Është një kinema e veçantë ku publiku nuk ndodhet në ulëse dhe as në hapësirë të mbyllur. Gjithçka duket e përmbysur: ulëset janë vetura e njerëzit brenda tyre publiku. Megjithatë, funksioni është i njëjtë. Të gjithë janë sy e vesh drejt ekranit të madh.
E njohur prej kohësh si “Drive-In Cinema” – ku elementet konstituive janë ekrani i madh, projektori, banaku dhe një alamet parkingu – ky lloj i kinemasë do të praktikohet për herë të parë edhe në Kosovë.
Gjakova do të bëhet rishtarja e cila do të sjellë në projektorin e madh filma që do të shijohen nga rehatia e veturave.
Organizata joqeveritare “DU ART” ka njoftuar se një “Drive-In Cinema” së shpejti do të zërë vend në Gjakovë.
“Trendi botëror i kinemasë në makina vjen në Kosovë”, thuhet në njoftimin e shkurtër teksa njoftohet se nisma e “DU ART”, e cila është edhe organizatore e parkut kulturor “Ali Podrimja”, bëhet në bashkëpunim me diskotekën “MTLK” në Gjakovë.
Pandemia dhe ndikimi i saj në shoqëri janë bërë sebep për të menduar një mënyrë kreative për të rikthyer kinemanë pa kontakt dhe me distancë.
Arbër Lleshi, udhëheqës i OJQ-së “DU ART”, ka thënë se kinemaja do të sjellë filma të përzgjedhur nga kinematografia shqiptare dhe ajo e huaj.
Ka thënë se kjo nismë bëhet edhe më e rëndësishme nga mungesa e aktiviteteve që ruajnë sigurinë.
“Ideja është të krijojmë një ‘Drive-In Cinema’ në Gjakovë, të parën në Kosovë dhe një ndër të rrallat në rajon, dhe të bashkohemi me trendet botërore të kinemasë së distancuar shoqërore”, ka thënë Lleshi në një prononcim për ‘Kohën’.
Kështu, në hapësirë të jashtme, audienca nga makinat do të mund të përcjellë filmin në një ekran të madh, madje duke dëgjuar edhe një frekuencë të caktuar brenda makinave.
Organizatorët i kanë menduar të gjitha detajet e kësaj nisme: në hapësirën që ka kapacitet për 40-45 makina, filmi do të mund të shihet në ekranin me përmasa gati 100 metra katrorë, transmeton ‘koha.net’.
“Të hyrat e ndryshme potenciale nga projekti do të shfrytëzohen që ky projekt të ketë jetë të gjatë”, ka thënë Lleshi teksa ka bërë të ditur se “Drive-In Cinema” do të zërë vend në parkingun e diskotekës “MTLK” në Gjakovë.
Organizatorët kanë thënë se ngjarja – e cila pritet të fillojë para gjysmës së muajit shtator – nuk do të pengohet nga moti. Gjithçka do të shijohet në komoditetin e makinave.