëndrueshme në skenë duke ngadalësuar lëvizjet, mënyrën e të folurit dhe duke mbajtur shikimin e përqendruar drejt publikut. Ndonëse zhurmat e llafeve dhe levizjëve të atyre që nuk u rahatuan dot për shkak të sharjëve vazhdonin t’a mbështjellnin atmosferën brenda salles se tempullit më të shejntë të kombit shqiptar.

Nëse ne në shoqërinë tonë shqiptare nuk u kushtojmë vëmendje gjërave të vështira, sepse jemi të zënë duke dënuar ato sjellje që nuk përputhen me një përfytyrim të caktuar të qytetarisë, atëherë nuk do arrijmë t’i shohim ato sjellje si simptoma të një vuajtjeje thirrja e të cilës na drejtohet të gjithëve si shoqëri e tërë. Pikërisht për këtë shërben ai lloj teatri që borgjezia nuk ka arritur ta vë në shërbimin e saj: për ta drejtuar, përmes një loje mes realitetit dhe imagjinates, vëmendjen drejt asaj që është aq e dhimbshme sa e vështirë të përballohet me sy.

Gurë në xhepa të tij. Pjesa teatrore mbi të cilën është bazuar “Hollyshit” mbanë titullin “Stones In His Pockets”, gurë në xhepa të tij, sipas menyrës që Sean-i zgjedh për të vrarë vetën në liqe. “E ka zhyt vetën n’liqe, e ka zhyt. N’liqe e ka zhyt vetën!”, pisket Jake-i i pikëlluar, lujatur nga Ylber Bardhi që nuk qe vetem mjeshtër i komedisë. Këtu është e vetmja herë që degjoj zërin e Zyliha Milotit e cila pyet “ku?” dhe merr përgjigje të shpejtë nga mprapa nga një zë aspak të prekur: “Në liqe!”. Është po ai zë që e kam degjuar se si zemërohej me shfaqjen kur prisja të dilja nga salla. Shfaqja nën regjinë e Ilir Bokshit mbanë titullin “Hollyshit” dhe skena e fundit, kur Charlie dhe Jake-i e ideojnë skenarin e ri, e shqipëron pse: “Cka nese e bëjmë një skenë, Charlie, me Sean-in e vogël në dorë te Babait? Trokasin në shtëpinë e Sean-it. Do hapet dera për të gjithë këta te Holivudit dhe Sean-i i vogël, në dorë të babait, nuk sheh Carolina Giovannin, jo, ai i sheh lopët!” Bardhi kërcen mbi kurriz të Morines dhe të dytë shofin një sfond pas publikut. Me sy hapur dhe fjalë të shpejta gëzimi nga fuqia për ta kundërshtuar klasën zotëruese imagjinojnë skenën: “Lopët! Lopë do shofin! Me erë bagël! Lopë me erë bagël!” Se Hollywood, është HollyShit, është HollyMut².


1.”kundërshtar i përparimit shoqëror ose kulturor, përkrahës i prapambetjes”. https://fjale.al/reaksionar. [20.11.2026]
2.HollyMut është një lojë fjale e dyfishtë: 1. Holly-Wood bëhët HollyMut dhe 2. “Holly” kur theksohet anglisht bëhët homonym me ‘wholely’ që nënkupton në shqip ‘krejtësisht’, pra Hollywood është krejtësisht mut.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndahet nga jeta aktori dhe profesori, Basri Muçolli