Kinematë nën qiell të hapur, ku njerëzit shohin filma nga makina, ishin një pjesë e rëndësishme e jetës amerikane në vitet ’60-të. Kinematë me ajër të kondicionuar sollën falimentimin e shumicës së tyre. Por, me mbylljen e kinemave nga pandemia, ato në qiell të hapur po rikthehen.
Për muaj të tërë, pandemia ka privuar amerikanët nga kënaqësia e filmave në ekranin e madh të kinemave.
Megjithëse nuk po dalin shumë filma të rinj këto kohë, ka ende një vend ku njerëzit mund të shkojnë të shohin filma, pa u rrezikuar. Është një traditë e kthyer nga e kaluara: kinemaja nën qiell të hapur.
Një kinema e tillë ndodhet në qytetin Stephens në shtetin e Virxhinias. Largësia prej një orë e gjysmë nga Uashingtoni, nuk i frenon shikuesit.
“Vija shpesh këtu, kur isha e vogël dhe më pëlqen shumë. Kishte vite që nuk vija, por doja të kthehesha dhe ta shija si ishte bërë”, – thotë Carmen Smith.
“Është vërtet këndshëm, sepse je jashtë. Ekrani është shumë më i madh se sa në një kinema të zakonshme”, – thotë Javan Jackson.
Dikur kishte mijëra kinema të tilla në Shtetet e Bashkuara, por tani kanë mbetur vetëm disa, që vazhdojnë të ekzistojnë, kanë rëndësi për komunitetin.
“Kinemaja është një ikonë lokale si të thuash dhe ne shijojmë filmat dhe atmosferën që krijohet”, – shprehet, Christine Ashcroft.
Menaxherët e kinemave thonë se në këto kinema distancimi fizik është i natyrshëm, sepse të gjithë ose rrinë në makina, ose përjashta me tenda.
Një gjë që ka ndryshuar është që vizitorët e dëgjojnë zërin përmes radios, sepse autoparlantët në çdo vend parkimi mund të transmetojnë COVID-in.
“Disa nga altoparlantët e zakonshëm, janë të mbuluar. Zakonisht mund t’i lidhësh dhe t’i vësh në makinë, por ato janë nga i njëjti material si disa pajisje të këndeve të lojrave dhe mund të bëhen pika transmetimi”, – thotë Jim Kropp, menaxher i kompanisë.
Por, me rihapjen e kinemave të mbyllura, mbetet të shihet nëse nostalgjia e kinemasë nën qiell të hapur do të vazhdojë./VoA